Ndeshje të zjarrta në çerekfinalen e Botërorit

06 korrik 2018 | 11:56

Dy ndeshje të zjarrta do të zhvillohen sot (e premte) në kuadër të çerekfinales së Kupës së Botës. Fillimisht nga ora 16:00 do të përballen Uruguai dhe Franca, kurse në mbrëmje nga ora 20:00 zhvillohet përballja tjetër në mes të Brazilit dhe Belgjikës.

Kupa e Botës, pas një pushimi prej dy ditësh, rikthehet me dy ndeshje tejet të forta. Uruguai dhe Franca përballen sot (e premte) në kuadër të çerekfinales së Kupës së Botës “Rusi 2018”.

Në stadiumin “Nizhny Novgorod” përballen Franca dhe Uruguai. Këto kombëtare ende nuk kanë pësuar asnjë humbje dhe synimet i kanë të vazhdojnë me këtë ritëm, ani pse njëra duhet të eliminohet nga ky kompeticion.

Në 1/8 e finales, Franca arriti me një paraqitje të mirë ta eliminojë Argjentinën e Lionel Messit, kurse në anën tjetër Uruguai e eliminoi Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Kjo ndeshje është speciale edhe për Antoine Griezmann dhe Lucas Hernandez, pasi përballen me shokët e skuadrës së Atletico Madridit, Diego Godin dhe Jose Gimenez, ndërsa përballë do të jenë edhe sulmuesit e Paris Saint-Germain: Edinson Cavani dhe Kylian Mbappe, sikurse dyshja e Juventusit,  Rodrigo Bentancur dhe Blaise Matuidi. Përballje edhe më interesante pritet të jetë dyshja e Barcelonës, Luiz Suarezi ndaj Samuel Umtitit.

Ndeshja e dytë çerekfinale zhvillohet nga ora 20:00 në “Kazan Arena” në mes të Brazilit dhe Belgjikës. Këto dy kombëtare llogariten edhe si kryesoret për të triumfuar në këtë Botëror. Brazili, pas barazimit në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës, është paraqitur mirë në ndeshjet e tjera dhe në këtë përballje hynë si favorit ndaj Belgjikës që ka një formë të mirë, por ndeshja e fundit në 1/8 e finales ndaj Japonisë ka lënë vend për dyshime se Belgjika mund ta rrëmbejë trofeun, ani pse arriti ta përmbysë epërsinë prej dy golave të japonezëve. Ndërsa brazilianët u kualifikuan në çerekfinale pasi fitores 2-0 ndaj Meksikës. Siç dihet, Brazili ka një ekip të fuqishëm të udhëhequr nga Neymari dhe Coutinho, por edhe belgët kanë një skuadër mjaft të mirë me yjet që luajnë në Premierë Ligë si Lukaku, De Bruyne dhe Hazard.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës për…