Nesër themelohet Fondi emergjent, nga java e ardhshme mund të ndihmohen qytetarët

14 janar 11:40

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nesër (premte) në mbledhjen e radhës të Qeverisë do ta formojnë Fondin emergjent për menaxhimin e situatës të shkaktuar nga vërshimet dhe përmbytjet e reshjeve të shiut dhe borës, gjatë ditëve të kaluara.

Hoti, në një takim virtual me kryetarët e komunave të Kosovës, ka kërkuar nga ata që të evidentojnë të gjitha dëmet që kanë nga vërshimet dhe të parashtrojnë kërkesat për ndihmë tek Qeveria në detyrë dhe tek ministritë.

“Unë me disa prej jush kam biseduar dhe në disa vende kam qenë në terren për ta parë gjendjen për së afërmi. Ju përgëzoj për angazhimin që keni treguar në çdo komunë, kemi pasur fat që nuk e kemi pësuar asnjë rast me fatalitet si pasojë e këtyre vërshimeve”.

“Kam parë që ka dëme të konsiderueshme në shtëpi banimi dhe në toka bujqësore. Më shumë më kanë shqetësuar qytetarët të cilët kanë mbetur pa shtëpi. Unë kërkoj nga ju që t’i evidentoni problemet që keni dhe të komunikoni me Ministrinë e Mbrojtjes , për t’iu ndihmuar FSK-ja në vendosjen e urave aty ku ka nevojë dhe gjëra të tjera”, është shprehur Hoti.

Hoti ka theksuar se duhet të formohen sa më shpejt komisionet komunale për ta bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

“Komisionet komunale për të bërë vlerësimin e dëmeve duhet të formohen sa më shpejtë. Këto komisione në secilën komunë duhet të identifikojnë familjet që janë në gjendje më të rëndë dhe që kanë nevojë të ndihmohen”.

“Nesër në mbledhjen e radhës të qeverisë në detyrë do të diskutojmë për formimin e Fondit emergjent dhe do të caktojmë tre ministra, të cilët nga java e ardhshme do të jenë gati për të ndihmuar të gjithë qytetarët që kanë nevojë, nga ju kërkojë që sa më parë të shikoni dhe të nxirrni evidencë, se cilat janë dëmet nga vërshimet dhe ato t’i paraqitni tek Fondi emergjent”, është shprehur Hoti.

Më tutje, ai ka thënë se nga fondi prej 7.6 milionë eurove do të kompensohet granti i përgjithshëm i komunave.

“Buxhetin e vitit 2021 vetëm se e kemi votuar, Ministria e Financave ka marrë vendimin për shpërndarjen e fondit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Nga ky buxhet janë ndarë 7.6 milionë euro për fondin e kompensimit të grantit të përgjithshëm të komunave. Një pjesë tjetër do të ndahet për fushën e arsimit”.

“Po ashtu, në kuadër të investimeve kapitale, tani që e kemi buxhetin të miratuar, mund të nënshkruani memorandume mirëkuptimi me ministrat për projektet që ju kanë mbetur”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja dhe aktorja e famshme, Jennifer Lopez, ka publikuar së…