Një rrëfim tjetër… 5 mars 1998

05 mars 19:55

Shkruan: Bujar Dugolli / 

Para disa ditësh më ranë në dorë transkriptimet e takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar (UK), z. Robin Cook,  të zhvilluar me 5 mars të vitit 1998.

Në Kosovë, situata ishte tepër e rëndur, ajo që kishte ndodhur në Likoshan dhe Qirez, ishte tregues i qartë i rrugës në të cilën po hynte vendi ynë. Teksa shkonim në takim, rrugës morëm lajmin se forca të shumta policore e ushtarake serbe, veçse kishin mësyrë Prekazin e Drenicës, ndërsa në ndërkohë, mësuam për ata çfarë po ndodhte atje, më saktësisht në Prekaz, po luftohej dhe se cak i sulmit ishte familja e Jasharajve.

Në cilësinë e udhëheqësit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, kishim marrë ftesë nga ambasada britanike në Beograd, për takim më Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Robin Cook. Atë ditë, bashkë me Albinin, për në takim, udhëtuam me makinën e Shasivar Makollit, i cili njëherit ishte shoqëruesi dhe shoferi i Adem Demaçit, pasi nuk kishim makinë dhe formë tjetër për të udhëtuar për në atë takim.

Britania e Madhe kryesonte Bashkimin Evropian, në atë kohë, prandaj takimi me Ministrin Kuk, ishte edhe njoftim i institucioneve kryesore evropiane për të vërteten e Kosovës.  Takimi ishte caktuar në mesditë, transkriptet dhe kabllogramet e ambasadës shqiptare që po e njoftonin Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë lidhur me zhvillimet, fiksojnë kohën 12:15 -14:00, ndërsa rezidenca e Ambasadorit britanik në Beograd, ishte vendi i takimit.

Pikat e takimi ishin caktuar në lidhje me tema të tjera, si kthimi i autonomisë së Kosovës dhe zbatimi i të ashtuquajturës ‘’Marrëveshje e Arsimit’’, e nënshkruar në mes Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Milloshevçit, në vitin 1996, por ajo që kishte filluar të ndodhte në Kosovë, i dha kahje tjetër tërë këtij takimi.

Ministri Kuk, hapi takimin duke na njoftuar se brenda javës, do të mbahej mbledhja e radhës së Grupit të Kontaktit, ndërsa ai do ta kryesonte takimin, prandaj ishte i interesuar që të dëgjonte mendimin e Lëvizjes së Studentëve, lidhur me idenë e rikthimit të autonomisë për Kosovën, e suprimuar më parë.

Ne reaguam duke e njoftuar Ministrin Kuk, se në orët e hershme të mëngjesit, kishte filluar një aksion i madh policor dhe ushtarak në Prekaz, kundër familjes Jashari, dhe e njoftuam se policia dhe ushtria serbe po kryente krime të llahtarshme kundër civilëve shqiptarë dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa për të parandaluar krimet serbe. Në atë moment, Ministri Kuk, i shqetësuar me informacion që dhamë, kërkoi që takimi të ndalej për pak, sigurisht për ta konfirmuar informacionin që sa ia thamë….

15 minuta më pas…

Ministri Kuk u kthye në takim, ndërsa shërbimet britanike e kishin njoftuar atë se informacioni është i saktë dhe se aksioni ushtarak tashmë ishte ndërmarrë në Drenicë dhe ende po vazhdonte. Ministri Kuk, ndonëse e kishte të konfirmuar informacioni, kërkoi të vazhdonte sipas agjendës, për të parë qëndrimin tonë lidhur me temat e paracaktuara.

Ne treguam qëndrimin tonë, duke e hedhur poshtë idenë e rikthimit të autonomisë, duke e arsyetuar faktin se ajo nuk ishte zgjedhje e problemit të Kosovës, dhe një ide e tillë, vetëm sa do ta përkeqësonte situatën atje. Ministri Kuk e kuptoi situatën e re, por edhe  shqetësimin tonë, ndërsa lidhur me idenë e autonomisë, nuk insistoi më shumë. Takimi vazhdoi për të ashtuquajturat zgjedhjet e lira që kishte paralajmëruar të mbante LDK-ja. Qëndrimi jonë ishte i qartë, këto zgjedhje ishin vetëm improvizime dhe të papranueshme për ne, ndërsa Kosova, nga sot, 5 mars 1998, është në luftë, prandaj e lutëm zotin Kuk që të ndihmonte popullin e Kosovës për të parandaluar krimet dhe gjenocidin.

Zoti Kuk na siguroi se, do të bartë qëndrimin dhe shqetësimin tonë, jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe në Grupin e Kontaktit dhe në Bashkimin Evropian. Pas përfundimit të takimit me ne, ishte planifikuar të mbahej takimi edhe me përfaqësuesit e LDK-së, në krye me Fehmi Aganin.

Ishim dëshmitarë se ngjarjet e marsit të vitit 1998, e ndryshuan kursin politik dhe diplomatik,  dhe ndryshuan drejtimin e zhvillimeve politike në Kosovë, kurse rënia e lavdishme e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, përcaktuan përjetësisht fatin e Kosovës.

Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Adil Behramaj -  Te drama e Shekspirit, Hamleti, heroi,…