NE DHE AMERIKA

24 shkurt 2020 | 19:12

Kjo fazë delikate në të cilën ndodhen marrëdhëniet tona me Amerikën, kërkon më shumë vëmendje dhe zgjuarsi, por mbi të gjitha kërkon mendim publik, i cili do të ishte i dobishëm edhe për vendimmarrjen politike

Nga Mehmet PRISHTINA

Kornizat politike të mendimit publik në Kosovë janë ende të ngushta për të përballuar sfida të rënda që vijnë si rezultat i trysnive të ndryshme që vinë nga jashtë. Aktualisht Kosova po përballet me presionin për të hequr taksën 100%, ndërkohë që opinioni publik lidhur me këtë temë nuk ka ndërtuar ndonjë kauzë të veten. Lavjerrësi i mendimit publik lëviz varësisht nga disponimi politik që artikulojnë strukturat e caktuara partiake. Por, ende nuk e kemi një masë kritike, që do të ishte e pavarur nga politika e ditës, e që do të përfaqësohej kryesisht nga njerëz të pavarur dhe me autoritet të pakontestueshëm moral e njerëzor. Në mungesë të kësaj mase kritike, me sot kemi një mendim publik që gjykon bardh e zi, i cili nuk është rezultat i ndonjë analize paraprake, por më tepër është rrjedhojë e kontekstit politik.

Edhe presioni për heqjen e taksës 100% pa kushte që po kërkohet nga Qeveria Kurti, nuk ka ndonjë oponencë të mirëfilltë mendimi e veprimi qytetar. Kjo oponencë tani për tani vjen vetëm nga politika, por edhe ajo nuk është unike, kurse mungon totalisht mendimi i intelektualëve, i profesorëve universitarë, i akademikëve, i artistëve, i shkrimtarëve etj. Akademia e Shkencave dhe Arteve, bie fjala, nuk debaton fare për këto tema të ndjeshme, të cilat edhe pse janë të karakterit politik, ato megjithatë tangojnë interesat vitale të çdo qytetari. E ndodhur vetëm, pa një mendim përcjellës intelektual e profesional të shoqërisë, politika e ka vështirë të marrë qëndrime të prera, për arsye se ata që janë zgjedhur për të udhëhequr shtetin, kanë detyrim ndaj votuesve që t’i realizojnë objektivat programore, por edhe të tregojnë sens kooperativiteti me komunitetin ndërkombëtar. Një situatë e tillë delikate, e bën politikën më të vëmendshme në vendimmarrje, kurse pasojat janë më të mëdha nëse nuk analizohen të gjitha hapat që duhet të ndërmerren.

Në anën tjetër, intelektualët e fushave të ndryshme nuk e kanë këtë barrë përgjegjësie, prandaj edhe nuk janë të obliguar të mbajnë qëndrime luajaliste kundrejt një problematike të caktuar.
Si të shpjegohet ky indiferentizëm i elitës intelektuale e shkencore të Kosovës ndaj çështjeve të mprehta që bien mbi kurrizin e secilit dhe pse kjo elitë tregohet kaq e matur në shpalosjen e qëndrimeve publike?

Pse elita intelektuale e shkencore e Kosovës nuk po e shfaq mendimin e vet të hapur se çfarë qëndrimi duhet të mbaj Qeveria aktuale kundrejt presionit për heqjen taksës 100%?
Si të shpjegohet gjithë ky hezitim i akademikëve, i shkrimtarëve, i artistëve, të cilët po sillen sikur të ishin partizanë të dëgjueshëm të partive politike?

Një elitë e mirëfilltë intelektuale do të duhej t’ia sqarojë popullit natyrën e presioneve që vinë nga jashtë, qofshin ato edhe nga Amerika. Sepse një elitë e mirëfilltë sigurisht do të duhej të dijë të bëj dallimin në mes të Amerikës si shtet dhe si komb, dhe administratës së Presidentit, cili do qoftë ai.

