Ngjarjet që e karakterizuan Kosovën më 2022

31 dhjetor 2022 | 22:53

Përgatiti: Lirim GECI

Tensionet në veri, dialogu me Serbinë dhe Gjykata Speciale kanë qenë ngjarjet kryesore që e kanë karakterizuar Kosovën në vitin 2022. Po ashtu, greva pesëjavëshe në arsim ka qenë një nga ngjarjet kryesore që e ka karakterizuar Kosovën në vitin që po e lëmë pas.

Shtrenjtohet rryma 100 për qind

8 shkurt – Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka aprovuar tarifat e energjisë elektrike për vitin 2022. Sipas vendimit, bllok-tarifa do të zbatohet për konsumatorët që harxhojnë mbi 800 kWh. Për këta konsumatorë rritja e çmimit të rrymës do të jetë rreth 100 për qind. Fillimisht ZRRE-ja kishte propozuar që bllok-tarifa të aplikohej nga 600 kilovatë në orë por, pas shqyrtimit të komenteve të shumë institucioneve, ZRrE-ja ka ndryshuar propozimin e saj. Vendimi i fundit i ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë është marrë në vijë me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Ministrisë së Ekonomisë që kishin dorëzuar në këtë institucion. Në ZRrE komente kanë dorëzuar edhe shumë institucione shtetërore dhe organizata të ndryshme nga shoqëria civile, por komentet e tyre nuk janë marrë parasysh nga ZRRE-ja. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.

Dështon të miratohet Projektkodi Civil

16 mars – Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ia kanë dhënë dritën e gjelbër Projektkodit Civil në seancën e së mërkurës. Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, prej të cilëve 16 nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Nga 61 deputetë sa kanë votuar, 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenime.

Projektkodi Civil është kundërshtuar nga një pjesë e madhe e deputetëve për shkak të nenit i cili mendohet se çon drejt martesave të së njëjtës gjini.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës parashikon se “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”. Por një gjë të tillë nuk e lejon Kodi Civil aktual, pasi aty specifikohet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Rama viziton Thaçin në Hagë: Çmallje e nevojshme, ai është në top formë

10 maj – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar të martën në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pas vizitës, Rama ka thënë se Thaçi është në formë të mirë. Rama ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk mund të futet në korniza të reja dhe se për pastërtinë e saj janë të bindur të gjithë. Ai ka theksuar se gjykimi në Hagë për Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së ishte “rrugë e pashmangshme”. “Çmallje e nevojshme. Presidenti Thaçi gjendet në top formë, i bindur mbase edhe më shumë sesa kur e kam takuar para se të vinte këtu, që ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërçipërisht para drejtësisë pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të UÇK-së. Nuk ka shumë për të thënë. Të gjithë jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera, sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, gjakut të dhënë dhe, natyrisht, të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej në Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane”, ka thënë Rama.

Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës

12 maj – Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të medieve, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Gucati dhe Haradinaj dënohen me nga katër vjet e gjysmë burgim

18 maj – Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes. Ekipet mbrojtëse të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit konfirmuan për gazetarët se do ta apelojnë aktgjykimin dënues për dy të akuzuarit, shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Lënda e Gucatit dhe Haradinaj është duke u shqyrtuar nga Apeli, derisa ata janë duke qëndruar në paraburgim.

LV-ja me ndihmën e Listës Serbe e kalon Projektligjin për Pagën Minimale, përjashtohen veteranët e UÇK-së

14 qershor – Me 68 vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar të martën në parim Projektligjin për Pagën Minimale. Projektligji parasheh ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e përfitimit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. Ky projektligj është kundërshtuar nga veteranët e UÇK-së për shkak të mospërfshirjes së tyre në rritjen e pagës minimale. OVLUÇK-ja më 16 qershor ka mbajtur protestë, duke e quajtur Kuvendin institucion të turpit. Veteranët e UÇK-së kanë kërkuar që të jenë pjesë e ligjit që rregullon pagën minimale në Kosovë. Deri më tani ky projektligj nuk është miratuar në lexim të dytë.

Konjufca viziton liderët e UÇK-së në Hagë

17 qershor – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vizituar liderët e UÇK-së të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Pas kësaj vizite, Konjufca ka thënë se ata janë të pakënaqur në lidhje me procesin gjyqësor. “Vizitova Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin dhe, po ashtu, Gucatin, Haradinajn dhe Shalën. Siç e dini për Salih Mustafën është një proces më i ndërlikuar. Ai ka qenë në një izolim deri para një muaji. Të gjithë që i pashë janë shumë mirë me shëndet, kanë vullnet dhe janë të qëndrueshëm. Shqetësimi i tyre është që po pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe nëpër procedura, për të cilat nuk ka asnjë mekanizëm të ankesës”, ka thënë Konjufca.

