Nesër protestojnë shërbyesit civil dhe punonjësit e administratës shtetërore

25 nëntor 2021 | 20:49

Sindikata e Shërbyesve Civil të Kosovës dhe Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës kanë njoftuar se nesër do të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Sipas komunikatës për medie, ata po protestojnë për shkak të injorimit që po i bën Qeveria e Kosovës kërkesave të tyre.

“Kryesitë ekzekutive të SSHCK-së dhe SPAK-ut në mbledhjet e mbajtura më datën 19.11.2021 vlerësojnë gjendjen e nëpunësve civil në mbarë Administratën Publike të Kosovës dhe pas presionit të anëtarësisë së gjerë lidhur me injorimin nga ana e Qeverisë së Kosovës në realizimin e kërkesave thelbësore”, thuhet në komunikatë.

Tutje ata kanë theksuar se kërkesa të tyre janë: Ligji i Pagave, buxhetimi i mjeteve për implementimin e ligjit të pagave në ligjin për buxhet për vitin 2022, marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, Sigurimi Shëndetësor, njohja e përvojës së punës të gjithë zyrtarëve publik – SHC të dëbuar padrejtësisht dhe me dhunë nga puna gjatë viteve të 90-ta, caktimi i pagës minimale si dhe tendenca për frikësimin dhe politizimin e Shërbimit Civil përmes plotësim ndryshimit të ligjit për zyrtarët publik.

“Qeveria e Kosovës nuk është duke shprehur gatishmëri të plotë për të diskutuar lidhur me këto kërkesa substanciale të adresuara nga SSHCK- ja dhe SPAK-u”, thuhet në komunikatë.

“Andaj, konform Ligjit mbi Organizimin Sindikal në Kosovë Nr. 04/L-011, si dhe Ligjit për Tubimet Publike Nr. 03/L-118 Sindikata e Shërbimit Civil e Kosovës si dhe Sindikata e Pavarur e Administratës e Kosovës morën këtë vendim për protestë, e cila do të mbahet më datën 26.11.2021 duke filluar nga ora 11:00-12:00 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Numri i pjesëmarrësve do të jetë i kufizuar për shkak të gjendjes pandemike”, thuhet në komunikatë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak,…