Lidhja e përhershme emocionale me SHBA-të burimin e ka në konceptin liridashës të shqiptarëve për të çmuar mikun që të shpëton jetën në momentet më kritike.
Edhe atëherë, në vitin 1919, kur Presidenti Wilson vuri veto ndaj përfaqësuesve diplomatik në Konferencën e Paqes në Paris, për të shpëtuar tokat shqiptare nga copëtimi i mëtejmë, por edhe në vitin 1999, kur Presidenti Klinton bashkë me gjeneralin Clark dhe sekretaren e shtetit Ollbrajt, aktivizuan diplomacinë ndërkombëtare për ndërhyrje ushtarake ndaj makinës vrastare të Millosheviqit, shqiptarët e kishin besimin e palëkundur tek Amerika dhe kjo i bën ata shumëfish të përgjegjshëm ndaj çdo sugjerimi a kërkese që vjen nga Uashingtoni.
Kjo përgjegjësi nuk është aspak më e vogël edhe tani kur nga Qeveria Kurti po kërkohet heqja e taksës 100%, si parakusht për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, që do të duhej të përfundonte me një marrëveshje finale në me të dy shteteve.

Por çuditërisht kemi një heshtje totale nga shtresa intelektuale, së cilës po i mungon guximi për të shprehur publikisht qëndrimi e vet lidhur me këtë çështje. Kjo po ndodhë në kohën kur Kosova ka disa universitete publike e private, ka Akademi të Shkencave e Arteve, ka shoqata të artistëve shkrimtarëve, ka media e asociacione qytetare, të cilët njëzëri kanë zgjedhur heshtjen si metodë, kurse konformizmin si sjellje, që në fund të fundit tregon papjekurinë e mjaftueshme të kësaj shtrese shoqërore, e cila nuk e ka për detyrë të hesht, por të shprehë hapur mendimin, madje edhe atëherë kur dikujt nuk i pëlqen. Intelektualët duhet të shprehin ndonjë mendim edhe nëse nuk i pëlqen administratës Amerikane, sepse vetë Amerika është ngritur dhe zhvilluar mbi parimin e demokracisë së hapur dhe mendimit të lirë. Nëse ndjekim me vëmendje mediat amerikane, do të vërejmë se jo pak vendime të Presidentit Trump shoqërohen me kritika e mospajtime nga komunitetet e ndryshme të intelektualëve, juristëve, ekonomistëve, shkencëtarëve etj. Por, ky fakt nuk e bën më të dobët Amerikën. Përkundrazi, vetëm në Amerikë shteti është i fortë kur njerëzit i shprehin lirshëm mendimet e tyre pa u frikuar për pasojat që mund të kenë.

Nisur nga kjo logjikë, është shumë normale që të kërkojmë të njëjtin model të mendimit publik edhe te ne në Kosovë, ku njerëzit e fushave të ndryshme do të shprehnin pikëpamjet e tyre që jo gjithmonë janë në të njëjtat valë me qëndrimet e Presidentit Amerikan. Kjo assesi nuk e dobëson miqësinë tonë me Amerikën, por përkundrazi e bën më të qëndrueshme lidhshmërinë me SHBA ,e cila bazohet mbi respektimin e sovranitetit dhe dinjitetit të dyanshëm. Vetëm një Kosovë dinjitoze, e papërkulur ndaj presioneve të jashtme, është edhe një partner i sigurti i SHBA-ve në rajon, sepse shqiptarët dhe Kosova interesat e tyre jetike i kanë ngushtë të lidhura me SHBA-të. Ky është një fakt i mjaftueshëm për të kuptuar esencën e besnikërisë që kanë shqiptarët ndaj Amerikës, që në asnjë instancë nuk do të duhej të përkthehej si vasalitet.

Lufta disa shekullore e Kosovës për të fituar lirinë dhe pavarësinë, pati rëniet dhe ngritjet e veta, por në historinë më të re, është për t’u evidentuar kthesa që ndodhi në vitin 1999, kur kjo luftë shekullore u kurorëzua me çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Shqiptarët janë të vetëdijshëm se kjo kurorë do të mbetej nëpër muze, sikur të mos ishte dora e fortë e Amerikës e cila vulosi njëherë e përgjithmonë procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Edhe kjo fazë delikate në të cilën ndodhen marrëdhëniet tona me Amerikën, kërkon më shumë vëmendje dhe zgjuarsi, por mbi të gjitha kërkon mendim publik, i cili do të ishte i dobishëm edhe për vendimmarrjen politike.

Prishtinë, 24 shkurt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një arsimtar në shkollën “Rasim Kiçina” në Drenas, është xhiruar…