Ndihmesa e ushtrisë shqiptare në organizimin dhe përgatitjen e UÇK-së

06 dhjetor 2022 | 08:47

Prof. asoc. dr. Marenglen KASMI

Që nga fitorja e luftës së UÇK-së me mbështetjen e NATO-s kanë kaluar mbi 22 vjet dhe tashmë UÇK-ja dhe lufta e saj për çlirimin e Kosovës janë bërë pjesë e historisë më të lavdishme të popullit të saj, çka çoi në çlirimin e vendit dhe shpalljen e Pavarësisë.

Por, edhe UÇK-ja ka historinë e saj, fillimet e së cilës, organizimi dhe armatosja, stërvitja dhe përgatitja, ashtu si dhe liderët e organizatorët e saj të shquar, gjenden përpara në kohë. Në këtë histori, një pjesë jo pak të rëndësishme zënë padyshim edhe ata njerëz e vende që e mbështetën orga­nizimin, furnizimin, disiplinimin, stërvitjen e përgatitjen luftarake të kësaj ushtrie të re.

Trajtimi i kësaj teme është shumë delikate dhe vështirësohet ende nga mungesa e burimeve arkivore, qoftë vendase apo të huaja. Nëse për vitet 1980-1990 dokumentet arkivore mundësojnë një skicim të mirë të proble­matikës së Kosovës dhe përpjekjeve të saj për t’u çliruar në këto vite, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vitet 1990-1999, sepse arkivat janë ende të kyçura për këtë periudhë.

Pavarësisht prej këtyre vështirësive, studimi i autorëve të huaj, si Jens Reuter, Peter Schubert, Agilof Keßelring, Fred Abrahams, por edhe i atyre shqiptarë, mundësojnë trajtimin e kësaj teme. Po ashtu, një dimension të rëndësishëm studimor përbëjnë edhe dëshmitë e oficerëve shqiptarë, të cilët u përfshinë drejtpërsëdrejti në stërvitjen e luftëtarëve kosovarë, si në vitet 1991-1993, ashtu edhe masivisht më pas, gjatë luftës së Kosovës 1997-1999.

***

Viti 1991 shënoi rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Shumë shqiptarë ishin të mendimit se, si regjimi i Enver Hoxhës, ashtu edhe qeveria e pas­ardhësit të tij Ramiz Alia, nuk kishin bërë asgjë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve.[1] Tradicionalisht, vizioni i një bashkimi kombëtar shqiptar kishte qenë ajo çka elita shpirtërore dhe intelektuale shqiptare kishin arti­kuluar në vazhdimësi. Ishte pikërisht kjo elitë, e cila shpresonte që tashmë, me rënien e regjimit komunist, qeveria e parë demokratike shqiptare do të angazhohej fuqishëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Sigurisht që edhe zhvillimet në Evropën Lindore dhe bashkimi i Gjermanisë zgjonte te kjo elite shpresën se zgjidhja e çështjes kombëtare ishte një hap më pranë rea­lizimit. Fillimi i luftës civile në Jugosllavi, në verën e vitit 1991, shkaktoi jo pak shqetësime në Tiranë. Nga njëra anë, Tirana trembej në zgjerimin e një konflikti edhe në Kosovë, e rrjedhimisht edhe në Shqipëri dhe, nga ana tjetër, shpresonte se humbja e Serbisë në këtë konflikt do të ishte në favor të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Ndonëse në fillimvitet 1980 ishte hartuar një plan me karakter mbrojtës përgjatë kufirit me ish-Jugosllavinë, ai kishte në të edhe elementë planëzues ofensivë për territorin e Kosovës. Për Tiranën e vitit 1991 ishte e qartë se një konflikt i armatosur me Jugo­sllavinë në këtë kohë ishte diçka shumë e rrezikshme.

