Në përkujtim të mikut tim Cenë Pushkolli

15 gusht 2020 | 10:20

Shkruan: Ahmet Pllana

E humba edhe një mik. E kisha mik të pandarë për 20 vite.

Me të kisha një bashkëpunim të mirë në të gjitha fushat, në zhvillimin e aktiviteteve, qoftë në botimin e librave, qoftë në nxjerrjen e disa medieve të shkruara dhe elektronike, qoftë në aktivitetet për çështjet kombëtare. Me të kisha një rrugëtim të përbashkët në synimet dhe idealet tona kombëtare.

Është ky miku im Cenë Pushkolli, gazetar, opinionist dhe drejtues i disa medieve të shkruara dhe elektronike. Ceni ndërroi jetë ditë më parë, pikërisht më 21 korrik 2020. Ai ishte shumë aktiv dhe i angazhuar deri në ditën e fundit të jetës së tij dhe nuk u ndalë asnjëherë. Ishte atdhetar i pashoq dhe veprimtar i çështjes kombëtare.

I ndjeri ia kushtoi tërë jetën profesionit të tij të zemrës, gazetarisë, por ndërkohë ishte i pasionuar edhe pas sportit, duke qenë pjesë e Klubit të Boksit “Prishtina” në Prishtinë, ku ka dhënë kontribut të çmueshëm. Madje, Pushkolli ishte mik i mirë me legjendën e boksit, Aziz Salihun, të cilin e kishte ndihmuar dhe ju kishte gjendur shumë kur “Zizi” ishte sëmurë disa vite më parë. Ceni ia kishte kushtuar edhe një libër boksierit më të madh shqiptar, të cilin e kishte titulluar “Kush është Aziz Salihu” (Të tjerët flasin për të). Pushkolli e donte gazetarinë dhe kishte një përvojë prej disa dekadash. Ai e ka shkruar librin për gazetarinë me titull “Njohuri rreth gazetarisë”.

Pushkolli e kishte ideuar dhe themeluar revistën mujore “Bashkimi Paqësor”. Gjithashtu, ishte njëri ndër themeluesit dhe kryeredaktori i parë i gazetës së përditshme “Pavarësia”. Ka qenë zëvendëskryeredaktor në gazetën dy javore “Tema” dhe ishte kryeredaktor i gazetës javore ”Opinion Plus”. I ndjeri ishte edhe pjesë e gazetës së përditshme “Rilindja” që botohej në Prishtinë, dhe më pas edhe i gazetës së përditshme “Bujku”.

Ai e themeloi dhe e udhëheqi Shoqatën Bëmirëse, Humanitare, Edukative dhe Kulturore “Bashkimi”, e cila ishte regjistruar ndër shoqatat e para në ish Jugosllavi, si dhe kishte themeluar Shoqatën Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (SHNDLNJ) me seli në Frankfurt të Gjermanisë, të cilën e njoftonte kohë pas kohe për shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Pushkolli ishte edhe veprimtar i çështjes kombëtare. Ai dha kontribut përmes shkrimeve të tij të shumta. Ishte njëri ndër themeluesit e Aleancës për Ribërjen e Shqipërisë Etnike. Janë të panumërta aktivitetet që i ka ideuar dhe organizuar Ceni, në rrugën e tij maratonike tw veprimtarit, organizatorit, artikullshkruesit dhe të intelektualit. Së bashku me Mustafë Vocën botuan tekste shkollore në kuadër të Entit të Teksteve dhe Mjeteve Shkollore. Ai ishte i angazhuar në fushën e shkrimeve, në organizimin e konferencave dhe simpoziumeve, takimeve të shumta me bashkatdhetarë në Evropë, SHBA, Turqi, Kanada, etj.

Pushkolli ishte njeri mjaft modest. Ishte njeri i dashur për të gjithë. Fliste pak, por punonte shumë. Cenë (Hamit) Pushkolli u lind në Prishtinë në vitin 1950. Kishte të përfunduar gazetarinë në Institutin e Gazetarisë në Degën: Gazetaria konsultative-diplomatike. Ai u varros në varrezat e kryeqytetit në Lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e Organizatës Botërore të…