Në Prishtinë u rinovuan gjashtë shkolla, këtë vit ndërtohen dy të reja dhe dy kopshte

11 maj 2020 | 08:20

Komuna e Prishtinës këtë vit ka në plan t’i ndërtojë dy shkolla, dy kopshte si dhe ta përshtatë një kopsht në fshatin Kolovicë ka treguar për Ekonomia Online, drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Shpresa Shala.

“Ne këtë vit kemi plane për ndërtimin e një shkolle profesionale dhe, gjithashtu, ndërtimin e Qendrën e Kompetencës me bashkëfinancim. Gjithashtu, do ta fillojmë edhe ndërtimin e dy kopshteve dhe adaptimin e një kopshti në fshatin Kolovicë për fëmijët e atij fshati”.

Ajo është shprehur se kjo periudhë e mësimit në distancë ka shërbyer që të rinovohen gjashtë shkolla dhe të intervenohet në rregullimin e inventarit.

“Kjo kohë ka shërbyer pozitivisht për renovimet. Ne i kemi shfrytëzuar kontratat të cilat i kemi pasur aktive me buxhetin e vitit 2019 dhe tash jemi i rinovuar 6 shkolla, jemi duke bërë gëlqerosje, jemi duke rinovuar nxehjet qendrore dhe duke i bërë të gjitha punët me të gjitha kontratat të cilat i kemi aktive.

Disa ditë kemi pasur pengesa për shkak të ndalesave nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShP-ja, mirëpo tani jemi duke punuar me kapacitete të plota”, ka thënë Shala.

Ai ka treguar se mësimi në distancë është duke u zhvilluar pa probleme dhe se janë në komunikim të vazhdueshëm me mësimdhënësit, ku mbi 90 % e nxënësve janë duke ndjekur mësimin online.

“Sapo Ministria e Arsimit ka filluar shfaqjen e mësimeve online në RTK, neve si komunë na është dashur ta organizojmë komunikimin e mësimdhënësve me nxënës dhe pjesën e vlerësimit gjithashtu, pasi nuk mund të konsiderojmë se viti ka humbur dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale që t’i monitorojmë shkollat dhe t’i udhëzojmë se si duhet të punojnë me nxënësit me mësimin në distancë.

Konsideroj se është diçka e re për neve, mirëpo shumë shpejt edhe mësimdhënësit u janë përgjigjur pozitivisht kësaj situate dhe janë duke komunikuar për çdo ditë me nxënësit, janë duke bërë vlerësime, janë duke i përcjellë për detyrat e shtëpisë. Mësimi në distancë është duke u zhvilluar mbi 90 % të nxënësve të përfshirë”, ka thënë Shala

Ajo ka bërë me dije se mbajtja apo jo e testit të maturës është vendim që i takon Ministrisë së Arsimit, por që mund të jetë e padrejtë ndaj nxënësve dhe mund të ndikojë në pranimin e tyre nëpër fakultete.

“I përket Ministrisë së Arsimit që të marrë vendim për mbajtjen e testit të maturës apo jo. Nëse nuk do të mbahet, do të ketë probleme për regjistrimin e tyre në fakultete apo për semimaturën e shkollave të mesme”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arbër Vokrri, asamblist në Komunën e Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje…