Në rrethanat aktuale Kosova ka nevojë për institucione stabile dhe të fuqishme

04 korrik 2020 | 22:17

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se situata në vendin tonë është tjetër nga ajo që ishte para datës 24 qershor, kur Dhomat e Veçanta në Hagë lëshuan një lajmërim të pashembullt se kanë propozuar aktakuzë kundër Thaçit dhe Veselit.

Ai thotë se Kosova tashme ka hyrë në një gjendje me shumë të panjohura.

Mustafa ka pohuar se themelet e pavarësisë së Kosovës janë vënë me luftën e UÇK-së, politikën vizionare të Ibrahim Rugovës dhe LDK-së si dhe me intervenimin e NATO-s për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga zhbërja dhe deportimi.

Ai ka thënë se në këto rrethana Kosova ka nevojë të sigurojë institucione stabile dhe të fuqishme.

“Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij”, ka thënë lideri i LDK-së Isa Mustafa.

Deklarata e plotë e Mustafës e postuar në llogarinë e vet në “Facebook”:

Të nderuar miq

Po e postoj tekstin e plotë, të cilin sot ia dhashë gazetarit të KTV-së:

Jam i bindur se situata në vendin tonë është tjetër nga ajo që ishte para datës 24 qershor, kur Dhomat e Veçanta në Hagë lëshuan një lajmërim të pashembullt se kanë propozuar aktakuzë kundër z. Thaçi, President i Kosovës dhe z. Veseli, Kryetar i PDK-së. Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë por të të gjitha institucioneve të vendit. Parasëgjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës.

Krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit sikurse edhe dhunime dhe gjenocid në Kosovë kanë kryer forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Për fat të keq, paralajmërimi i Prokurorisë së Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale flet për një betejë të gjatë të Kosovës me Serbinë, jo vetëm për tu gjykuar individë por për tu mbrojtur e vërteta historike.

Në këtë betejë duhet të jemi bashk, të gjithë ne në Kosovë. Themelet e pavarësisë së Kosovës janë vënë me luftën e UÇK-së, politikën vizionare të Ibrahim Rugovës dhe LDK-së si dhe me intervenimin e NATO-s për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga zhbërja dhe deportimi.

Ne këto rrethana Kosova ka nevojë të sigurojë institucione stabile dhe të fuqishme, të mbështesë institucionet  e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, një drejtësie të pavarur dhe të pandikuar, sikurse edhe të mbështesë njerëzit e saj që ballafaqohen me drejtësinë deri në përfundimin e saj, sepse deri atëherë fajësia e tyre është vetëm e presypozuar.

Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij.

Ata që Kosovë e duan si fushë të gladiatorëve, nuk besoj se ia duan të mirën këtij vendi.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, së bashku me bashkëshorten e…