Mbahet mbledhja e dy qeverive, nënshkruhen 19 marrëveshje të reja

20 qershor – Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në mbledhjen e 8 të përbashkët në Prishtinë kanë nënshkruar gjithsej 19 marrëveshje të reja. Marrëveshjet përfshinë një gamë të gjerë të fushave në infrastrukturë, arsim, rend, energji, treg i përbashkët ekonomik, turizëm, mbrojtje e të tjera. Një prej marrëveshjeve më të rëndësishme është ajo e hekurudhës Durrës – Prishtinë. Kjo hekurudhë do ta lidhë Kosovën me korridoret që kalojnë pranë saj.

Pa e ndryshuar asnjë presje, qeveria Kurti finalizoi marrëveshjen e Thaçit dhe të Mustafës për energjinë

21 qershor – Kosova dhe Serbia kanë arritur të martën marrëveshje për energjinë. Për arritjen e kësaj marrëveshjeje ka njoftuar edhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi. “Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi në llogarinë e vet në “Twitter” pas takimit ndërmjet palëve nga Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Arritjen e kësaj marrëveshjeje kryeministri Albin Kurti e ka quajtur lajm të mirë dhe ka thënë se është rezultat i punës së qeverisë që ai udhëheq. Ai ka thënë se së shpejti do të fillojë faturimi i rrymës për komunat në veri. Pavarësisht prej kësaj, deri më tani nuk ka filluar faturimi i rrymës për komunat në veri.

Bajram Begaj zgjedhet president i Shqipërisë

4 qershor – Bajram Begaj është zgjedhur president i Shqipërisë me 78 vota të deputetëve të Kuvendit. Në votimin e tij në Kuvend kanë marrë pjesë 83 deputetë, prej të cilëve katër ishin kundër dhe një ka abstenuar. Pjesa më e madhe e opozitës nga Partia Demokratike ka bojkotuar seancën. Kandidatura e Begajt është mbështetur nga Partia Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e ka propozuar për president pas dështimit për të zgjedhur president konsensual me Partinë Demokratike në opozitë. Begaj ka dhënë betimin si president i Shqipërisë më 25 korrik.

Rafuna zgjedhet kryetar i OEK-ut

14 korrik – Lulzim Rafuna është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Në garë për të parin e këtij institucioni ishin edhe Erëza Vela, pronare e kompanisë “MIG Sh. P. K.” dhe pronari i kompanisë “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj. OEK-u deri në zgjedhjen e Rafunës është drejtuar nga Berat Rukiqi. Në të kaluarën Lulzim Rafuna ka qenë për një kohë të shkurtër edhe ministër në detyrë i Financave si dhe këshilltar i ish-ministrit të Financave, Bedri Hamza.

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për raportin e Dick Martyt

21 korrik – Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht, me 125 vota të deputetëve, rezolutën me të cilën synon t’i hedhë poshtë akuzat për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës.

Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste e cila ka hartuar këtë projekt-rezolutë, Edi Rama, ka thënë se përmes miratimit të saj synohet kthimi i dinjitetit të popullit shqiptar dhe luftëtarëve të UÇK-së.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon t’i shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të organeve dhe kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ta rishikojë rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty dhe akuzat e ngritura, të cilat i vlerëson “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.

Osmani dhe Kurti takohen me Blinkenin

27 korrik Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASh) nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken, me të cilin kanë biseduar edhe për raportet ndërshtetërore dhe dialogun me Serbinë. Në këtë takim ata kanë deklaruar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me marrëveshje, e cila në qendër ka njohjen reciproke. Osmani dhe Kurti, pasi e kanë vlerësuar lart takimin me Blinkenin, kanë thënë se raportet e Kosovës me ShBA-në janë ekzistenciale.

Grevë në arsim

25 gusht – Mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës kanë hyrë në grevë. Nga qeveria kanë thënë se nuk është koha për greva. Ndërsa kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e 100 eurove për punëtorët derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Paga, ku një kërkesë e tillë nuk është plotësuar. Pas pesë javësh në mes të kritikave dhe kërcënimeve, Këshilli Grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, më 1 tetor ka njoftuar se e ka pezulluar grevën deri në janar të vitit 2023, por më 28 dhjetor SBAShK-u ka kërkuar që mos të ketë grevë për shkak të miratimit të Ligjit për Paga.

