Nesër dihet ‘fati’ i kandidatëve për kryetar në komunat e veriut

22 prill 2019 | 15:02

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nesër ( e martë) do të vendos rreth subjekteve politike dhe kandidatëve për kryetar që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në katër komunat e veriut.

Anëtarët e KQZ-së, në mbledhjen e fundit kanë kërkuar që të shikohet me kujdes i gjithë aplikacioni i Listës Serbe, dhe kandidatëve të saj, të cilët edhe pse kanë dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarëve në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të njëjtit kanë aplikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 19 maj.

Ata madje kanë ngritur shqetësimin e kandidimit nga të dorëhequrit, duke kërkuar që të shikohen pjesa ligjore dhe kushtetuese e këtyre kritereve të përcaktuara me ligj.

Nesër fillimisht do të prezantohen rekomandimet nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike, ndërsa, më pas i mbetet anëtarëve të KQZ-së që të vendosin për subjektet politike apo kandidatët që mund të marrinë ose jo pjesë në zgjedhje.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një intervistë për “Kosovapress”, ka thënë se Zyra për Regjistrim të Partive Politike, është në përgatitje të rekomandimeve.

Por edhe pse certifikimi nuk është bërë sot, ashtu edhe siç ishte paraparë, Elezi është shprehur i bindur se nuk do të ketë ndonjë ndikim në afatet tjera, të cilat janë të miratuara me planin operacional nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Nga data 9 prill ka filluar edhe afati për dorëzimin e kërkesave për akreditim të vëzhguesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, mirëpo, ende askush nuk ka aplikuar për të vëzhguar këto zgjedhje.

Valmir Elezi ka inkurajuar të gjitha subjektet politike dhe organizatat për të aplikuar si vëzhgues, për pjesëmarrje gjatë procesit zgjedhor dhe numërimit të votave.

Ai mes tjerash ka thënë se KQZ-ja është duke kryer të gjitha përgatitjet në bazë të planifikimeve, duke thënë se janë të gatshëm për këto zgjedhje të cilat do të mbahen më 19 maj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para pak ditësh ka shpallur zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të Mitrovicës, që kishin dhënë dorëheqje, pasi në Qeveri të Kosovës ishte marrë vendimi për taksën prej 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.

Në këto zgjedhe përveç Listës Serbe do të marrë pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oriola Marashi shquhet për jetë luksoze e shëtitjet e shumta…