Nisin punimet e projektit të unazës në Prishtinë, pritet shkarkimi i trafikut

25 nëntor 2022 | 15:52

Kanë filluar sot punimet e projektit të Unazës Qendër në lagjen Arbëria, për të cilin kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se është më i rëndësishmi në dhjetë vitet e fundit.

Rama theksoi se me këtë projekt do të mundësohet lëvizja më e mirë e trafikut dhe lidhja e Arbërisë me pjesët tjera të qytetit, pa krijuar kolona.

Ai tutje bëri të ditur se projekti pritet të përfundojë brenda tre muajve dhe se faza e parë i ka kushtuar kryeqytetit mbi një milion euro.

“Kemi filluar më një projekt që mund te them që është projekti me rëndësinë më të madhe gjatë 10 viteve të fundit për Prishtinën. Është projekti që krijon lidhje të mirëfilltë me lagjen Arbëria me dy rrethrrotullimet, të cilat mundësojnë edhe shkarkimin e madh të trafikut dhe mundësojnë edhe lëvizje shumë më të mirë edhe më të lirë edhe për transport alternativ: biçikleta, trotinete dhe këmbësorë”.

“Këtë po e bëjmë të mundur dhe është një projekt madhor, ku faza e parë është 700 metra dhe është 1 milion e 141 mijë euro. Vitin tjetër vazhdojmë me këtë projekt edhe me fazën e dytë që ndërlidh rrethrrotullimin e madh, i cili e lidhë Prishtinën me Fushë Kosovën dhe Mitrovicën… Ka me qenë një projekt i cili përkundër madhësisë së tij pretendojmë ta kryejmë brenda 90 ditëve pune. Tash jeni më fund të nëntorit kështu që do të kemi problem me kohën, shpresoj jo shumë, mirëpo ky është plani dinamik të cilit do të mundohemi t’i përmbahemi me përpikmëri”, u shpreh kryetari.

Ndërkaq, drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferri, tha se me këtë projekt synohet të gjendet zgjidhja për këmbësorët që kalojnë këtë rrugë. Po ashtu, ai shtoi se pritet të ndërtohet një tunel i cili mundëson kalimin e hekurudhave pa u penguar nga varrezat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka…