Nga Platini te Maradona, kur kampionët dështojnë si trajner

21 qershor 2022 | 17:00

Një fenomen në fushë. Në stol, një fatkeqësi. Michel Platini, i cili mbush 67 vjeç, nuk ka pasur kurrë karakteristikat e trajnerit, pavarësisht se kishte një klasë të jashtëzakonshëm në fushë.

Si trajner i Francës, ai arriti të dështonte në të gjitha kompeticionet: Evropiani i 1988-s dhe Botërori 1990, pavarësisht se kishte një skuadër të shkëlqyer në dispozicion. Ai provon sërish si menaxher, por nuk i shkon shumë mirë. Me sa duket, Le Roi nuk bëri llogaritë me historinë, e cila u mëson diçka kampionëve ndër më të mirët ndonjëherë: futbollistët e mëdhenj nuk kanë arritur gjithmonë ta përsëritin veten në anën tjetër të gardhit.

Maradona

Do të mjaftonte të mendonim për Diego Armando Maradonan, i cili në stol ka pasur gjithmonë të gjitha problemet që dukej se nuk ekzistonin në fushë për të. Diego ka pasur përvoja si trajner i Argjentinës së tij, me një eliminim të bujshëm në Botërorin 2010, por edhe në shtëpi, në Gjirin Persik dhe, madje, në serinë e dytë meksikane. Zero kënaqësi për Diegon, me shumë finale të humbura dhe ngjitje në kategori të humbura në çastet e fundit.

Gullit

Karriera e Ruud Gullit dukej se ishte në një rrugë të shkëlqyer pas debutimit dhe fitores me Chelsean në FA Cup. Por ka rezultuar të jetë e vetmja arritje teknike e holandezit, i cili është fundosur në drejtimin e Newcastles dhe Feyenoordit. Pastaj ka ardhur një pelegrinazh i gjatë në kontinente të ndryshme nga Los Angeles në Terek Groznyj në Rusi. Jo tamam e paharrueshme si karrierë.

Van Basten

Duke qëndruar te holandezët. Edhe Marco Van Basten, përkundër asaj që la trashëgimi si futbollist, nuk ka marrë kurrë vlerësime të mëdha si trajner. Me Holandën ai doli në 1/8-at e Kupës së Botës 2006 dhe në çerekfinalet e “Euro 2008” me Rusinë. Më pas nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve me Ajaxin. Me pak fjalë, jo saktësisht një listë për t’u mbajtur mend.

Matthaus

Edhe Matthaus, numri dhjetë që e tërhoqi Gjermaninë në Kupën e Botës 1990, nuk ka mahnitur kurrë si trajner edhe nëse është ndër të paktët që ka fituar: Dy tituj me Partizanin e Beogradit dhe Salzburgun, por një seri e gjatë zhgënjimesh dhe shkarkimesh mes kombëtares bullgare dhe hungareze, të ndërthurura me përvoja negative në Brazil dhe në serinë e dytë izraelite.

Klinsmann

Jurgen Klinsmann arrin të hyjë në histori nga dera e gabuar në dy … botë. Në vitin 2006 ai arriti të humbasë, nuk kishte ndodhur më parë, me kombëtaren në Dortmund gjysmëfinalen e kampionatit botëror në shtëpi, duke ua dhënë dritën jeshile “axurrëve” drejt titullit. I pakënaqur pranon të jetë trajner i ShBA-së dhe ndërpret serinë e kualifikimeve radhazi ne Botëror duke u befasuar nga Panamaja. Përvoja e fundit, te Hertha, zgjat disa muaj para shkarkimit.

Seedorf

Profesor në fushë, mediokër në stol. Clarence Seedorf, një nga mesfushorët më të talentuar të Milanit dhe ekipit kombëtar holandez, nuk ishte në gjendje t’i ndiqte gjurmët e mjeshtrit Ancelotti. I shkarkuar nga Milani, pas ulje-ngritjeve mes Spanjës dhe Brazilit, ai shkoi në gjueti për revansh në Kamerun, por kjo përfundoi shumë keq.

Henry

Shkarkimi i Henryt nga Monaco është fundi i papritur i një përvoje tepër të keqe. Francezi shkoi për ta ringjallur klubin e Principatës, i cili nuk po shkonte mirë nën drejtimin e Jardim, dhe … gati e bëri atë të binte nga kategoria, deri në atë pikë sa drejtuesit detyrohen ta kthejnë trajnerin e vjetër. Titi vendos të provojë përsëri, drejton Montrealin dhe premton se e ka mësuar mësimin e tij. Por këtë herë është ai që jep dorëheqje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për politikë të…