Nesër fillon vaksinimi masiv i qytetarëve të Mitrovicës, Bahtiri bën thirrje për vaksinim

14 qershor 2021 | 14:15

Nën udhëheqjen e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku tema kryesore për diskutim ishin organizimi i dëgjimit publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore dhe planifikimi për vaksinimin masiv të qytetarëve të Mitrovicës që nga data 15 qershor 2021.

Fillimisht drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar bordin lidhur me organizimin e dëgjimit publik me qytetarë për Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitet 2022-2024, i cili do të mbahet nesër me datë 15.06.2021, duke filluar nga ora 14:00.

Ndërsa drejtoresha për Shëndetësi, Erseka Hasanaj Barani, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që nesër me datë 15 qershor të filloj vaksinimi masiv i qytetarëve në bazë të kritereve për vaksinim, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, që do të bëhet nga 12 ekipe të vaksinimit të QKMF-së.

Ajo ka potencuar se vaksinimi do të bëhet tek personat e moshës 18 e lartë (me sëmundje kronike).

“Vaksinimi do të bëhet nga e hëna deri të premten, nga ora 07:00-19:00, ku pas vaksinimit stafi shëndetësor do të përcjell gjendjen e pacientit për 5-7 minuta. Dhe po ashtu QKMF-ja kanë vendosur edhe një numër kontaktues për çfarëdo informate që u duhet qytetarëve. Ndërsa sa i përket termineve për marrjen e vaksinës janë të obligueshme, dhe duhet të bëhen në platformën elektronike në https://ekosova.rks-gov.net”, ka theksuar drejtoresha Barani.

Me këtë rast, kryetari Agim Bahtiri, ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të kryejnë vaksinimin, sepse është e vetmja mënyrë për ta mundur virusin Covid-19.

Gjithashtu Bordi ka diskutuar edhe një sërë temash që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve, ku pati edhe propozime të ndryshme që kanë të bëjnë me rregullimin më të mirë të funksionimit në secilën drejtori dhe rritjen e kualitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aktore, të cilës i kanë hequr katër brinjë, ka…