Nis jozyrtarisht gara për zëvendësimin e Johnsonit

08 korrik 2022 | 08:09

Gara për ta zëvendësuar Boris Johnsonin në pozitën e kryeministrit britanik ka filluar jozyrtarisht.

Johnsoni të enjten ka dhënë dorëheqje si lider i Partisë qeverisëse Konservatore, ndërsa ka thënë se do të mbetet kryeministër derisa të zgjedhet pasardhësi i tij.

Tom Tugendhat është deputeti i fundit konservator që ka shfaqur interesim për lidership, duke iu bashkuar në këtë ambicie prokurores së përgjithshme Suella Braverman dhe deputetit Steve Baker.

Plani për zgjedhjen e kreut konservator do të konfirmohet javën e ardhshme, ndërsa kryeministri i ri pritet të zgjedhet deri në shtator.

Johnsoni ka dhënë dorëheqje pas një sërë skandalesh etike në qeverisjen e tij.

Së voni ka pasur akuza se Johnsoni ka mashtruar publikun në lidhje me sjelljen e papërshtatshme seksuale të një ligjvënësi konservator, për të cilën është thënë se ka qenë në dijeni.

Përpara dorëheqjes së tij, gati 60 deputetë konservatorë të niveleve të ndryshme kanë dhënë dorëheqje brenda dy ditësh, duke vënë në pikëpyetje funksionimin normal të qeverisë.

Në fjalimin e dorëheqjes, Johnsoni ka thënë se është vullneti i partisë së tij që ai të largohet.

Mediet kanë lakuar edhe emra të tjerë si pasues të mundshëm të Johnsonit, në mesin e tyre: sekretarja e Jashtme Liz Truss, ish-sekretari i Jashtëm Jeremy Hunt, sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace e të tjerë./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë të enjten një paralajmërim…