Gjithsesi, ka burime të cilat tregojnë se në vitin 1991 Ramiz Alia pranoi që ushtria shqiptare ta fillojë stërvitjen e disa luftëtarëve kosovarë. Ndër të parët që do të stërvitej në kampet ushtarake të ushtrisë shqiptare të ngritura me urdhrin e Alisë ishte edhe Adem Jashari. Lidhur me këtë fakt, Fred Abrahams, në librin e tij  “Shqipëria e re” ka shkruar për një bisedë që ka zhvilluar në vitin 1991 me ish-presidentin e Shqipërisë të asaj kohe, në një takim me Xhavit Halitin. Abrahamsi shkruan: “Alia mundësoi njëfarë stër­vitjeje, më treguan se Haliti, ashtu edhe ministri i Mbrojtjes Teta, LPRK-ja dërgoi në Shqipëri njerëz, duke përfshirë një luftëtar trupmadh që e quanin Adem Jashari…”.[2]

Ky autor shkruan se personi i parë që erdhi në Shqipëri ishte Xhavit Haliti, përfaqësues i Lëvizjes për Republikën e Kosovës (LPRK) dhe në korrikun e vitit 1991 u takua me presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë. Ai e takoi presidentin me qëllimin dhe mendimin rreth fillimit “të një lëvizje ushtarake për çështjen e Kosovës”.[3] Presidenti shqiptar, që i njihte mirë grupet e ndryshme kosovare, besonte se Kosova mund të çlirohej vetëm me anë të forcës.[4] Për t’i mbajtur lidhjet, ai caktoi këshilltarin e tij ushtarak, gjeneral­majorin Adem Çopanin, i cili ishte ushtarak i lartë i karrierës me përvojë.

Por, në fillim, siç është shprehur edhe ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipë­risë i asaj kohe, pati vështirësi sepse atëherë erdhën shumë grupe që kërko­nin ndihmë. Ministria e Mbrojtjes urdhëroi Shkollën e Bashkuar të Ofice­rëve që me katedrat e saj të taktikës, zjarrit, zbulimit, xhenios etj. të har­tonte dhe zhvillonte një plan stërvitor për grupe stërvitore me shqiptarë të Kosovës. Lidhur me stërvitjen ushtarake të luftëtarëve kosovarë, një autor dhe dëshmitar i kësaj lufte, ka shkruar se përgatitjen ushtarake Adem Jashari e ka marrë në Shqipëri nga oficerë të njohur të Ushtrisë Shqiptare.[5] Siç theksuam, stërvitja e tyre u zhvillua nga pedagogët më të mirë të Shkollës së Bashkuar, kështu që ky është një vlerësim më se i drejtë. Për fat të keq, ende nuk kemi gjetur burime arkivore të plota, për të arritur në të dhëna më të plota për emrat, sasinë e grupeve dhe atë çka këto grupe përfaqë­sonin.

Sipas dëshmive të disa oficerëve të Shkollës së Bashkuar që trajnonin luftëtarët kosovarë, në vitin 1992, me largimin e Alisë dhe ardhjen e presi­dentit Berisha, stërvitja e luftëtarëve kosovarë u ndërpre. Vlerësuar sot në retrospektivë, ky veprim nuk përbën ndonjë çudi. Para se Berisha të zgje­dhej president, deklaratat e tij në lidhje me Kosovën shkonin në drejtim të irredentizmit.

Ndryshe si kryetar shteti: “Tirana e vlerësonte ndjekjen e një politike irre­dentiste në Kosovë, që mund të përfundonte në një luftë, si një rrezik jetik. Në këtë kohë të gjithë donin të shmangnin me çdo kusht një konflikt në Kosovë. Me politikën e tij paqësore, Ibrahim Rugova ishte një aleat natyral i Tiranës. Duket sikur ai ofron garancitë që kosovarët nuk do të kalojnë në një kryengritje të dhunshme, çka mund ta dëmtojë edhe Shqipërinë”, shkruan historiani gjerman Jens Reuter.[6] Në këto vite bie në sy që qeveria shqiptare kërkonte me çdo kusht t’i shmangte konfliktet në Kosovë.