Doarsa Kica-Xhelili i bashkohet LDK-së

8 shtator – Deputetja e Doarsa Kica-Xhelili i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo është prej rasteve të rralla që një deputet i partisë në pushtet kalon në opozitë. Deputeten që ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e Listës Guxo e ka paraqitur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ish-presidentët dhe ish-kryeministrat shqiptarë vizitojnë liderët e UÇK-së

29 shtator – Tre ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, së bashku me ish-kryeministrin Pandeli Majko, kanë vizituar liderët e UÇK-së. Në këtë vizitë ata janë shoqëruar nga ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli. Pas takimit ata kanë thënë se liderët e UÇK-së po qëndrojnë të fortë moralisht dhe krenarë për luftën e drejtë të UÇK-së. Sipas tyre, prokuroria po kërkon diçka që nuk ekziston meqë UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë me terrorizëm.

Shkon Latifi, vjen Vitia

6 tetor – Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Kirurgu i cili u kthye nga ShBA-ja që ta drejtojë shëndetësinë e Kosovës, pas dhjetë muajsh në këtë detyrë, ia paraqiti dorëheqjen kryeministrit Albin Kurti.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje, pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, ka shkruar Latifi në letrën e dorëheqjes. Në vend të Latifit, më 26 dhjetor Kurti ka emëruar Arben Vitinë, i cili kishte dhënë dorëheqje në vitin 2021 për të garuar për kryetar të Prishtinë, garë të cilën e kishte humbur.

Rama në Këshillin e Evropës kërkon t’i rrëzojnë fantazitë ndaj krerëve të UÇK-së

12 tetor – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është drejtuar Këshillit të Evropës për ta kërkuar rishikimin e raportit të Dick Martyt dhe për t’i shpallur të pabaza akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Gjatë fjalës së tij, Rama i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e raportit duke i analizuar të gjitha pikat e tij. Ai ka thënë se ky raport është një fantazi e pastër e fabrikuar në Kremlin dhe i sjell në Këshillin e Evropës. “Ju bëj thirrje t’i rrëzoni akuzat kundër Kosovës. Ju bëj thirrje ta pranoni kërkesën e Shqipërisë që ta rrëzoni një rezolutë që degradon luftëtarët e Ushtrisë heroike Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Rama.

Shkarkohet rektori i UP-së Naser Sahiti

21 tetor – Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shkarkuar Naser Sahitin nga pozita e rektorit të këtij universiteti. Kryesuesi i Këshillit Drejtues i UP-së, Altin Sahiti, ka bërë me dije se ushtruese e detyrës e rektorit është emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi. Ndërsa më 21 nëntor Qerim Qerimi është emëruar rektor i UP-së

Serbët largohen nga institucionet e Kosovës

5 nëntor – Lista Serbe ka vendosur që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit. Pas vendimit të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan, dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.

Largimi nga institucionet ka ndodhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Dy liderët e opozitës shkojnë për vizitë zyrtare në ShBA

13 dhe 15 nëntor – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë qëndruar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Gjatë qëndrimit në ShBA ata kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e institucioneve kryesore amerikane. Krasniqi dhe Abdixhiku kanë theksuar se Kosova edhe sot ka nevojë për mbështetjen e ShBA-së si mike dhe partnere strategjike e vendit tonë. Derisa Krasniqi dhe Abdixhiku kanë vizituar ShBA-në, disa prej ministrave të Kurtit u janë shtyrë vizitat për shkak të çështjes së targave.

Osmani i shpall dhe i shtyn zgjedhjet në katër komunat veriore

14 nëntor – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri. Katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë pa kryetarë qysh nga 5 nëntori. Kryetarët, të nacionalitetit serb, dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Ndërsa pas tensioneve në veri dhe kërkesës së ndërkombëtarëve, Osmani më 10 dhjetor ka vendosur për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.

Kurti ua ul pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve, reagojnë opozita dhe shoqëria civile

23 nëntor – Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin e ish-qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët në vitin 2017. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pagat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë. Kundër këtij shfuqizimi kanë reaguar opozita dhe shoqëria civile. Organet e drejtësisë, për shkak të këtij vendimi, e kanë ndërprerë bashkëpunimin me qeverinë. Ndërsa më 2 dhjetor Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ta pezullojë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat

23 nëntor – Kryediplomati evropian Josep Borell ka bërë me dije se Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe. Borrelli ka thënë se Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës. Kjo marrëveshje ishte arritur pas kërkesës që ShBA-ja ia kishte bërë Kurtit më 22 nëntor për ta shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës – për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

110-vjetori i pavarësisë bën bashkë në Tiranë Kuvendin e Kosovës dhe të Shqipërisë

27 nëntor – Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë janë mbledhur në Tiranë për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë, në mbledhjen e parë të përbashkët midis dy parlamenteve, duke shënuar kështu nivelin më të lartë të bashkëpunimit në historinë e parlamentarizmit të të dyja shteteve.

