Nipi i Adem Jasharit: Ndjenjë shumë e mirë të shënoj gol, dua të bëhem kampion me Prishtinën

24 prill 2023 | 11:03

Lojtari 17-vjeçar i Prishtinës, Igball Jashari, njëherësh nipi i heroit legjendar, Adem Jashari, para disa ditësh debutoi me Prishtinë në Kupën e Kosovës, ku edhe ka shënuar gol nga pika e bardhë, në fitoren 6-0 ndaj Vushtrrisë, duke kaluar në finale.

Jashari ka thënë se është një ndjenjë shumë e mirë që në moshën 17-vjeçare të shënojë gol për Prishtinën.

“Falënderoj trajnerin Debatik Curri që ma besoi goditjen nga penalltia”, ka thënë Igballi në “Sports Show” të “Klan Kosova”.

Jashari ka thënë se prej shkuarjes në klubin e Prishtinës, lojtarët e tjerë e kanë pritur mjaft mirë.

“Jam mjaft i lumtur për kontributin që e kam dhënë, jemi në finale me një ekip të mirë siç është Gjilani. Por mendoj se do të kemi një rezultat pozitiv”, ka thënë ai.

Pasardhësi i familjes Jashari po ashtu ka thënë se synon që në vitin tjetër, kur të bëhet 18-vjeç, bashkë me Prishtinën të bëhet kampion.

“Kam ëndërr që vitin tjetër, në 18-vjeç, të bëhem kampion i Kosovës”, ka thënë ai.

Më tutje, ai ka thënë se skuadra e zemrës së tij është Real Madridi dhe se ëndrra e tij është që një ditë të luajë për ta, ndërsa lojtari favorit i tij është Kylian Mbappe.

Nipi i Adem Jasharit ka folur edhe për punën si kapiten në kombëtaren e Kosovës, për çfarë ka thënë se është një ndjenjë e papërshkrueshme të luash për vendin tënd.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Arsenalit vazhdon garën për titull kampion edhe pse…