Mbyllja e kampeve stërvitore ishte një rrjedhim i politikës së ndjekur nga qeveria e asaj kohe duhet vlerësuar në dy plane, si në atë të vizionit politik për çështjen e Kosovës, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në planin e brend­shëm ndërprerja e mbështetjes për UÇK-në erdhi si pasojë edhe e frikës dhe dyshimeve kundër grupeve  “majtiste”, ndërsa në planin ndërkombëtar,si pasojë e presionit të tyre. Qeveria e Tiranës nuk mund të dilte kundër politikës së ndjekur nga Brukseli dhe Uashingtoni. Pa ndihmën financiare të Perëndimit ajo nuk do të mbijetonte.

Në një situatë dhe kontekst krejt të ndryshëm ishte ndihma që UÇK-ja do të merrte në vitet 1997-1999.

Nëse i referohemi historisë së krijimit të UÇK-së, sipas disa studiuesve të saj, fillimet e saj janë të kahershme. Fillesat apo zanafilla e saj duhen kër­kuar që në kohën e Lëvizjes Politike, ilegale të pas Luftës së Dytë Botërore, e cila kulmoi me demonstratat e vitit 1981 në Kosovë.

Atëkohë kërkesa themelore e demonstratave ishte  “Kosova Republikë”! Sipas të dhënave të njohura të kohës, këta demonstrues, kudo që ndodhe­shin, në harkun kohor 1981-1990, nuk reshtën së kërkuari përmbushjen e çështjes së tyre, në rrjedhën e të cilave u krijuan organizatat e ndryshme politike. E përbashkëta e këtyre organizatave, në programet e tyre, qëndronte kërkesa për luftën e armatosur çlirimtare. Ndërkohë, veprimtarët e këtyre organizatave do të ishin ata që do ta përbënin bërthamën e saj, që do të lindte së shpejti për konkretizimin dhe realizimin e luftës së armatosur çlirimtare.

Në vitin 1997-1998, ndonëse qeveria shqiptare e kohës i ruhej një reagimi të komunitetit ndërkombëtar, përfaqësuesit e UÇK-së u lidhën dhe u ndih­muan nga institucionet e Mbrojtjes, Sigurisë dhe Informimit Shqiptar. Nëpërmjet kësaj marrëdhënie, që doli se ishte e duhura dhe vendimtare, teksa konflikti po përhapej, UÇK-ja mori ndihmën e mundshme.[7]

Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë që po kalonte Shqipëria, sidomos në zonën në Veri të vendit, stërvitja ushtarake dhe furnizimi me armë ishte më i mundshëm. Prej nëntorit 1998 qeveria shqiptare lejoi ardhjen në Shqipëri të shumë meshkujve kosovarë që vinin nga jashtë vendit për të marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës. Ata vinin nga shumë vende të Evropës, por edhe nga ShBA-ja.

Shqipëria luajti në këtë rast një rol të rëndësishëm në pritjen, organizimin dhe përgatitjen e forcave të tjera luftarake për UÇK-në, si dhe në mbështe­tjen e forcave që tanimë operonin në Kosovë.

Kjo ndihmë përfshinte disa tregues të rëndësishëm që ndikonin në orga­nizimin, stërvitjen dhe përgatitjen luftarake të luftëtarëve dhe komandan­tëve të formacioneve luftarake të UÇK-së. Pavarësisht që deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarako-policore, shteti dhe qeveria shqiptare dukeshin të tërhequra, në fakt, ishin institucionet e tyre të mbroj­tjes, sigurisë dhe informacionit që do të ndihmonin sa më shumë dhe me të gjitha mundësitë e tyre, gjithsesi të kufizuara, për shkak të situatës që kaloi vendi në vitet 1997-1998.

Në luftën e Kosovës dhe në organizimin e veprimtarisë së UÇK-së kanë dhënë një ndihmesë të çmuar disa faktorë gjeografikë, etnikë, ushtarakë etj. Një ndër vendet që për shkak të pozicionit gjeografik, të origjinës së njëjtë kombëtare dhe të përvojës ushtarake në pikëpamje organizative dhe të trajnimit profesional, por edhe logjistik, ishte Shqipëria.