Bashkëkryesuesit e kësaj mbledhjeje, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalimet e tyre përshëndetëse theksuan rëndësinë e kësaj mbledhjeje të përbashkët, si gurthemel të një tradite të re të bashkëpunimit ndërparlamentar.

Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës, më së largu më 1 janar 2024

30 nëntor – Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i dhënë mandat Këshillit Evropian që të negociojë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023. Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Tirana, nikoqire e samitit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

6 dhjetor – Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, është mbajtur Samiti i Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor. Në këtë samit kanë marrë pjesë përfaqësuesit kryesorë të Evropës dhe Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë kancelarin e Gjermanisë dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Në Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Krahas krizës energjetike, në këtë samit është firmosur marrëveshja për heqjen e tarifave “Roaming”. Po në këtë samit janë zotuar 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor.

Dy herë brenda vitit veriu barrikadohet nga serbët

10 dhjetor – Tensionet në veriun e Kosovës janë ngritur që nga nëntori nga 5 nëntori, kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave më 10 dhjetor nga disa serbë lokalë, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.

Dejan Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më 28 dhjetor Pantiqit i është ndryshuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak, kur pastaj barrikadat janë larguar.

Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, ishin të bllokuara. Këto dy pika kufitare që nga 10 dhjetori janë të mbyllura. Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor kanë mbyllur edhe pikën kufitare të Merdarit, pasi në anën serbe të kufirit u vendosën barrikada.

Për vendosjen e barrikadave Kosova ka fajësuar “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Ndërkaq Beogradi ka shprehur përkrahjen për barrikadat dhe ka thënë se ato nuk do të hiqen derisa Prishtina ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok-bomba. Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.

Veriu i Kosovës është barrikaduar edhe më 31 korrik për shkak të targave dhe dokumenteve serbe.

Kosova nënshkruan aplikimin për anëtarësim në BE

14 dhjetor – Krerët shtetërorë të Kosovës kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Aplikimi është nënshkruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti. Nënshkrimi i këtij dokumenti është vlerësuar historik nga drejtuesit e shtetit. Ndërsa kryeministri Kurti më 15 dhjetor këtë dokument e ka dorëzuar në Pragë të Çekisë, shtetin që aktualisht kryeson presidencën e bllokut evropian.

Miratohet buxheti i Kosovës për vitin 2023

15 dhjetor – Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë buxhetin 2023 në vlerë prej 3.21 miliardë eurosh. Ligji mbi ndarjet buxhetore ka kaluar në lexim të dytë me mbështetjen e 65 deputetëve. Në votimin e këtij Ligji kanë marrë pjesë 65 deputetë. Më 17 nëntor deputetët e Kuvendit e kishin miratuar në parim buxhetin për vitin 2023. Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Gjykata Speciale e dënon me 26 vjet burgim komandant “Calin”

16 dhjetor – Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Ndaj këtij vendimi të Speciales ka pasur reagime të shumta në Kosovë, duke e vlerësuar dënim të padrejtë dhe të pabazë. Përfaqësues të OVLUÇK-së kanë theksuar se Gjykata Speciale bazohet në dëshmitarë të fshehur nga populli e dënon në emër të popullit. Sipas tyre, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme.

Kuvendi miraton Projektligjin për Paga dhe atë për Zyrtarët Publikë

22 dhjetor – Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Paga në sektorin publik si dhe Projektligjin për Zyrtarët Publikë. Në të dyja votimet e projektligjeve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka abstenuar. Ndërkaq partitë opozitare nuk e kanë mbështetur Projektligjin për Paga dhe as Projektligjin për Zyrtarët Publikë. Përfaqësuesit e opozitës kanë theksuar se këto dy projektligje t’i dërgojnë në Kushtetuese.

Ish-deputeti Frashër Krasniqi dhe të tjerët lirohen nga akuza për terrorizëm

27 dhjetor – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, lidhur me akuzën për terrorizëm. Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi, akuzoheshin se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste. Sipas aktgjykimit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi lirohen nga aktakuza, pasi nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një banesë ka marrë flakë në rrugën “Dardania” në Fushë…