Neymar: Ky është vetëm fillimi, do të bëj histori te PSG-ja

02 shkurt 15:54

Neymar Junior ka analizuar gjashtë muajt e parë të tij në klubin parizien, pas transferimit të verës së kaluar, që ishte më i shtrenjti në historinë e futbollit (222 milionë euro).

Ish-lojtari i Barçës edhe një herë tregon dëshirën e tij për të patur sukses në Paris, disa ditë përpara duelit të shumëpritur të Champions-it, ndaj Real Madridit. Kjo është intervista e plotë e Neymar për “PSG TV”, që klubi francez e ka publikuar edhe në faqen e vet zyrtare.

Ju keni pasur një fillim të jashtëzakonshëm të sezonit me 26 gola në 24 ndeshje, në të gjitha garat. A e imagjinonit një fillim të tillë me PSG-në?
Neymar: Nuk i prisja këto statistika që në debutimin tim me PSG-në. Jam këtu për të ndihmuar ekipin, shokët e mi dhe të përpiqemi të bëjmë më të mirën çdo ditë dhe në çdo ndeshje. Kjo është gjëja më e rëndësishme.

Është hera e parë në karrierën tuaj, që keni shënuar kaq shumë gola në një kohë kaq të shkurtër…Neymar: Po, është hera e parë, por dua të bëj më shumë. Shënoj shumë gola, luaj më mirë dhe shpresoj që kjo të vazhdojë.

Pra, aventura e Neymar Jr në Paris po fillon…
Neymar: Po, është vetëm fillimi!

A është qëllimi juaj që të jeni lojtari më vendimtar në ekip?
Neymar: Nuk është qëllimi im primar të jem lojtari i ekipit, njeriu që jep më shumë asistime, apo shënon më shumë gola. Unë thjesht luaj futbollin tim. Bëj atë që di të bëj, përpiqem të krijoj në lojë, të shënoj gola dhe të jap asistime. Me Cavani, Mbappe dhe Di Maria ne mund të mbështetemi në shumë lojtarë vendimtarë. Ata, gjithashtu, luajnë me vullnetin për të krijuar asistime, për të shënuar dhe për të fituar ndeshjet.

Sot, PSG-ja ka një nga sulmet më të mira në Evropë. Ju, a keni përshtypjen se është krijuar një mirëkuptim natyror mes lojtarëve sulmues?
Neymar: Mendoj se kemi nevojë për më tepër kohë, që ta njohim mirë njëri-tjetrin dhe për të gjetur referencat tona së bashku, por jemi në rrugën e duhur.

Si komunikoni me njëri-tjetrin në fushën e lojës?
Neymar: Ne flasim gjuhën e futbollit, është një gjuhë unike. Lojtarët inteligjentë, të gjithë flasin të njëjtën gjuhë në fushë.

Ju u votuat lojtari më i mirë për dhjetorin në Ligue 1. Çfarë do të thotë kjo?
Neymar: Unë jam i lumtur, por futbolli nuk është një sport individual, kështu që shokët e mi, gjithashtu, e meritojnë këtë çmim, sepse pa ta nuk do ta kisha arritur.

Cila është forca e sulmit të PSG-së?
Neymar: Kjo vjen nga cilësia e lojtarëve, talenti i secilit në ekip. PSG-ja nuk varet vetëm nga tre sulmuesit e vet. Topi duhet të na arrijë në mënyrën më të mirë, për të shënuar gola. Nëse nuk kishte mjete, mbrojtje, do të ishte e pamundur!

Ju shënuat kundër Montpellier golin e 2000-të në historinë e klubit, në shtëpi. A është krenari për ty?Neymar: Po, hyrja në historinë e klubit është shumë e rëndësishme për një lojtar. Unë jam këtu për të hyrë në histori dhe për të bërë përparimin e PSG-së.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania më e madhe në botë për derivate “Shell”, të…