Shqipëria ishte fare pranë me Kosovën dhe kishte mundësi të mëdha komunikimi që, për shkak të porteve detare dhe aeroportit, mundësonte ardhjen e shumë emigrantëve kosovarë, të cilët donin t’i bashkoheshin UÇK-së në luftën e Kosovës. Aq më shumë rritej kjo mundësi nëse i shtohet këtij fakti edhe një argument tjetër, identiteti i njëjtë kombëtar shqiptar. Ndërsa nga ana e kufirit me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, hyrjet, veçanë­risht, por edhe daljet ishin tejet të vështira, për të mos thënë në kufijtë e të pamundurës për lëvizjen e luftëtarëve dhe aq më pak të furnizimeve logji­stike ushtarake të UÇK-së.

Në këtë mënyrë, rrethanat dhe argumentet e mësipërme ndikuan që një barrë e konsiderueshme e kësaj lufte të binte mbi Shqipërinë edhe për për­gatitjen luftarake të emigranteve kosovarë që vinin nga vendet e Evropës dhe nga ShBA-ja për të luftuar në Kosovë. Mirëpo të gjitha lëvizjet dhe veprimtaritë e mësipërme, më shumë se kudo tjetër, ishin nën vëzhgimin e përhershëm të vendeve evropiane dhe të vëzhguesve amerikanë, por më së shumti nga spiunët dhe agjentët e policisë së fshehtë dhe kundërzbulimit serb edhe brenda në Shqipëri. Ky vëzhgim euro-amerikan qe veçanërisht i vazhdueshëm dhe i shoqëruar me këshillime të pandërprera kur u zhvillua lufta e Kosovës.

Por, qeveria shqiptare ndihmoi dhe mbështeti NATO-n kur ajo vendosi ta niste fushatën e bombardimeve kundër Serbisë në mbështetje të luftës se UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Qeveria shqiptare vuri në dispozicion të NATO-s aerodromet prej nga niseshin avionët e saj për t’i goditur objekti­vat serbe.

Në fazën përmbledhëse apo kurorëzuese të luftës së Kosovës, numri i vullnetarëve kosovarë që vinin nga vendet evropiane dhe ShBA-ja me synimin për të marrë pjesë në këtë luftë, kryesisht përmes porteve detare dhe aeroportit të shtetit shqiptar, u shtua dukshëm. Për rrjedhojë, lindi nevoja e organizimit të tyre nëpër reparte dhe përgatitja ushtarake e tyre, për t’u nisur më pas drejt veriut të vendit, prej ku këto reparte e njësi mar­shonin ushtarakisht për në zonat e përcaktuara në Kosovë.

Për këtë arsye u pa e nevojshme që procesin e mësipërm këta vullnetarë ta kryenin në Shqipëri, dhe jo pa arsye, sepse duke u përgatitur në Shqipëri këta luftëtarë, do të hynin menjëherë në luftë në Kosovë. Kjo përbënte një përparësi të madhe për UÇK-në. Por, veçse kjo nuk ishte aspak e lehtë, për shkaqet që i theksuam më parë, të vëzhgimit të rreptë të vëzhguesve ndër­kombëtarë si dhe të agjenturës serbe. Që në prill të vitit 1998 UÇK-ja dhe CIA amerikane, me ndihmesën e ShIK-ut shqiptar, kishin rënë në një mendje për tri pika thelbësore në veprimtarinë e UÇK-së: UÇK-ja të mos ushtronte dhunë jashtë Kosovës, të mos bashkëpunonte me forca terroriste dhe të mos kishte financime të paligjshme. Për rrjedhojë, UÇK-ja nuk u përfshi asnjëherë në listat e Departamentit të Shtetit për organizatat terroriste. Madje, siç shkruan Abrahams, “ka dëshmi që tregojnë për stërvitje të krye­ra nga ekspertët amerikanë dhe britanikë në kampet e UÇK-së në Shqipë­rinë e Veriut. Çka ishte më e rëndësishme për UÇK-në, ajo po forconte besimin”.[8]

Qeveria shqiptare u vu në mbështetje, si të forcave të NATO-s edhe të UÇK-së me të gjitha mundësitë që pati, ndërkohë që publikisht s’e pranoi asnjëherë mbështetjen dhe ndihmesën e drejtpërdrejtë dhe konkrete. Qeveria Majko pranoi në portet detare dhe ajrore prurjet në përmasa të mëdha të mijëra vullnetarëve kosovarë, që arrinin në Shqipëri nga disa vende të Evropës perëndimore dhe ShBA-ja, me qëllimin e vetëm për të luftuar në radhët e UÇK-së.

