Në UPZ u hap Biblioteka Austriake me mbi 2 000 tituj të librave

13 maj 2019 | 15:34

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të hënën është bërë hapja e Bibliotekës Austriake (Këndit Austriak), me mbi 2 000 tituj të librave në gjuhën gjermane.

Në hapjen solemne të bibliotekës kanë marr pjesë ushtruesi i detyrës së rektorit të UPZ-së, prof. asoc. dr. Ismet Temaj, dekani i Fakultetit të Filologjisë prof. asoc. dr. Shkëlqim Millaku, ambasadori i Austrisë në Kosovë mag. Gernot Pfandler, lektorja në UPZ nga OeAD, mag. Martina Drescher, mag. Andreas Kurz, zyrtar i programeve në OeAD, mag. Peter Schinnerl, nga KFOR-i austriak si dhe profesorë e studentët të UPZ-së.

Me këtë rast ambasadori Pfandler ka theksuar se kjo bibliotekë është një sinjal për të gjithë studentët e rajonit të Prizrenit të cilët mësojnë gjermanishten, dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e suksesshëm të këtij projekti, duke uruar që kjo bibliotekë të jetë për shumë studentë dhe për shumë vite një vend ndihme dhe inspirimi.

Në veçanti ai ka falënderuar lektoren austriake Martina Drescher për punën e bërë në grumbullimin e këtyre librave nëpër Austri, KFOR-in austriak për transportin dhe rektorin Temaj për mbështetjen e dhënë në hapjen e kësaj Biblioteke në UPZ.

Ushtruesi i detyrës së rektorit Temaj ka theksuar se hapja e kësaj biblioteke është një lajm i mirë për studentët e UPZ-së, për realizimin e së cilës ka falënderuar ambasadorin austriak, lektoren Drescher, KFOR-in austriak dhe të gjithë ata që kanë kontribuar.

Ai ka shtuar se shteti dhe populli austriak kanë mbështetur shtetin dhe popullin e Kosovës në shumë aspekte, ndërsa hapja e kësaj biblioteke do të jetë një urë lidhëse mes studentëve e profesorëve të UPZ-së dhe Austrisë.

Po ashtu, lektorja në UPZ nga OeAD, mag. Martina Drescher, mag. Andreas Kurz, zyrtar i programeve në OeAD dhe mag. Peter Schinnerl, nga KFOR-i austriak përshëndetjen hapjen e kësaj biblioteke dhe theksuan se për ata ka qenë një nder që kanë pasur mundësinë që të ndihmojnë UPZ-në dhe studentët e gjermanishtes.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e…