Nëse s’i hapin xhamitë, fitër bajramin mendojnë ta falin në një vend publik
Kosova nesër, më 18 maj, do ta nisë fazën e dytë të lehtësimit të masave. Edhe pse do të hapen disa biznese, në këtë fazë nuk parashihet edhe hapja e xhamive. Prandaj besimtarët myslimanë kanë nisur nënshkrimin e një peticioni online, me anë të të cilit po kërkojnë që në këtë fazë të hapen edhe xhamitë.
Peticioni i drejtohet Bashkësisë Islame që të reagojë për vendimin e moshapjes së xhamive, ndërsa për pak orë është nënshkruar nga 4 000 qytetarë. “Kërkesë për hapjen e dyerve të xhamive për besimtarët myslimanë. BIK, tani është radha juaj”, shkruan në peticionin online të nisur nga e shtuna.
Përmes tij kërkohet reagimi i BIK-së që të dihet se kur mendohet të hapen xhamitë. “Mosçelja e dyerve të Shtëpive të Zotit në tokë, po shoqërohet gjithashtu edhe me mungesën totale të një prononcimi nga drejtuesit e BIK, se kur mendohet se do të hapen xhamitë në vend, nëse ka një studim hap pas hapi të situatës dhe ajo që është më e rëndësishmja”, thuhet në tekstin e peticionit.
Në anën tjetër, sekretari i BIK-së, Ahmet Sadriu, në një intervistë për Zërin ka thënë se në rast se nuk do të bëhet hapja e xhamive deri në festën e Fitër Bajramit, nuk përjashtohet mundësia që namazi i bajramit të falet edhe në hapësira publike. “Ne planifikojmë të kemi falje të bajramit. Ndoshta do të dalim diku në publik, në natyrë apo shesh. Për këtë do ta njoftojmë opinionin me kohë, por ende nuk kemi vendosur diçka të veçantë”, ka thënë Sadriu.



