Presidenti Thaçi: Kosova të ardhmen e sheh në NATO dhe BE

27 mars 2019 | 16:30

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar të mërkurën deputetin e Parlamentit të Kanadasë, Borys Wrzesnewskyj, njëherësh kryesues i Asociacionit parlamentar të NATO-s në Kanada, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e Kosovës dhe Kanadasë, veçanërisht në sektorin e sigurisë.

Thaçi është shprehur i kënaqur që Kosova dhe Kanadaja këtë vit shënojnë 10-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve, derisa e ka falënderuar deputetin Wrzesnewskyj për përkrahjen e vazhdueshme që Kanadaja i ka dhënë Kosovës.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen që na keni dhënë në të gjitha fazat. Tani po punojmë për forcimin e paqes dhe për stabilitetin e qëndrueshëm”.

“Është njësoj e rëndësishme të përkrahet Kosova edhe tani, veçanërisht në përpjekjet për të arritur marrëveshjen e përhershme paqësore me Serbinë dhe në transformimin e FSK-së në forcë të gatshme për t’u bërë anëtare e NATO-s”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se “Kosova është e qartë se të ardhmen e sheh në NATO dhe BE”.

Ndërsa, deputeti Wrzesnewskyj, ka thënë se e njeh mirë rrugën e vështirë dhe tragjike të Kosovës dhe se e kupton rëndësinë e sigurisë së përgjithshme.

“Është inkurajues zhvillimi i deritashëm i Kosovës në përgjithësi dhe zhvillimi i FSK-së në veçanti”, ka thënë ai.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi Komunal i Drenasit, me propozim të kryetarit Ramiz Lladrovci…