Një delegacion i BQK-së po merr pjesë në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së në Uashington

15 prill 2024 | 12:35

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, po merr pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Uashington.

Delegacioni i BQK-së do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare dhe pritjet e mëtejshme.

Në takimet që do të zhvillohen nga 15 deri më 21 prill, guvernatori Ismaili do të prezantojë prioritetet për sektorin financiar në pajtim me objektivat dhe planin strategjik të BQK-së, përditësimin lidhur me zbatimin e programeve dhe asistencave teknike profesionale, përfshirë nevojat e reja për mbështetje profesionale.

Në kuadër të vizitës zyrtare në ShBA, përfaqësuesit e BQK-së do kenë takime bilaterale me drejtuesit e Departamentit Thesarit të ShBA-së, Bankës Federale të New York – FED (Banka Qendrore Amerikane), si dhe me homologët nga bankat qendrore partnere.

Në kuadër të takimeve pranverore të FMN-së dhe BB-së, guvernatori Ismaili do të takohet me zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së, Bo Li, drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Kammer, zëvendëspresidenten e BB-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, Bassani, zëvendëspresidentin e BB-së njëherësh drejtor i Thesarit, Familiar, drejtorët ekzekutiv të Konstituencave të FMN-së dhe BB-së, Palotai dhe Demircan.

Gjithashtu, delegacioni i BQK-së do të ketë takime me drejtues dhe zyrtarë të lartë të institucioneve financiare për bashkëpunim në fusha të interesit.
Paraprakisht në Boston të ShBA-ve, guvernatori i BQK-së takoi drejtues të Universitetit të Harvardit, duke përfshirë dekanin e Harvard Kennedy School, dr. Elmendorft dhe profesorë eminentë që kanë shërbyer në pozita të rëndësishme shtetërore, si krye-ekonomistë, drejtues të Departamentit të Thesarit, anëtarë të Bordit të Rezervës Federale (FED Board), këshilltarë të ekonomisë në Shtëpinë e Bardhë.

Guvernatori Ismaili vizitën me ftesë të Universitetit e përmbylli me një ligjëratë para studentëve dhe publikut në kampusin e Harvardit, me temën “Tejkalimi i sfidave të sistemit financiar: Rasti i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të…