Nga dhunimi i Kushtetutës te manipulimi i votës, projekti për kapjen totale të shtetit

28 prill 2026 | 14:19

Shkruan: Hisen Berisha

Zhvillimet e fundit lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës nuk janë thjesht një proces kushtetues që po vonohet, por janë reflektim i një krize më të thellë politike dhe institucionale në vend.
Sot, Kosova ndodhet përballë një afati kritik kushtetues, se nëse deri më 28 prill pra sot, nuk zgjidhet Presidenti, vendi hyn automatikisht në një cikël të ri zgjedhor.
Kjo situatë ka ardhur si rezultat i mungesës së konsensusit politik dhe paaftësisë së akterëve kryesorë për të ndërtuar një marrëveshje minimale për funksionimin e shtetit.
Zhvillimet konkrete në Kuvend e bëjnë këtë krizë të prekshme dhe të pamohueshme. Seanca është tentuar të nisë me votim me numër të pamjaftueshëm të deputetëve në srancë.
Ky është dhunim i drejtpërdrejtë i institucionit të Kuvendit, i ligjit dhe i Kushtetutës. Për një proces të tillë kërkohet shumicë e cilësuar prej 2/3, pra minimumi 80 vota për të nisur seancën dhe votimin për President. Tentativa për të hyrë në votim me 64 apo 66 deputetë nuk është gabim procedural, por veprim i qëllimshëm për ta deformuar rendin kushtetues.
Këta kanë menduar të hyjnë në votim pa numrat e nevojshëm dhe më pas ta kontestojnë procesin për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke e përdorur krizën si instrument politik e jo si situatë që kërkon zgjidhje.
Qëllimi është i qartë, të blihet kohë përmes prodhimit artificial të krizës dhe nxjerrjes së afateve shtesë kushtetuese, në mënyrë që zgjedhjet të etabllohen pikërisht atëherë kur pushtetit i konvenon më së shumti për manipulim.
Dhe kjo kohë nuk është rastësore, është periudha kur mërgimtarët janë të angazhuar me ardhjen në vendlindje, pushimet dhe aktivitetet familjare, pra kur ata janë më pak të fokusuar në procesin zgjedhor dhe në ruajtjen e votës së tyre.
Në këtë skemë hyn edhe një element edhe më i rëndë, fakti se gjatë 52 ditëve të qeverisjes në mandatin e parë pas zgjedhjeve të vitit 2019, respektivisht në qeverinë Kurti1 e marsit 2020, strukturat e komiteteve të LVV kanë konfiskuar dhe vënë nën kontroll softuerët dhe bazat e të dhënave të agjencive shtetërore.
Sot, këto të dhëna, me theks të veçantë mbi mërgimtarët, po përdoren për keqpërdorim të drejtpërdrejtë të votës.
Pra, kemi një strategji të dyfishtë dhe të qëllimshme, nga njëra anë blihet koha për të shtyrë procesin deri në momentin më të favorshëm politikisht, nga ana tjetër, shfrytëzohet shpërqendrimi i mërgatës gjatë qëndrimit të tyre të shkurtër në Kosovë.
Në këto rrethana, komitetlinjtë synojnë që zgjedhjet të mbahen pikërisht në këto ditë, kur mërgimtarët janë më pak të vëmendshëm, për t’ua manipuluar votën në funksion të interesave të LVV-së.
Në thelb, kemi tri dimensione të krizës:
Së pari, mungesa e shumicës së cilësuar në Kuvend. Zgjedhja e Presidentit kërkon 2/3 e votave në dy raundet e para, që nënkupton domosdoshmërisht kompromis politik.
Sot, ky kompromis nuk ekziston.
Së dyti, kemi një përplasje të hapur politike mes pushtetit dhe opozitës, ku secila palë e sheh këtë proces më shumë si betejë për pushtet sesa si obligim shtetëror. Mosarritja e marrëveshjes mes partive kryesore ka rritur ndjeshëm rrezikun e zgjedhjeve të reja.
Kjo përplasje është shoqëruar edhe me udhëzime dhe qëndrime që e zbulojnë qartë logjikën e veprimit. Gjatë seancës, komiteti i partisë socialiste – LVV ka udhëzuar, “Po e zgjedhim sot karate dhe të shohim çka po thotë Kushtetuesja”, duke aluduar në kandidatet informale për ketë post.
Kjo është logjika me të cilën operojnë sot argatët e zhbërjes së shtetit të Kosovës në interes të Serbisë.
Kjo është konfirmuar edhe nga materiale të publikuara në media, përfshirë filmime të komunikimeve brenda strukturave të lidhura me këto komitete, të cilat sipas pretendimeve dëshmojnë për ndërthurje me agjenda dhe ndikime të shërbimeve të huaja, përfshirë ato serbe dhe greke, brenda strukturave partiake dhe institucioneve që drejtohen prej tyre.
Në këtë realitet, shtrohet edhe një pyetje thelbësore politike dhe kombëtare: nëse një lider partiak nuk ka mbështetjen e familjes Jashari dhe nuk i ofrohen as kandidaturë për president, atëherë kush është ai shqiptar që i jep mbështetje dhe votë, pa qenë i përzier në identitet dhe në orientim?
Së treti, kemi edhe një dimension institucional dhe kushtetues, ku përfshirja e Gjykatës Kushtetuese dhe pezullimi i vendimeve për shpërndarjen e Kuvendit kanë krijuar një situatë të paqartë juridike dhe politike.
Kjo paqartësi po përdoret për të zgjatur krizën dhe për të prodhuar avantazh politik, duke e kthyer interpretimin kushtetues në instrument të kalkulimeve të pushtetit.
Në këtë kontekst, duhet thënë qartë se, Kosova nuk po përballet me krizë procedurale, por me krizë të kulturës politike dhe të përgjegjësisë institucionale.
Propozimet për ndryshim të mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, si ideja për zgjedhje direkte nga populli, janë më shumë reflektim i kësaj krize sesa zgjidhje e menjëhershme e saj.
Në planin politik, kjo situatë ka dy skenarë të mundshëm:
– Ose arrihet një kompromis i fundit politik për zgjedhjen e Presidentit,
– Ose vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja, duke thelluar më tej ciklin e paqëndrueshmërisë institucionale.
Alternativa e zgjedhjeve si zgjidhje nuk qëndron. Do të jetë vetëm riciklim i krizës. Kjo edhe për shkak të paqartësisë juridike të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila tregoi se është kapur nga regjimi në pushtet.
Prandaj, zgjidhja nuk është thjesht procedurale apo elektorale. Kjo situatë, kur vetë institucionet dhunojnë demokracinë, e kalon mandatin te sovrani / populli, i cili me të gjitha format dhe mjetet, deri edhe me padëgjueshmëri qytetare, duhet t’i largojë nga institucionet këta argatë që po synojnë zhbërjen e shtetit, dhe të vendoset një qeveri gjithpërfshirëse ekspertesh – me mandat programor.
Sot duhet të krijohet hapësirë dhe kohë për rikthim të vlerave në jetën politike dhe shtetërore.
Besimi duhet të rikthehet te qytetarët, në mbështetjen për vlera të mirëfillta dhe për personalitete që i përfaqësojnë ato.
Mësimi i mësuar nga këto zhvillime është se, institucionet nuk mund të mbahen peng të kalkulimeve partiake. Zgjedhja e Presidentit është akt shtetformues, jo instrument taktik i politikës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar ndaj përpjekjeve të…