Në opozitë ishte kundër, në pushtet Liburn Aliu lëshon leje për hidrocentral

15 janar 2024 | 08:14

Këto janë pamjet e lumit në “Grykën e Deçanit”. Në këtë gjendje atë dyshohet se e sollën hidrocentralet e ndërtuara në këtë zonë.

“Lumi këtu ka pasur ujë, këtu ka qenë livadh, ka qenë sikur park. Tërë kohën gjatë verës, njerëzit me fëmijë kanë ardhur këtu afër kësaj urës. Këtu kanë nejtë në livadh gjithmonë me fëmijë dhe të tjerë. Pas ndërtimit të hidrocentralit këtu është shkatërru dhe ka mbetë kështu sikur gërmadhë”, ka thënë Muharrem Lulaj, qytetar.

Ndërsa Egzona Shala nga Organizata “Ecoz” ka deklaruar se “fatkeqësisht uji keqpërdoret deri në atë masë sa që banorët mbesin pa ujë në pjesët e poshtme. Edhe uji për energji duhet të kategorizohet si i katërti, për arsye se fillimisht është uji për pije, për amvisëri, për bujqësi dhe mandej për energji. Këtu është problemi kryesor që hidrocentralet e cenojnë të drejtën e ujit të pijes duke e marrë për shfrytëzim për krijim të energjisë”.

Shkatërrimin e zonës nga hidrocentralet e kishte kundërshtuar për shumë vite edhe ministri i tanishëm i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Megjithatë, me ardhjen në pushtet, gjërat duket se kanë ndryshuar.

Në fund të vitit 2022, ministri Aliu ka lëshuar leje për hidrocentralin “Lumbardhi 1”, por kjo u bë publike tek së fundmi.

Sipas organizatave që e kanë monitoruar këtë proces, ai është takuar fshehurazi edhe me përfaqësues të kompanisë “Kelkos”, e cila ka ndërtuar disa hidrocentrale në Grykën e Deçanit.

“Brenga kryesore është që janë hapur diskutimet me kompaninë e “Kelkos-it”, kanë mbajtur edhe takime të mbyllura me ministrin Liburn Aliu, ne nuk kemi qenë të informuar, nuk kemi qenë të vetdijshëm që pas pesë viteve e më tutje luftë kundër hidrocentraleve, ministri po është në gjendje që ta hapë një diskutime me njërën prej kompanive”, ka shtuar Egzona Shala – Organizata “Ecoz”.

Për këtë çështje, tri organizata të shoqërisë civile i kanë ngritur padi ministrit.

Në padi theksohet se leja u lëshua pa një analizë paraprake mjedisore, si dhe pa u konsultuar me komunitetin.

Hidrocentrali “Lumbardhi 1”, ka disa dekada që është aktiv.

Kjo, sipas ministrit Liburn Aliu, ka qenë edhe arsyeja që i është lëshuar leja. Në një reagim të tij, ai ka mohuar akuzat se procedurat u zhvilluan fshehurazi.

Aliu, por as zyrtarë të tjerë të ministrisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Dukagjinit për këtë çështje.

Ndryshe ka vepruar kompania “Kelkos”, e cila në disa përgjigje për televizionin, ka theksuar se të gjitha hidrocentralet janë të ndërtuara me leje.

“Të gjitha lejet dhe licensat e nevojshme për funksionimin e hidrocentraleve, përfshirë Lumbardhi 1”, janë marrë në respektimin e rreptë të ligjeve në fuqi. Këtu përfshihen vlerësimet e ndikimit në mjedis, studimet para fizibilitetit për hidrocentralet e ndërtuara më vonë. Studimet janë kryer nga institucione të pavarura dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarisht në mbrojtjen e mjedisit”, ka thënë Nico Kollmann – Zyrtar për komunikim në “Kelkos”.

Sipas “Kelkos”, zona është vlerësuar detajisht në tërësi para se ndërtoheshin hidrocentralet.

Shkatërrimet e zonës, i ka përjetuar ndër vite edhe aktivisti nga Deçani, Adem Lushaj.

“Punimet të cilat janë kryer nga Kelkosi për ta ndërtuar hidrocentralin që është afër manastirit të Deçanit dhe prodhon veç për manastirin, duke e shkelë ligjin për zonat e veçanta, ajo është një mënyrë e shkatërrimit të grykës së Deçanit dhe natyrës në përgjithësi”, ka përfunduar Adem Lushaj – Aktivist në Deçan.

Kundër ndërtimit të hidrocentraleve në disa pjesë të Kosovës, është protestuar ndër vite. /Dukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koleksionuesi i mijëra videokasetave për krimet serbe, Esat Shala, është…