Nga Botërori në Botëror

03 dhjetor 2022 | 21:49

Shpërthimi meteorik i tyre nuk ishte i rastësishëm, pas përballimit më sukses të Serbisë, ëndërrojnë edhe finalen e Botërorit të Katarit 2022, pse jo…

Besim Kajtazi

Në ditën e dytë të verës , më 22 qershor të vitit 2005, dy talente të futbollit për herë të parë shkelën fushën e blertë të stadiumit të Prishtinës. Ishin këta vëllezërit atëbotë shumëpakë të njohur Taulant e  Granit Xhaka. Taulanti  që sapo kishte mbushur 14 vjet dhe Graniti që ende nuk i kishte mbushur   të 13-tat, zbarkuan në kryeqytet, së bashku me talentet e tjerë të skuadrës së mirënjohur zvicerane Basel dhe të  bashkëmoshatarëve e tyre nga Lihtenshteini. Pata rastin që për tri ditë sa qëndruan në Prishtinë të njihem me dy yjet e rinj, me talentin e tyre jashtëserik për moshën që kishin, të cilët  më vonë, pas katër vjetëve  do të bëjnë historinë.

Natyrisht në ndeshjet që u zhvilluan ndërmjet grupmoshave të pionierëve, së pari Taulanti, vëllai më i vjetër luante si përforcim me fanellën e skuadrës së Lihtenshteinit, kurse Graniti  me atë të Baselit.

Taulanti dhe Graniti që të dy ishin futbollistë me tipare sulmuese, dhe pikërisht në ndeshjet që i zhvilluan në stadiumin e kryeqytetit shpalosën tërë arsenalin e tyre, që mahniti të pranishmit.

Taulanti ishte paksa më i përgatitur fizikisht dhe disa herë  u shqua me gjuajtjet e tij të rrufeshme nga distanca që dridhen tërthorësen e kundërshtarit, ndërkohë që Graniti më tepër shquhej me teknikën e tij, e cila siç do të shihet më vonë do të kulmojë me suksesin  e madh, kur me përfaqësuesen e Zvicrës U-17, do të stoliset me titullin e kampionit të Botës, në Botërorin që ë mbajt në Nigeri…

Prishtina e paharruar

Pas ndeshjes pata rastin, të bisedoj me dy talentet e rrallë, dy margaritarët e futbollit që po lindnin dhe natyrisht bëmë dhe një fotografi të përbashkët në tempullin e futbollit, ku 30 vjet më parë tuboheshin edhe nga 40 mijë shikues.

Taulanti dhe Graniti u shprehën të lumtur që kishin ardhur në Prishtinë dhe sa më kujtohet atëbotë, me ta nuk ishte babai i tyre Ragip Xhaka, dikur ish-futbollist i Flamurtarit të Prishtinës, i cili në çdo hap ishte në përcjellje të dy djemve, në zhvillimin e tyre. Taulanti dhe Graniti  shfaqën për pak kohë talentin që kishin kundër bashkëmoshatarëve të tyre prishtinas dhe nuk do të kalojë një periudhë më shumë se 4 vjet, që emri i tyre, sidomos i Granitit të ngjitet në piedestalin më të lartë, duke u bërë fitues i Kupës së botës me Zvicrën, në një kampionat për mbamendje, të cilin patëm rastin ta përcjellim edhe ne në transmetimet televizive, në kanalin Eurosport.

Shqiptarët pushtojnë botën!

Përderisa Taulanti  krahas paraqitjeve të tij për Bazelin u bë anëtar i rregullt i përfaqësueses U-19 të Zvicrës, Graniti ishte anëtarë standard i skuadrës U-17. me të cilën siguroi kualifikimin për ndeshjet finale në Botërorin 2009, që po mbahej në Nigeri.

Zvicra ishte  në grupin B, grup ky ku bënin pjesë përfaqësuesja favorite e turneut Brazili, Meksika dhe Japonia. 

Në përfaqësuesen e Zvicrës përkrah Granitit ishin edhe dy shqiptarët  Pajtim Kasami e Federik Veseli. Në tri ndeshjet, Zvicra doli fituese duke mposhtur së pari Brazilin 1:0, më pas arritën që të përmbysin epërsinë e Japonisë prej 2:1 në 4:3, në një ndeshje dramatike, ku shkëlqyen tre musketarët shqiptarë, ndërsa Granti shënoi golin   tretë që e kaloi Zvicrën në epërsi.

Pas Japonisë u mposht edhe Meksika 2:0 dhe “Helvetikët” ishin të parët në Grup. Ende rezultatet e tyre shikoheshin si rastësi.

