Nis rregullimi i rrugës 23-kilometërshe Pleshinë – Kashtanjevë

16 korrik 2020 | 16:09

Komuna e Ferizajt ka bërë me dije se ka nisur rregullimi i rrugës 23-kilometërshe Pleshinë – Kashtanjevë, e cila konsiderohet arterie e rëndësishme rrugore e turistike që lidh këtë komunë me atë të Shtërpcës.

Për t’i ndjekur nga afër punimet në këtë projekt, ka dalë edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetari i komunës, drejtorët komunalë si dhe financuesja e këtij projekti, Ministria e Infrastrukturës, konkretisht zëvendësministri Xhavit Zariqi.

Për këtë projekt, drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu, ka thënë se është investim strategjik, tejet i rëndësishëm, që lidh dhe zhvillon dy komuna. “Është një prej projekteve të rëndësishme të komunës që po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës. Ky projekt realizon shumë qëllime të komunës, së pari e lidh Ferizajn me Shtërpcën, bile i afrohet edhe Suharekës në bazë të projektit. Është një projekt 23-kilometërsh dhe ka synim zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. E afron Kashtanjevën shumë afër Ferizajt. Duke u bazuar në faktin që në Ferizaj jetojnë shumë banorë të Kashtanjevës, për kashtanjevasit ky është një projekt shumë i rëndësishëm, edhe për faktin e ndikimit në turizëm”, ka thënë drejtori Aliu.

Falënderues për këtë projekt janë shprehur edhe banorët e Pleshinës. Kryetari i këtij fshati, Sabedin Mustafa, ka thënë se ky është një projekt i qëlluar që do ta rrisë vlerën e kësaj zone dhe të krijojë mundësi të reja për banorët. Ky projekt pritet të realizohet brenda tre vjetëve dhe kap vlerën e 3.5 milionë eurove. (L.G / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës,…