Nënshkruhet memorandumi për regjistrimin e popullsisë

27 mars 2019 | 16:32

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, të mërkurën ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve – UNOPS për regjistrimin e popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë.

Ky projekt pritet të fillojë në vitin 2021 dhe do të implementohet nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK).

Me rastin e nënshkrimit të memorandumit, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se ky proces është me rëndësi kapitale, prandaj duhet një angazhim i të gjithëve që të realizohet me profesionalizëm të lartë dhe sipas standardeve ndërkombëtare në mënyrë që të jetë kredibil si në aspektin nacional po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Sipas memorandumit të nënshkruar, Agjencia e Statistikave të Kosovës si bartës i projektit do ta zbatojë projektin në bashkëpunim të ngushtë me UNOPS-in, i cili do të menaxhojë me fondin e krijuar për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve të projektit.

“Fondi do të menaxhohet si program, gjegjësisht Multi Partner Fund, në të cilin, krahas Qeverisë së Kosovës, do të bashkohen edhe partnerë dhe donatorë të tjerë potencial ndërkombëtarë, siç janë: Zyra e BE-së, Sëiss Development Cooperation, Qeveria e Gjermanisë, Qeveria e Suedisë – SIDA, Qeveria e Norvegjisë, Luksemburgut, Danimarkës, si dhe përfaqësitë e qeverive tjera dhe donatorët tjerë në Kosovë”, është shprehur Hoxhaj.

Projekti do të qeveriset përmes Bordit të Projektit, gjegjësisht Komitetit Drejtues, anëtarë të të cilit do të ishin të gjithë pjesëmarrësit në fond.

Qeveria e Kosovës do të financojë 40 për qind të projektit, kurse partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë 60 për qind.

“Zyra ime në bashkëpunim të ngushtë me ASK-në dhe UNOPS-in do të bëjnë përpjekje të përbashkëta për sigurimin e mjeteve të nevojshme për implementimin e suksesshëm dhe pa pengesa të projektit”, ka deklaruar Hoxhaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar të…