Nesër në orën 11:00, Kurti merr mandatin

03 shkurt 2020 | 21:27
Kryeministri i ri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se qeveria e tij do të jetë në shërbim të Kosovës.

Kurti, teksa po dilte nga Kuvendi i Kosovës, tha se pasi ka marrë postin e kryeministrit do të shkojë fillimisht në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje për të takuar aktivistët e kësaj partie.

Ai madje njoftoi se këtë post do ta marrë edhe zyrtarisht nesër në orën 11:00, kur do të bëhet dorëzim-pranimi nga ish-zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli.

“Ne e kemi përmbushur obligimin kushtetues dhe nuk kemi koalicion me Listën Serbe, por në qeverinë e Republikës së Kosovës nuk do ketë LVV-LDK-NDS-LS, aty do jemi në shërbim të Republikës sonë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit dhe sipas programit tonë të dakorduar. Nesër diku në orën 11:00 do ta kemi pranim-dorëzimin në kryeministri dhe më pastaj edhe në ministri përkatëse dhe do kemi edhe një mbledhje ceremoniale të parë të qeverisë së re”, tha ai, raporton KSP.

I pyetur rreth zgjedhjes në krye të Ministrisë së Brendshme të Agim Veliut, Kurti nuk dha shumë komente, por që u shpreh se ky ka qenë rezultat i zgjedhjeve dhe vendim i organeve të subjekteve politike.

“Unë nuk mund të them se mënyrë e duhur e mirë apo e mençur mund të jetë që të kthejmë kokën prapa. Ai ka qenë rezultati zgjedhor në njërën anë dhe në anën tjetër ky është vendimi i organeve të subjekteve tona politike. Pra, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vendosur për ministra që i kanë konsideruar meritorë. Ne ende nuk i kemi vendosur emrat për zëvendësministra, do ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur këtë gjë dhe unë sot kam shumë punë përpara për të zbatuar programin e dakorduar, shumë shpejt na duhet ta sjellim edhe Projektligjin për buxhetin 2020”, tha ai.

Lidhur me kritikat dhe akuzat e shumta që sot opozita i adresoi karshi Kurtit, ky i fundit tha se nuk do t’ua kthejë njësoj pasi synon të ketë një skenë politike të bashkuar.

“Unë kurrë nuk do t’ua kthej njësoj, dua që tash të bashkohet sa më shumë skena jonë politike për punët e mëdha që na presin edhe për shtet-ndërtim demokratik edhe për zhvillim ekonomik”, u shpreh Kurti.

Në një seancë plenare sot Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës me 66 vota pro dhe 10 abstenime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zgjedhjen e Albin Kurit, kryeministër i Kosovës e uruan ambasadorët…