Një muaj paraburgim për shoferin që dyshohet se shkaktoi aksidentin në Kroaci

27 korrik 2021 | 09:56

Shoferit të autobusit nga Kosova, që është aksidentuar të dielën në Sllavonski Brod të Kroacisë, i është shqiptuar masa prej 30 ditësh paraburgim.

Gjykatësi i rastit, Mille Solldo, ka deklaruar për media se paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut që i dyshuari mund të arratiset.

Ai ka shtuar se Kroacia ka marrëveshje bashkëpunimi me Kosovën në çështjet penale, ndonëse e njëjta nuk parasheh edhe ekstradimin e shtetasit kosovar, andaj edhe është caktuar masa e paraburgimit.

“Procedurat do të zhvillohen në Kroaci. Por, sipas marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Kroacise, ekziston mundësia ligjore që procedura të zhvillohet edhe në Kosovë. Por, për këtë duhet pajtimi i dy shteteve. Mbrojtja mund ta kërkojë një gjë të tillë, por propozimi duhet të bëhet nga shteti”, ka thënë ai.

Gjykatësi Solldo ka thënë se gjatë ditës së martë, pritet të merren në pyejtje edhe disa dëshmitarë.

Si pasojë e aksidentit të së dielës, kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë.

Njëri shofer ka vdekur, ndërsa tjetri, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit, besohet se ka shkaktuar aksidentin.

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar të martën për lirimin nga spitali të 26 personave të plagosur në aksident.

Mehaj ka thënë se 15 persona janë duke u trajtuar ende, ndërkaq njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Sipas tij, të liruarve nga spitali dhe pjesës tjetër të udhëtarëve do t’iu sigurohet transporti përmes linjave ajrore nga Aeroporti i Osjekut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është dërguar…