Në 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët në pozicionin më të mirë historik

08 qershor 2018 | 11:50

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”.

Presidenti Thaçi është shprehur i nderuar që ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të kësaj konference, 140 vjet pas Lidhjes Shqiptare e Prizrenit, të organizuar nga dy akademitë e shkencave, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.

I pari i vendit theksoi se në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, shoqëria shqiptare është në pozicionin më të mirë historik.

Presidenti Thaçi pohoi se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, në rrugë drejt anëtarësimit në BE, kurse shteti i Kosovës është konsoliduar si shtet, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar dhe tani në fokus ka objektivin e tretë, atë të integrimeve euroatlantike.

“Është koha që shkencëtarët ta studiojnë dhe vlerësojnë jo vetëm rilindjen tonë kombëtare, Lidhjen e Prizrenit, por të gjitha periudhat e historisë shqiptare me objektivitet shkencor të dijes bashkëkohore. Historia, e vërteta është një, e pakorrigjueshme, ndërsa historiografia duhet të shkruhet në përputhje me të vërtetën dhe të korrigjohet nga ndikimi ideologjik, censura dhe format e tjera”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se dy akademitë tona, 140 vjet pas Lidhjes së Prizrenit, mund të veprojnë në kushte shumë më të volitshme se në të gjitha kohët deri më tash, sepse më nuk ka as diktaturë, as robëri.

“Lidhja e Prizrenit ishte veprim dhe rezultat i situatës së re gjeopolitike që solli kriza lindore. Me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani, shumica e trojeve shqiptare, edhe ashtu të ndara në disa vilajete, u jepeshin shteteve fqinje. Ndërsa, në Kongresin e Berlinit, ku Fuqitë e Mëdha vendosnin pa e përfillur vullnetin e popullit shqiptar, ishte thelluar padrejtësia historike, me marrjen e vendimeve për implementimin e këtij copëtimi. Kështu, shqiptarët kërcënoheshin nga tri rreziqe: shpërbërja territoriale, asimilimi dhe zhdukja fizike”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se në këtë situatë të re, shqiptarët nuk ndenjën duarkryq.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Llapi po vazhdon konsolidimin për edicionin e ri. Dy përforcimet…