Nënshkruhet marrëveshja për bashkëfinancim të projektit të rrugës Tetovë – Prizren

12 janar 2024 | 13:10

Kosova dhe Maqedonia e Veriut të premten kanë nënshkruar projektin për bashkëfinancim e projektit për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.

Dokumentin e kanë nënshkruar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe nga zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjes së Maqedonisë së Veriut, Bekim Rexhepi.

Marrëveshja është nënshkruar në prani të ministrit maqedonas, Blagoj Bochvarski, si dhe zëvendësministrit Hysen Durmishi.

Rexhepi ka thënë se kësaj marrëveshje i kanë paraprirë disa takime të grupeve të të dyja shteteve dhe se kanë gjetur një zgjidhje optimale se kah duhet të kalojë kjo rrugë.

“Sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës sepse po fillojmë një kapitull të ri të zgjerimit të rrjetit rrugor të lidhjes rajonale. Kisha nderin që së bashku me ministrin Aliu të nënshkruaj marrëveshjen për bashkëfinancimin, kompletimin dhe ndërtimin e tunelit në drejtimin e aksit rrugor Tetovë-Prizren. Kësaj marrëveshje ndërshtetërore i kanë paraprirë një sërë takimesh të grupeve të punës nga të dyja vendet, të cilat i falënderoj sepse gjetën zgjidhjen më optimale për këtë projekt. Në bazë të studimit të fizibilitetit nga ana jonë janë ofruar opsione të ndryshme për zgjedhjen e trasesë së rrugës Tetovë-Prizren dhe e pranueshme për të dyja vendet ishte traseja në ndërtimin e tunelit 6.4 km të gjatë. Traseja e rrugës së re fillon në Tetovë përmes Kodrës së Diellit, Brodecit dhe përfundon në vendbanimin Veshallë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Rexhepi.

Më tutje, ai ka thënë se është edhe në të mirën e turizmit në Maqedoninë e Veriut meqë rruga kalon edhe kah “Kodra e Diellit”, e cila është qendër turistike.

Ndërsa ministri Liburn Aliu, ka thënë se kjo rrugë ka rëndësi edhe rajonale dhe nuk po bëhet vetëm që të lidhë Prizrenin me Tetovën.

“Është një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme që s’e lidh vetëm Prizrenin me Tetovë, por edhe me autostradën ‘Ibrahim Rugova’ që e lidh Prishtinën me Durrësin e Tiranën, rrjedhimisht krijon mundësi të kyçjeve nëpër korridore dhe më gjerë në nivel të rajonit”, ka thënë Aliu. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stefano Pioli i Milanit dhe Jose Mourinho i Romës janë…