Në kërkim të formës

28 tetor 2022 | 08:48

Nga: Witold Gombrowicz (pjesë nga Ferdydurke)
Përktheu: Edlira Lloha

Gabimi juaj themelor është se arti lidhet me krijimin e veprave të përsosura nga forma; atë proces të pamatë dhe gjithënjerëzor të krijimit të formës e kufizoni vetëm te krijimi i poemave apo simfonive; e madje nuk jeni në gjendje të mësoni siç duhet t’u shpjegoni madje të tjerëve çfarë roli të pazakontë luan forma në jetën tonë. As ne psikologji nuk keni ditur t’i jepni formës vendin e duhur.

Si përherë, vazhdon t’ju duket se janë ndjenjat, idetë, instinktet që qeverisin sjelljen tonë, ndërsa formën jeni te prirë ta shihni si një shtojcë sipërfaqësore dhe dekor të rëndomtë. Dhe, kur vejusha që ecën pas arkëmortit të të shoqit qan me ngashërim, ju mendoni se ngashërimet e saj vijnë ngaqë e ka shumë të rëndë humbjen. Kur një inxhinier, mjek, apo avokat vret bashkëshorten, fëmijët, apo një mik, ju mendoni se nuk ka ditur t’u vërë fre instinkteve gjakësore. Ndërkohë që nëse një politikan flet gjepura, e merrni për budalla pasi ka thënë budallallëqe.

Por, në Realitet, çështja është si më poshtë: qenia njerëzore nuk shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në përputhje me natyrën e saj, por gjithnjë në një formë të caktuar dhe se pikërisht kjo formë, ky stil, kjo mënyrë jetese, nuk buron vetëm prej nesh, por na është diktuar nga jashtë dhe pikërisht për këtë arsye njeriu mund të na shfaqet i mençur, apo i mangët, gjakësor apo engjëllor, i pjekur apo i papjekur, në varësi të stilit që i ka rënë për hise apo të kushtëzimit nga njerëz të tjerë.

Dhe, nëse krimbat apo instinktet rropaten gjithë ditën në kërkim të ushqimit, ne endemi pa reshtur në kërkim të formës, i hidhemi njëri-tjetrit në grykë për stilin, për mënyrën tonë të jetesës dhe kudo e kurdo: kur udhëtojmë me tramvaj, kur hamë, kur dëfrehemi, kur çlodhemi, kur kujdesemi për biznesin, gjithnjë jemi në kërkim të formës dhe këndellemi prej saj, apo vuajmë prej saj, i përshtatemi asaj apo e përdhunojmë dhe e copëtojmë atë, e lejojmë formën të na krijojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Daut Dauti Kjo fotografi historike quhet “An American Girl…