Një letrar i bashkëngjitet Lëvizjes së Kurtit

19 gusht 2019 | 20:19

Flamur Maloku u anëtarësua sot në Lëvizjen Vetëvendosje.

Lajmin e ka bërë me dije lideri i LV-së, Albin Kurti, i cili ka thënë se Flamuri është asistent ligjërues në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në atë të Gjilanit “Kadri Zeka”, në Kolegjin Evropian”Juridica”, si dhe anëtar i Këshillit të Librit në Ministrinë e Kulturës.

“Ka qenë redaktor në disa revista të kulturës, artit, e sidmos ato letrare”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Është 34 vjeçar, por nuk bën t’ia fshehim ditëlindjen se e ka me 28 nëntor. Flamur Maloku u anëtarësua sot në VETËVENDOSJE!. Diskutimet me të në parkun e qytetit gjithnjë më vonojnë për takimet e radhës, sepse zgjatemi me ëndje në qëmtime e përsiatje.

Studimet themelore (me notë mesatare 9.96) Flamuri i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Filologjisë, Degën e Letërsisë Shqipe, në të cilën i përfundoi edhe studimet postdiplomike (me notë mesatare 9.97). Ka përfunduar edhe studimet e doktoratës në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë (me notë mesatare 9.96).

Flamuri është asistent ligjërues në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në atë të Gjilanit “Kadri Zeka”, në Kolegjin Evropian”Juridica”, si dhe anëtar i Këshillit të Librit në Ministrinë e Kulturës. Ka qenë redaktor në disa revista të kulturës, artit, e sidmos ato letrare.

Flamuri ka botuar katër libra: “Shtresimet e tekstit”, “Diskursi dhe shenja”, “Polisemia e veprës”, si dhe “Metakritikë për Fishtën”. Po ashtu ka botuar edhe tre libra me poezi “Mythosi i jetës”, “Nafora” dhe “Bryma e zezë”, një mori trajtesash dhe shkrimesh kritike, si dhe ka marrë pjesë në shumë seminare e sesione shkencore. Në vijim janë shpërblimet letrare që ka fituar:

2006 – Çmimi i parë i “Konkursit letrar 2006”, organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” Prishtinë, për kritikën më të mirë, “Fiksioni dhe shkrimi”

2008 – Çmimi i parë i “Konkursit letrar 2008”, organizuar nga “Zahiri” Prishtinë, për esenë më të mirë (“Lexuesi dhe libri”)

2010 – Çmimi special, organizuar nga “Pegasi”, për librin poetik “Nafora”, Tiranë

2009 – Çmimi i parë për poezinë më të mirë “Prolepsë”, Takimet e Don Mikelit, Stubëll

2013 – Çmimi për veprën më të mirë letrare në kritikë, estetikë të botuar brenda vitit 2013, “Polisemia e veprës”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Alternativës Demokratike të Kosovës (ADK), Edita Tahiri, ka…