Por shumica e këtyre vullnetarëve nuk kishin njohuri për organizimin ushtarak dhe aq më pak për taktikën e luftës dhe përdorimin e armëve në luftime. Ata nuk njihnin jetën, disiplinën, uniformat, rreshtimin, urdhrat e eprorëve dhe bindjen për zbatimin e tyre. Pra ata nuk e njihnin as betimin ushtarak për sakrifica, përkushtimin deri në rënie për lirinë e popullit dhe atdheut.

Të ardhurit ishin të moshave nga 15 vjeç deri në 55 vjeç, por dominonin moshat 25-35-vjeçare, që zinte 75% të vullnetarëve kosovarë. Prej rreth 1800 vullnetarëve që pas gjashtë ditësh arritën në 2 500 veta, meshkuj dhe femra, rreth 40% e tyre e kishin kryer shërbimin ushtarak më parë në ushtrinë e ish-Jugosllavisë. Kjo përvojë reflektohej qartë në qëndrimin e tyre rreshtor, në pamjen e jashtme, mënyrën si reagonin dhe zbatonin urdhrat, sidomos në përdorimin e armëve, stërvitjen e përgatitjen ushta­rake dhe qitjet me rezultate të larta.

Pjesa tjetër, më e madhe e vullnetarëve, kishin mangësi dhe vështirësi të dukshme në pamjen e jashtme, në mbajtjen e uniformës, në qëndrimin rreshtor, në përgatitjen ushtarake taktike, mosnjohjen dhe përdorimin e armëve dhe veçanërisht në qitje.

Për rrjedhojë, sipas të dhënave që vijnë nga disa burime, në territorin e Shqipërisë u ngritën dy qendra kryesore, pikërisht për organizimin dhe për­gatitjen e forcave vullnetare. Të dhënat për qendrat stërvitore të mësipërme i pohon në një libër edhe një autor shqiptar, Halil Katana.[9] Por, sigurisht, që për këto baza është ruajtur fshehtësia për shkaqe të kuptueshme. Veça­nërisht deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s ngritja e qendrave ishte bazuar në urdhrat e ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë. Por, ndoshta është vendi për të folur shkurtimisht për veprimtarinë që kryhej në këto qendra, me detyrat dhe rregullin e funksionimit të tyre. Ato kishin për qëllim kryesor që, pas ardhjes në to në fshehtësi të vullnetarëve kosovarë, të merreshin me organizimin e tyre nëpër nënreparte, reparte e njësi ushta­rake.

Si rregull, në këto qendra vullnetarëve kosovarë u jepeshin, brenda një periudhe prej disa javore (20-25 ditë), një varg njohurish ushtarake që nga ana formularë deri tek ato speciale – profesionale. Njohuritë nisnin me nderimin për Flamurin dhe Himnin Kombëtar, qëndrimin rreshtor, nderi­min, urdhrat ushtarakë dhe rëndësinë e zbatimit të tyre, mbi disiplinën dhe moralin në luftë. Ndërkohë atyre u jepeshin mësime teorike dhe sidomos praktike për njohjen dhe përdorimin e taktikave të luftës, në mbrojtje, mësymje (sulm), në veprimtarinë e nënreparteve, po ashtu si dhe për bashkë­punimin dhe mënyrat e ndërlidhjes. Madje në këto qendra atyre iu dhanë njohuri xheniere për minat dhe ndërtimin e pozicioneve të mbrojtjes, deri edhe për mbrojtjen nga lëndët kimike që mund t’i përdornin forcat ushta­rako-policore serbe gjatë luftimeve.

