Një diplomat si Arjan Kashtanjeva

17 maj 2022 | 13:09

Nga Mimoza Cika

U bënë dy-tre javë që shqiptarët në Republikën e Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW) në Gjermani janë ndjerë të indinjuar me vendimin e papritur të Ministrisë së Jashtme në Prishtinë.

Konkretisht, Konsulli i Përgjithshëm, Arjan Kashtanjeva urdhërohet të lërë para kohë detyrën dhe të kthehet në Kosovë, për t’i lerë vendin një tjetër diplomati. Arsyen ende nuk e kemi marrë vesh. Fillimisht për ata që nuk e dinë, ky Land mbeti pa Konsullatë deri para tre vjetësh për faj të krerëve të diplomacisë kosovare.

Qeveritë e njëpasnjëshme në Prishtinë injoruan qindra mijëra shqiptarë në këtë Republikë, injoruan potencialin e madh ekonomik të shqiptarëve në këtë Land, potencialin e tyre arsimor dhe atë kulturor, etj. Vetë Landi, NRW, që me 17,5 milionë banorë zë vendin nr.1 të investimeve gjermane dhe që është një nga tregjet më të mëdha evropiane u la në hije nga diplomacia kosovare.

Një mëkat i madh me pasoja fatale për vendin, sepse investimet e huaja mbeten jetike për rritjen ekonomike të Kosovës. Interesi i investitorëve gjermanë veçanërisht në këtë Land për të investuar në Kosovë dhe i investitorëve shqiptarë për të bashkëpunuar me kompani gjermane ka ardhur ndërkohë duke u rritur shumë.

Konsullata në Dyseldorf në këto tre vjet punë me z. Koshtunjeva në krye i ka larë tërë “borxhet” e boshllëkut të krijuar prej nje dekade duke u bërë një urë lidhëse e një bashkëpunimi mjaft të frutshëm mes dy vendeve.

Arjan Kashtanjeva që hapi për herë të parë dyert e kësaj Konsullate në këtë Republikë ka bërë një punë të shkëlqyer në misionin e tij diplomatik dhe po ashtu në kontributin e tij fisnik për të bashkëpunuar me shqiptarët e këtij Landi pa dallim ngjyrash politike apo fetare.

Duke shërbyer në misionin diplomatik të Republikës së Kosovës prej fundvitit 2019 dhe në një vend si Gjermania, Arjan Kashtanjeva arriti të krijojë një profil interesant, për shkakun se ai ishte një diplomat me përvojë dhe një njohës shumë i mirë i historisë dhe kulturës gjermane, pasi edhe studimet i ka kryer në Mynster të Gjermanisë.

Duke qenë mjaft mirë i integruar dhe njohës i marrëdhënieve gjermano-shqiptare fillimisht e më pas të marrëdhënieve gjermano-kosovare, aftësitë e tij kanë sjellë një refleksion të rëndësishëm për gjithë marrëdhëniet komplekse që një intelektual, diplomat i nivelit ë tij duhet të ketë në raportet njohëse me shtete të tilla si Gjermania apo një vend tjetër.

Urojmë që Ministria e Jashtme ta anulojë vendimin duke i dhënë shanse Konsullit të vazhdojë punën e nisur deri në përfundim të mandatit të tij katërvjeçar. Edhe zëri i Diasporës duhet dëgjuar.

Arjan Kashtanjeva na ofroi modelin se si duhet të jetë një diplomat i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zjarr raportohet të ketë shpërthyer pak më parë në…