Nënshkruhet marrëveshja për rregullimin e lumit Sitnica

30 gusht 2018 | 11:23

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mirëpritur të enjten në një takim bashkëpunëtorin kryesor të Ambasadës së Francës, Joseph Giustiani, me të cilin ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi lidhur me menaxhimin e Lumit Sitnica.

Me këtë marrëveshje parashihet përmirësimi i praktikave dhe i politikave regjionale të menaxhimit të ujërave në pellgun e lumit Sitnica dhe atij të lumit Loire, përmes këmbimit të njohurive dhe praktikave të mira.

Ky bashkëpunim synon gjithashtu arritjen e objektivave të kërkuara nga Direktiva Kornizë Evropiane për Ujërat (2000), Ligji francez për Ujërat dhe Mjediset Ujore (2006) dhe Ligji për Ujërat e Kosovës (2013).

Kryetari Bahtiri ka falënderuar për iniciativën e këtij projekti, sidomos kur bëhet fjalë për lumin Sitnica i cili nganjëherë shkakton dëme të mëdha kur ka reshje të mëdha shiu.

“Çdo projekt që ka të bëjë me normalizimin e lumit Sitnica do të jetë i mirëseardhur për komunën e Mitrovicës”, është shprehur Bahtiri.

Vlen të theksohet ky bashkëpunim mundëson aplikimin në partneritet për thirrjet për aplikim në tenderimet evropiane rreth kësaj tematike.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Salihe Salihu - PhD dhe veprimtare Poeti Fehmi Pireva ka…