Mirëpo, marshimi vazhdon me fitore deri në finalen e madhe. Në këtë rrugë mposhtet më pas  favoritja tjetër Gjermania, pas vazhdimeve me rezultat 4:3, Italia mposhtet 1:0 kurse në gjysmë finale “helvetikët” shpërthejnë dhe deklasojnë Kolumbinë  me rezultat 4:0.

Në anën tjetër mikpritësi i Botërorit Nigeria gjithashtu po i shkelte kundërshtarët një nga një dhe 15 nëntori ishte dita e finales së madhe, ku në stadiumin kombëtar Abujanë Lagos të Nigerisë tre shqiptarët dhe Zvicrën i priste një ferr i vërtetë përgjatë 90 minutave në stadiumin e stërmbushur me 60 mijë shikues…

Por, fati ishte në anën e trimave dhe ata i qëndruan trysnisë së paparë të nigerianëve, të cilët mbizotëruan gjatë gjithë takimit, mirëpo, mbrojtja dhe mesfusha e zviceranëve ishte e pathyeshme. Në minutën 65 Haris  Seferoviq ndezë stadiumin duke shënuar golin e tij historik, i cili Zvicrës i dha titullin e kampionit të botës dhe kupën të cilën e ngriti kapiteni Frederik Veseli.

Gëzimi ishte i madh edhe në shtëpinë e Granitit në Bazel ku në ankth ndeshjen po e përcillnin Taulanti, babai Ragipi dhe e ëma. Zvicra me tre shqiptarët bëri historinë që pakkush e ka besuar dhe ngrohu shpirtrat e shqiptarëve kudo në botë, në veçanti në Kosovë, ku iu dha një publicitet i madh në të gjitha mediet…

Jemi krenar me Taulantin dhe Ganitin

Pas katër vjetësh, Graniti e Taulanti rikthehen në kryeqytet si fitimtarë. Pritje të përzemërt i bëhet nga zyrtarët e lartë të Federatës së Futbollit, ku para gazetarëve të shumtë sërish takohem me dy talentet që nuk i kisha takuar që nga 22 qershori i vitit 2005, kur  për ta kisha përgatitur  një shkrim të veçantë në   një numër special tëë  javores  sportive Kosova Sport.

“Ju na keni nderuar me talentin dhe sukseset që keni arritur në arenën ndërkombëtare dhe jemi krenar që ju kemi”, ishin fjalët përshëndetëse të legjendës së futbollit të Kosovës Fadil Vokrri.

“As vetë nuk e kisha menduar  e as ëndërruar që kur isha në Prishtinë para 4 vjetësh se do të stolisesha me titullin e kampionit botëror”, tha me këtë rast Granit Xhaka, ndërkohë që i vëllai Taulanti vazhdimisht me tërë familjen kishte përcjellë me emocione ndeshjet botërorit…

“Nuk patëm mundësi të shkojmë në finalen e madhe, por unë vazhdimisht isha në kontakt më Granitin përmes telefonit, duke i dhënë përkrahje për ndeshjet e rënda që i prisnin, tha Taulanti.

Kryetari i Federatës së Futbollit, iu dha mundësinë që ata vetë të zgjedhin kur të vjen koha se për cilën përfaqësuese do të luajnë, duke ua dhuruar fanellat e përfaqësueses së Kosovës, Taulantit me numrin 5 kurse Granitit me numrin 7.

Kosovën e  kanë në zemër vëllezërit Xhaka dhe ata mbase një ditë shumë të afërt do të udhëheqin përfaqësuesen e Kosovës, drejt kualifikimeve për Kampionatet Evropiane  Botërore. Zvicra i rriti dhe ata i dhuruan shtetit helvetik titullin të cilin as që e kishin ëndërruar. Kosova i pret me padurim. Kosova është e tyre dhe e gjithë talenteve shqiptarë që janë shkapërderdhur nëpër gjithë Evropën.

Mospranimi i Kosovës me kohë në UEFA dhe në FIFA, i mënjanoi ata nga fanella e përfaqësueses së Kosovës, mirëpo jo edhe nga rrugëtimi i tyre drejt majave të futbollit.

Granit Xhaka, kapiten në Arsenalin e madh dhe kapiten i Zvicrës në Botërorin e Katarit 2022.

Fitorja e mbrëmshme 3:2 kundër Serbisë, ku kapiteni legjendar bëri historinë së bashku me Xherdan Shaqirin, më nxiti që ta nxjerrë për publikun  këtë shkrim për yjet e futbollit tonë, që po shndrisin nëpër botë.

Pengesa e quajtur Serbi u përballua me sukses dhe tashmë befasitë janë të mundshme, ëndërrojnë edhe finalen, pse jo.

Shpërthimi i tyre meteorik pra, nuk ishte i rastësishëm, vëllezërit Taulant e Granit Xhaka dhe Xherdani  e shumë të tjerë e bënë historinë…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Australisë ka shënuar gol ndaj Argjentinës. Po rridhte…