Ndërprerjet e lidhjeve telefonike dhe mosnjohja e kodeve të internetit, faktor dëmtues i bizneseve në Kosovë

22 tetor 2020 | 16:08

Problemet e telefonisë mobile, kualiteti i dobët i shërbimeve të telefonive mobile, problemet me mbulimin e rrjetit 3G dhe 4G në autostradë dhe problemet me IP që po dëmtojnë me miliona euro biznesin dhe buxhetin e Kosovës, ishin disa nga çështjet e diskutimit në takimin ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me anëtarët e bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Përfaqësuesit e OAK-ut fillimisht theksuan se problem kryesor është ndërprerja e lidhjeve telefonike si pasoja të kalimit nga një antenë në antenën tjetër si dhe kualiteti i dobët i telefonatave dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G në pjesët e autostradave.

Gjithashtu, sipas tyre, në çdo portal që ka të paraqitura reklama në fund të faqes, dhe në bazë të IP-ve shfaqen dhe reklamat, ku shpeshherë shfaqen reklama në gjuhë të tjera dhe jo në shqip.

Po ashtu përfaqësuesit e OAK-ut kanë thënë se kjo po ndikon negativisht tek mediat duke pësuar humbje financiare në biznes dhe njëkohësisht humbje në buxhetin e shtetit.

Ata kanë kërkuar që ARKEP të kontribuojë në eliminimin e këtyre problemeve.

Ndërkaq anëtarët e bordit të ARKEP-it përgëzuan përfaqësuesit e OAK-së për iniciativën e adresimit të problemeve të bizneseve nëpër institucione, duke theksuar që janë të hapur të mirëpresin çdo ankesë dhe çështje që ka lidhje të bëjë me shërbimet e telefonisë dhe postave.

Gjithashtu, sa i përket çështjeve të ngritura nga OAK-u, ata theksuan që Kosova nuk ka kod të internetit dhe të gjithë operatorët kyçjen e gjejnë tek shtetet e tjera dhe kjo është arsyeja që Kosova nuk ka IP të njohur duke pas parasysh që duhet të jemi anëtarë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga dita e enjte, KEDS-i ka hapur dyert për avancimin…