Por, rëndësi në to i jepej edhe përgatitjes fizike, si dhe mënyrës së kryerjes së marshimeve luftarake me nënrepartet dhe repartet e tyre përkatëse. Pas betimit ushtarak, repartet dhe njësitë e përgatitura niseshin drejt Veriut të Shqipërisë, siç shkruan Abrahams, “për stërvitje dhe mandej në front”.[10]

Në prill të vitit 1999, në njërën prej qendrave stërvitore të Ushtrisë në Shqipëri, mbërritën nga ShBA-ja disa qindra vullnetarë që më pas u orga­nizuan në atë që më vonë u emërtua Batalioni “Atlantiku”. Shumica e tyre nuk kishin qenë në shërbim ushtarak dhe nuk kishin njohuri për disiplinën ushtarake, për armët etj. Ata kishin sidomos mangësi në njohjen e takti­kave të luftës.

Sipas të dhënave dokumentare të kohës, për të organizuar dhe përgatitur si luftëtarë vullnetarët nga ShBA-ja, që fillimisht kapnin shifrën 1800 veta, por vetëm pas gjashtë ditëve arritën në 2 500 veta, ishte përzgjedhur një grup oficerësh, mësimdhënës metodikë dhe me përvojë. Për tre-katër javë grupi i madh i vullnetarëve u organizua mbi bazën e batalioneve, kompa­nive, togave dhe skuadrave, me komandantët e tyre në krye. Ato u organi­zuan sipas modelit të ushtrive të kohës. Komandantët e nënreparteve në rastin më të mirë ishin ish-oficerë të ushtrisë jugosllave ose vinin nga radhët e atyre që kishin kryer shërbimin ushtarak. Për t’i arritur synimet e përgatitjes ushtarake dhe luftarake të vullnetarëve ishte përgatitur një program. Në të ishin përfshirë tema mbi stërvitjen rreshtore, përgatitje zjarri për t’i njohur armët në përdorim, taktikë për disa lloje luftimesh, njohuri për disa specialitete kryesore si xhenio, ndërlidhje dhe mbrojtje kundërkimike, si dhe qitje pothuajse me të gjitha armët që përdorte UÇK-ja. Është e kuptueshme që pjesën kryesore të programit e zinin njohuritë teorike dhe sidomos stërvitjet taktike praktike si dhe mësimet për njohjen e armëve personale dhe kolektive, të cilat kulmonin me qitje në terren. Të gjithë vullnetarët zhvilluan qitje me automatikë, mitraloza, topa kundër­tank, granatahedhës të lehtë, madje edhe me granata dore.

Mësimet dhe stërvitja praktike taktike për luftimet mbrojtëse, pozicionale dhe sulmuese apo në prita mësohej sipas artit ushtarak bashkëkohor dhe jo sipas luftimit tradicional që ata njihnin nga të parët apo që kishin lexuar. Për t’iu afruar dhe përshtatur sa më shumë terrenit në Kosovë, stërvitjet u zhvilluan në terrene fushore, kodrinore dhe në terrene të thyera e malore. Nga ana tjetër vëmendje e veçantë iu kushtua stërvitjeve me efektivë, për një forcë si ajo e UÇK-së që luftonte në terrenin e saj që e njihte më mirë se forcat serbe.

Stërvitjet e kryera edhe në kushte të rënda të motit me shira dhe baltë duke u gërshetuar me lëvizjet dhe marshimet e shpejta e të përhershme si dhe maskimet sipas terrenit konkret. Programi ishte konceptuar mbi bazën e orëve mësimore me nga 50 minuta secila, kurse një ditë stërvitore zgjaste deri në tetë orë. Ndërsa stërvitjet e natës fillonin pas rënies së errësirës dhe zgjasnin deri afër mesnatës. Në program ishte parashikuar edhe stërvitja për mbijetesën e efektivave në përgatitje si ushqimi i thatë, fjetja në fjetore të përbashkëta me qindra veta dhe në kushte të vështira në natyrë etj.

