Nesër bëhen dy vjet që mbahen në paraburgim ish-krerët e UÇK-së

04 nëntor 2022 | 08:58

Në Dhomat e Specializuara, në Hagë, sot mbahet konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin Thaçi dhe të tjerët. Të njëjtit janë arrestuar para dy vitesh.

Procesi gjyqësor në këtë rast pritet të nisë në pjesën e parë të vitit 2023, thonë nga Specialja. Ndërkaq, profesori universitar, Arsim Bajrami, thotë se në procedurën e deritanishme në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, ka pasur shkelje ligjore.

Nesër bëhen dy vite prej kur mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara, në Hagë, ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Koha e fillimit të gjykimit akoma nuk dihet, por, kjo mund të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, thonë për Radio Kosovën nga Specialja.

“Gjykatësi i procedurës paraprake ka caktuar disa afate por deri më tani ai nuk ka caktuar një datë të saktë se kur synon t’ia kalojë dosjen e çështjes trupit gjykues. Vetëm pasi ta bëjë këtë, do të dimë saktësisht se kur mund të fillojë gjykimi. Megjithatë, gjykatësi i Procedurës paraprake ka parashikuar që dosja e çështjes mund të jetë gati për t’ia kaluar trupit gjykues deri në fund të vitit, që do të thotë se gjykimi mund të fillojë gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun të Dhomave të Specializuara, të pyetur nëse procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët a do të fillojë gjatë këtij viti. 

Në lidhje me këtë rast, që planifikohet të zgjasë me vite, profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se Specialja gjatë procedurës së deritanishme ka shkelur dispozita ligjore vendore e ndërkombëtar.

“Tani po bëhen më shumë se 7 vite prej kur është themeluar kjo gjykatë. Po bëhen edhe dy vite prej kur mbahen në arrest krerët e UÇK-së dhe akoma nuk kemi një fillim të procesit gjyqësor, por aq më tepër gjatë procedurës ka pasur shkelje të rënda të dispozitave ligjore të Kosovës por edhe të konventave ndërkombëtare”, tha ai.

Bajrami thekson tri nga shkeljet më të rënda, dhe thotë se janë serike. 

“E para, vazhdimi i paraburgimit që është një masë që sipas ligjit më së shumti mund të jetë në fuqi një vjet, e në këtë rast po bëhen dy vite dhe po vazhdon paraburgimi.

Refuzimi serik i kërkesave për përfundimin e paraburgimit me të njëjtin arsyetim, për gjoja tendencën e ikjes nga gjykimi, çka nuk është e vërtetë. Dhe e treta, mos klasifikimi i provave dhe mungesa e  një agjende të saktë për fillimin e gjykimit”, tha Bajrami. 

Në lidhje me rastin Thaçi dhe të tjerët, në Kosovë, prej kohësh kanë vërejtje për punën e Gjykatës Speciales, e në Dhomat e Specializuara në Hagë sot, nga ora 13:30 mbahet konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme…