Ndërprerjet e energjisë po dëmtojnë bizneset

29 korrik 2018 | 17:50

Ndërprerja pa paralajmërim e energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, është duke shkaktuar prishjen e pajisjeve të rëndësishme të bizneseve.

Kështu kanë thënë për “Radio Kosovën” disa pronarë të bizneseve, duke paralajmëruar edhe padi ndaj kompanisë në fjalë. Kurse nga KEDS-it janë përgjigjur shkurt, duke thënë se nuk ka ndalje të energjisë në mënyrë të paplanifikuar.

Bejtush Gashi është ankuar se zona e Gollakut është shumë e neglizhuar sa i përket furnizimit me energji elektrike.

“Kemi pas probleme të vazhdueshme, pothuajse për tri javë rresht kemi ndërprerje qysh prej orës 10:00 deri në orën 5-6 pasdite”, ka thënë ai.

Ndërprerja e energjisë ka shkaktuar edhe dëmtim në pajisje e cila sipas Gashit është importuar nga jashtë. Për këtë arsye ai ka thënë se do ta padisë KEDS-in.

“Kemi rastin më konkret ku na janë shkaktuar dëme. Para orës një ka pas ndërprerje të energjisë elektrike, ku ka ardhur pastaj dhe është ndalë, disa herë. Edhe prej orës një nuk ka pasur, deri në orën pesë kur e kanë lëshuar. Dhe, tash është prishur një pajisje të cilën e kemi blerë vitin e kaluar, e cila është importuar prej Belgjikës. Ajo pajisje ka qenë e subvencionuar 50 për qind prej Ministrisë së Bujqësisë dhe ka shkaktuar djegie në softuerin e pajisjes edhe ne duam të padisim KEDS-in për dëmet që na ka shkaktuar”, ka thënë ai.

Ndaljet e papritura të rrymës kanë shkaktuar probleme edhe tek bizneset e tjera. Bajram Gashi, ka thënë se i është prishur arka fiskale për çka ka pasur problem me Administratën Tatimore të Kosovës.

“Problemi është shqetësues edhe po na shkakton dëme në biznes. Sidomos edhe sot prapë kishte pasur probleme prej orës 10:00 një arkë fiskale nuk ka punuar, i është djegur adapteri dhe në atë moment kishin ardhur prej ATK-së dhe kanë pyetur se pse nuk po lëshojmë kupon fiskal. Këto krejt janë shkaktar të rrymës edhe prapëseprapë ne jemi fajtorë”, është shprehur ai.

Edhe një tjetër biznes nga kjo zonë ka ankesa të shumta. Pronari Ismet Gashi ka thënë se janë shumë të rralla ditët kur ka furnizim të rregullt me rrymë.

“Ne kemi shumë telashe të mëdha. Kuptoj, mund të ketë prishje ndonjëherë 2-3 orë, por jo me orë të tëra. Dikush ka shitore, akullore, restorant, i prishen gjërat, qysh mund të punohet pa rrymë”, ka thënë ai.

Të gjithë të intervistuarit kanë thënë se janë pagues të rregullt të energjisë elektrike.

Kurse, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, nëpërmjet postës elektronike ka shkruar se nuk ka pasur ndalje të paplanifikuar.

“Për ndalesa të planifikuara gjithnjë lajmërohen konsumatorët përmes medieve, ndërsa bizneset më të mëdha edhe në mënyrë direkte”, ka shkruar Buzhala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas lajmit për rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për…