Nik Gjeloshaj: Malësia është në duar të sigurta, nuk pranojmë asnjë kompromis për territorin
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka reaguar ndaj manipulimeve lidhur me çështjen e territorit të Malësisë, duke theksuar se qëndrimi i tij dhe i përfaqësuesve të Forumit Shqiptar mbetet i pandryshuar.
Gjeloshaj deklaroi se puna e bërë gjatë shtatë viteve të fundit dëshmon angazhimin institucional për mbrojtjen e interesave të Malësisë dhe rikujtoi se komunat kadastrale të Malësisë janë të përcaktuara që nga viti 1952.
Ai bëri të ditur se prej tetë vitesh është kërkuar që Malësisë t’i bashkëngjiten disa vendbanime dhe zona të caktuara, përfshirë Dubravën pranë Vllanës, pjesën e Rakiqit, Kakarriqin, Luharin, Ledinën, Laparin, Rabrajin, si dhe një pjesë të bjeshkës së Koshticës dhe Liqenin e Rikavecit.
Sipas Gjeloshajt, ai, së bashku me Eminin dhe Nerminin, nuk do të votojnë dhe nuk do të nënshkruajnë asnjë zgjidhje tjetër përveç asaj që është paraqitur në hartën zyrtare me të gjitha kërkesat e tyre.
Duke komentuar protestat e paralajmëruara, Gjeloshaj theksoi se protesta është një e drejtë demokratike, por shtoi se, nëse ajo organizohet për çështjen e territorit, vendi i saj është në Podgoricë, ndaj institucioneve që ende nuk kanë pranuar kërkesat e Malësisë, e jo në Tuz.
Në fund të reagimit, ai hodhi poshtë përpjekjet për ndarje në baza fetare, duke theksuar se shqiptarët e Malësisë do të mbeten të bashkuar.
“Mund të jem mysliman apo katolik, por me na nda nuk keni. Kurrë e për jetë. Jemi shqiptarë dhe Malësinë kemi me e ruejtë shqiptare”, përfundon deklarata e zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj.
Ja postimi plotë:
Malësia është në duart të sigurta
Këtë nuk e dëshmojnë fjalët, por shtatë vjet punë, vendime dhe rezultate.
Për me i dhanë fund manipulimeve, po i rikujtoj faktet.
Komunat kadastrale të Malësisë, të cilat nuk i kam caktua unë, por janë kështu prej vitit 1952, janë:
KK Tuzi,
KK Dinosha,
KK Vranja,
KK Vuksanlekaj,
KK Trieshi i Epërm,
KK Trieshi i Poshtëm, KK Budza,
KK Hoti,
KK Gruda,
KK Traboini i Vjetër dhe
KK Koja.
Çdo komunë kadastrale përbëhet nga shumë vendbanime.
Prej tetë vitesh kemi kërkua që Malësisë t’i bashkëngjiten:
* Dubrava pranë Vllanës, nga KK Golubovci, me kalua në KK Vranë;
* pjesa e Rakiqit, nga KK Dajbabe, me kalua në KK Tuz;
* Kakarriqi, nga KK Maslina dhe KK Fundna, me kalua në KK Dinoshë;
* Luhari, Ledina, Lapari dhe Rabraji, nga KK Fundna, me kalua në KK Dinoshë;
* një pjesë e bjeshkës së Koshticës dhe Liqeni i Rikavecit, nga KK Gornje Stravçe dhe KK Orahovo, me kalua në KK Trieshi i Epërm.
Kurrë, as unë, as Emini e as Nermini, nuk kemi me pranua me votua apo me nënshkrua një zgjidhje tjetër, përveç asaj që paraqitet në hartë, me të gjitha kërkesat tona.
Nuk e di pse disa vazhdojnë me shpifje e manipulime. Apo jemi në prag të fushatës zgjedhore dhe, në mungesë të programit, njerëzve kredibilë e vizionit, manipulimi u ka mbetë e vetmja rrugë?
P.S. Në hartë, me të kuqe janë paraqitë komunat kadastrale të Malësisë, sipas ndarjes së vitit 1952, ndërsa me të bardhë janë paraqitë kërkesat tona për t’ua bashkëngjitë këto vendbanime komunave kadastrale të Malësisë.
Kjo është e vetmja hartë që kemi kërkua, paraqitë dhe nënshkrua.
Asnjë tjetër.
Me protestua, po. Është demokraci dhe krejt legjitime.
Por, nëse protesta është për territorin, atëherë vendi i saj është në Podgoricë, kundër atyne që nuk i pranojnë këto kërkesa. Në Tuz nuk protestohet për territorin, por kundër Forumit Shqiptar dhe pushtetit në Tuz.
Edhe kjo është legjitime në demokraci, por jo me parulla të rrejshme për territorin.
Sa për përpjekjet me na nda në baza fetare, e kanë kot.
Mund të jem mysliman apo katolik, por me na nda nuk keni. Kurrë e për jetë. Keni harrua një gjë: jemi shqiptarë dhe Malësinë kemi me e ruejtë shqiptare.
Nika, Emini e Nermini