Duhet theksuar se shumica e vullnetarëve vinin nga jeta civile, nga emi­gracioni. Fillimisht ata patën vështirësi, por shpejt i tejkaluan ato dhe i përvetësuan njohuritë e nevojshme për luftë. Më me vështirësi u përvetë­suan elementët e stërvitjes rreshtore, dhënieve të komandave, stërvitjet taktike të luftës pozicionale e ndonjë tjetër. Efekti i repartit të Atlantikut, që njihet edhe si Batalioni “Atlantiku”, i ardhur nga ShBA-ja, sipas të dhënave të një informacioni të korrikut 1999, kishte kryer shërbim ushta­rak në masën 50%. Ata fillimisht patën probleme me disiplinën ushtarake që e tejkaluan shpejt, ndërsa kishin njohuri të mira për armatimin dhe rezultate të mira në stërvitje taktike dhe në qitje. Në fillimet e çdo dite iu dha përparësi ngritjes së Flamurit dhe këndimit të Himnit Kombëtar. Për të kuptuar sesa shumë vlerësohej nga vullnetarët ngritja dhe prania e Flamurit dhe këndimi i Himnit Kombëtar, mund të thuhet se riti i tyre shoqërohej çdo ditë me duartrokitje dhe emocion. Njëherësh, dukej se ato ceremoni-rituale ndikonin mjaft në gjendjen morale dhe psikologjike të vullnetarëve për t’u stërvitur me zell dhe për t’u monitoruar, për të shkuar sa më parë e të përgatitur në luftën për çlirimin e Kosovës.

Në ditët e para problem përbënin pajisja me uniforma të njëjta, si dhe kundërshtimi i organizimeve mbi bazë krahinore, fisi apo familjare, aq më tepër klanore. Ato prirje u mënjanuan me kujdes nga oficerët që drejtuan organizimin dhe përgatitjen ushtarake të vullnetarëve, duke shpjeguar se në luftë shkohej me organizim ushtarak të kohës dhe jo sipas traditës dhe zakoneve.

Për ta përmbyllur këtë ngjarje me rëndësi u aplikua edhe forma e Betimit Ushtarak dhe nënshkrimi i tij. Kjo ditë u vlerësua shumë nga luftëtarët si një simbolikë e të qenit gati për të shkuar në luftë për lirinë e atdheut – Kosovës!

E gjithë fushata e bombardimeve të NATO-s në bashkëpunim nga toka me forcat e UÇK-së, por edhe me mbështetjen indirekte të Shqipërisë pranë,u përmbyll brenda shtatëdhjetetetë ditëve. Më 9 qershor të vitit 1999, Millo­sheviqi urdhëroi që ushtria e tij t’i ndalte veprimet, ndërsa u nënshkrua një marrëveshje për tërheqjen e trupave serbo-jugosllave nga Kosova. Në të hynë trupat e NATO-s, kurse krahina tashmë e lirë do të administrohej nga OKB-ja. Shqipëria me institucionet e saj qeveritare kishte luajtur rolin e saj në dobi të bashkëkombëseve të saj në Kosovë si gjatë krizës, ashtu edhe gjatë përgatitjes së forcave të UÇK-së për luftën e çlirimit të Kosovës.

[1] Shiko Jens Reuter: Optionen der internationalen Gemeinschaft zur Lösung der albanischen Frage. (Erstmalig erschienen in:Zur Problematik der Stabilisierung des Westbalkans. Hg. von der Landesverteidigungsakademie Wien und vom Militärwissenschaftlichen Büro. Wien 2000 (=Studien und Berichte zur Sicherheitspolitik 5/2000), S 55-75).

[2] Shih dhe Fred C . Abrahams, Shqipëria e Re, Dudaj, Tiranë, 2015, f.313.

[3] Po aty.

[4] Po aty.

[5] Halil Katana, Kadusi Lama – gjenerali i luftës, Tiranë, 2002.

[6] Reuter, f. 57.

[7] Fred C . Abrahams, f. 312.

[8] Abrahams, f. 326.

[9] Halil Katima, Kudusi Lama, gjenerali i luftës, Tiranë, 2002, f.304.

[10] Abrahams, f. 340

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emërimi i Nenad Rashiqit në pozitën e ministrit për Komunitete…