Në vitin që lamë pas, Kuvendi i Kosovës me performancën më të dobët

01 janar 2021 | 14:46

Legjislatura e vitit 2020 do të mbahet mend si më e dobëta për numrin e ligjeve të miratuara dhe për faktin se janë ndërruar dy qeveri, si dhe ka vepruar në rrethana të jashtëzakonshme, shkak situata pandemike e shkaktuar nga COVID-19.

Kështu kanë vlerësuar monitoruesit e Kuvendit të Kosovës, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Albert Krasniqi nga Demokraci plus (D+).

Cakolli ka vlerësuar se kjo legjislaturë është më e dobëta që e ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës.

“Kjo është një prej legjislaturave më të dobëta që kemi pasur ndonjëherë, si nga aspekti i përmbushjes së agjendës legjislative ashtu dhe nga aspekti i ekzekutivit dhe përfaqësimit të qytetarëve. Kjo legjislaturë do të mbahet mend për faktin se janë ndërruar dy qeveri brenda një viti”, ka thënë ai për Telegraf.

Edhe Albert Krasniqi nga D+, ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2020 ka vepruar në rrethana të jashtëzakonshme.

“Përveç këtyre, edhe gjatë kohës së Qeverisë Hoti, mazhoranca në Kuvend nuk ishte stabile dhe nuk kishte aftësinë për të miratuar ligjet të cilat buronin direkt nga programi i qeverisë”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi ka deklaruar se  Kuvendi u dëmtua edhe për nga kualiteti i përfaqësimit të deputetëve. “Zgjedhja e dy qeverive brenda një viti, bëri që disa prej deputetëve të cilët ishin në mesin e më të votuarve të kalonin në ekzekutiv dhe të zëvendësohen nga deputetë më pak të votuar. Polarizimi që i ndodhi skenës politike pas mocionit ndaj qeverisë Kurti, kontestimi i legjitimitetit të qeverisë Hoti nga një pjesë e opozitës, mos bashkëpunimi ndërmjet partive opozitare, si dhe mospajtimet brenda koalicionit qeverisës, kanë bërë që të degradohet debati në Kuvend, të dëmtohet funksionaliteti dhe të minohet besimi i publikut në këtë institucion”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një mesazh me rastin e Vitit të Ri, Presidenti…