
Ndërron jetë motra e Ahmet Haxhiut, Rahime Haxhiu – Dervishi
Sot, më 14 maj 2025, në orët e para pas mesnatës, ka ndërruar jetë Rahime Haxhiu – Dervishi, motra e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare Ahmet Haxhiu-BACA, Hero i kombit.
Varrimi bëhet sot më 14 maj 2025 në ora 16:30 në Lupç të Poshtëm të Besianës (Podujevës), ndërsa e pamja bëhet më 15 dhe 16 maj nga ora 09:00 deri 18:00 në shtëpinë e familjes Dërvishi në Vushtrri, Rr.Zymer Haziri, nr.3, te varrezat e qytetit.
Rahimja, në rininë e saj ishte krah i të vëllait Ahmetit, që nga qëndisja e flamujve kombëtarë në një kohë kur as Flamuri as identiteti jonë kombëtar nuk pranohej në shtetin ku kishte mbetur Kosova.
Ajo u bë shtylla e shtëpisë dhe krahu i djathtë i burrit Bali Ibish DERVISHI, veprimtar dhe organizator i demonstratave në Vushtrri në vitin 1981.
Sfidat dhe ecejaket e jetës së saj me të papriturat dhe vështirësitë që i solli jeta, vrapi për të siguruar bukën në sofrën e familjes, mundi dhe përkushtimi për të rritur dhe edukuar fëmijët kur pushteti ua kishte dënuar babain Bali Dervishi me 13 vjet heqje lirie, janë shembull i sakrificës së Nënës shqiptare siç ishte Nëna heroinë, Rahime Haxhiu Dervishi.
Ajo meriton gjithë nderimin e fismë për jetën dhe veprën e saj në shërbim të lirisë dhe kultivimit e ruajtjes së vlerave familjare shqiptare.
I qoftë i lehtë dheu i atdheut! Ngushëllime familjes Dervishi dhe familjes Haxhiu! /Epoka e re/