Nesër dhe pasnesër repriza e shfaqjes “Bryma e vdekjes”

15 prill 12:24

Repriza e shfaqjes së dramës “Bryma e vdekjes”, nën regji të Burbuqe Berishës, për herë të dytë dhe të tretë, pas reprizës, do të rishfaqet nesër dhe pasnesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës në orën 20.00. S

ipas dramaturgut Milazim Krasniqi, kjo dramë ka qenë e ngulitur në mendjen e tij para se të bëhej tekst dramatik, sepse ngjarjet e dramës i ka përjetuar vetë autori gjatë qëndrimit në kampin e Bllacës, në të cilin qytetarët e Kosovës, të shpërngulur nga vendlindja, ishin dëbuar dhe mbledhur nga forcat serbe aty, duke pritur dikush prej tyre vdekjen, dikush tjetër shpëtimin nëpërmjet migrimit.

Krasniqi për këtë dramë, në një status në llogarinë e vet në “Facebook”, shkruan: “Drama ‘Bryma e vdekjes’ ka qenë e ngulitur në mendjen time para se të shndërrohej në tekst, si përvojë jetësore, si traumë.

Një polici që ishte cinik përballë turmës së dërrmuar në kampin e Bllacës, i pata thënë se do t’ju përjetësoj turpin për atë që po bënin, pasi atë vend e patën shndërruar në një kamp përqendrimi.

Në atë çast ajo që po më ndodhte mua dhe gjithë asaj turme më është dukur se një skenë teatri, në të cilën luhej një tragjedi. Pak a shumë ashtu ka ndodhur edhe në kohën e Eskilit dhe me vetë Eskilin: ai i përjetoi misteret e tempullit të Eleuzinës, mandej atë përvojë e shndërroi në teatër.

Raporti ndërmjet jetës konkrete dhe artit, teatrit në veçanti, është lehtësisht i identifikueshëm. Megjithatë, për t’u shndërruar shenjat e jetës konkrete në vlera artistike, duhet të kalojnë nëpër një proces transponimi artistik. Përvoja ime, trauma ime me Bllacën, ka kaluar nëpër atë proces, duke marrë vetëm disa shenja prej realitetit e duke e krijuar një realitet që funksionon me logjikën e artit.

Në këtë kontekst, drama ‘Bryma e vdekjes’ pasohet edhe nga dramat ‘Një Antigonë e re’ dhe ‘Kësulëkuqja e shekujve’, me të cilat bëjnë një trilogji, me çka kam ndjekur idenë e tragjedisë antike greke, që konstitutohej si trilogji. Por, drama ‘Bryma e vdekjes’ funksionon edhe si vepër me vete, ashtu si ka ardhur në këtë repertor, për ta provokuar kërshërinë dhe shijen tuaj.

Uroj të lini duartrokitje, e jo lot, në ballafaqim me këtë përvojë artistike. Dhe ta merrni me vete mesazhin se një tragjedi jetësore, pra edhe ajo e kampit të Bllacës, mund të shndërrohet në vlerë afatgjatë kombëtare dhe morale vetëm nëse rikuptimësohet dhe përjetësohet edhe në art”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava,…