Një SHBA globale nuk mund t’i shmanget përplasjes me Kinën dhe Rusinë

09 korrik 2021 | 20:43

Nga David L. Phillips

Harrojeni normalizimin e marrëdhënieve; SHBA është në kurs përplasjeje me dy kundërshtarë kokëfortë që duan të testojnë lidershipin dhe zgjidhjet e saj globale.

SHBA është në kurs përplasje me Kinë dhe Rusinë, si për çështje ideologjike, ashtu edhe ndikimi. Si një demokraci liberale, sistemi qeverisës amerikan është antitezë e modeleve autoritariane të qeverisjes në Kinë e Rusi, që të dyja shkelëse përsëritëse të të drejtave të njeriut. Larg “fuqizimit paqësor”, reklamuar nga Xi Jinping, Kina dhe Rusia po farkëtojnë një konflikt në Ballkanin Perëndimor, në Detin e Kinës së Jugut dhe në Ukrainë për të testuar aftësinë e Amerikës për t’i zgjidhur këto konflikte.

Vëllazëria kino-ruse daton që prej themelimit të Partisë Komuniste Kineze, 100 vite më parë. Komunistët kinezë u frymëzuan nga Revolucioni Bolshevik i 1917-s dhe konsolidimi i tyre përgjatë territorit të pafund të ish-Perandorisë Ruse.

Ashtu si Rusia, Kina komuniste lindi e vijoi nga një seri konfliktesh. Komunistët dëbuan si forcat pushtuese japoneze, ashtu edhe ato nacionaliste të Chiang Kai-shek. Ushtarët kinezë morën pjesë në luftën koreane në vitin 1950. Kina ishte gjithashtu në një luftë brenda vetes gjatë revolucionit kulturor të 1960. Kina mori flamurin e komunizmit në vitin 1991, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Rusia është një fuqi botërore në rënie, Kina është në ngjijtje. Xi dhe Vladimir Putin bëhen bashkë edhe nga ndjesia e turpërimit që nga fuqitë e tjera të mëdha dhe opozitarizmi i Perëndimit.

As Kina dhe as Rusia nuk dëshiron që të përballet drejtpërdrejtë me SHBA. Sot, ato farkëtojnë dhe dirigjojnë konflikte në vende të treta dhe në fushën e krimit kibernetik. Objektivi i tyre është që të mohohen vlerat universale të lirisë dhe demokracisë teksa minojnë lidershipin e SHBA dhe institucioneve perëndimore, si NATO dhe BE. Pas takimit Biden-Putin, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov paralajmëroi: “Hegjemonia juaj përfundoi! Rregullat tuaja nuk zbatohen më”.

Kina dhe Rusia do të vazhdojnë që të testojnë kufijtë e fuqisë së tyre, deri në momentin kur do të ndalen. Kur bajoneta takon mishin, ajo ngulet thellë! Xi paralajmëroi së fundmi se ata që do të përpiqen të parandalojnë fuqizimin e Kinës do të kenë përballë një “mur çeliku”. A ishin këto deklarata në drejtim të Perëndimit, apo për konsum të brendshëm politik? Reputacioni i Xi është dëmtuar për mënyrën se si vendi përballoi pandeminë e Covid. Mrekullia ekonomike kineze po ngadalësohet, ku në 2018 u rrit vetëm 6.6 për qind, më e ulta në 28 vitet e fundit. Popullsia po plaket, duke ngadalësuar akoma më shumë rritjen ekonomike. Partia Komuniste është e përbërë nga elitat, që vështirë se përfaqësojnë 1.4 miliard kinezët e thjeshtë.

Ukraina nga ana tjetër është një tjetër pikë e nxehtë për një konflikt të mundshëm mes Rusisë dhe Perëndimit. Rusia mbështet separatistët në Donbas në jug-lindje të Ukrainës. Së fundmi tensionet u përshkallëzuan me përplasjen me anijen britanike HMS Defender, që po lundronte në ujërat ndërkombëtare pranë Krimesë, që Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Britania nuk e njeh aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe as pretendimet ruse për ujërat territoriale ukrainase në Detin e Zi. Sipas Kryeministrit Boris Johnson, “Me rëndësi është që Londra nuk njeh aneksimin rus të Krimesë. Është pjesë e territorit të Ukrainës dhe ne zbatojmë ligjin e detit dhe të ndjekim lirinë e lundrimit, ashtu siç kemi bërë”.

Përgjigja ruse ishte e ashpër me raprezalje ushtarake e diplomatike. Avionët ushtarakë rusë thuhet se qëlluan të shtëna paralajmërues ndaj anijes britanike. Moska thirri ambasadorin britanik dhe paralajmëroi masa shtesë nëse anija britanike vazhdonte të lundronte në ujërat pranë brigjeve të Krimesë.

Kina është ngjashmërisht konfliktuale. Në Detin e Kinës së Jugut, një zonë e pasur me hidrokarbure dhe ku kalon çdo vit 3.4 triliardë dollarë tregti globale.Kontrolli i kësaj zone nuk shihet kritik vetëm për të kontrolluar trafikut tregtar, por edhe projektin kinez për t’u shndërruar në fuqi rajonale me zgjerimin e marinës detare. Në kundërshtim me ligjet e detit, anijet kineze goditën dhe fundosën një anije peshkimi vietnameze pranë ishujve Parcel, vitin e kaluar.

Kina është duke ndërtuar një bazë detare, që e quan “stacion kërkimor” pranë Subi Reef. Filipinet e denoncuan këtë akt të Kinës në Arbitrazhet ndërkombëtare, që vendosën në favor të tyre dhe cilësuan si nul aksionet kineze. Kina thjesht injoroi vendimin e gjykatës dhe nxiti edhe më shumë tensionet me Filipinet, Vietnamin, Brunein, Malajzinë dhe Tajvanin. Kina po përballet gjithashtu edhe me Japoninë për ishujt Senkaku në Detin e Japonisë.

Administrata Obama iu përgjigj me operacionet në kuadër të lirisë së lundrimin. Luftëanijet amerikane lundruan deri në 12 milje larg ishujve të kontestuar pa njoftuar dhe pa kërkuar leje. Duke zbatuar ligjin ndërkombëtar të detit, SHBA kundërshtoi direkt qasjen kineze të faktit të kryer në këto rajone. Edhe Biden ka rifilluar këto operacione, por a do të mjaftojnë për të parandaluar orekset e Kinës?

Ballkani Perëndimor është gjithashtu një zonë e rrezikshme tensioni. Mbështetur nga Rusia, Serbia refuzon që të njohë Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovrant. Ajo po bllokon përpjekjet e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetet e tjera.

Rusia dhe Serbia kanë intimiduar Kosovën me vendosjen e postave ushtarake pranë kufirit me të. Rusia pretendon se baza e saj në Nish, në juf të Serbisë është për emergjencat civile dhe operacione humanitare. Por, baza po përdoren për mbledhjen e informacionit nga Ballkani Perëndimor. Serbia vetë ka vendosur 11 posta të tjera ushtarake pranë kufirit me Kosovën. Ky demostrim force synon që të frenojë Kosovën nga anëtarësimi në NATo dhe njohja nga të gjitha vendet e BE. Rusia mbështeti një grusht shteti në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, kur këto po anëtarësoheshin në NATO.

Negociatorët nga Serbia dhe Kosova po takohen prej 10 vitesh. Dialogu rinisi më 15 qershor. Serbia zgjodhi pikërisht këtë ditë për të zhvilluar një trajnim ushtarak masiv me 15 trupa dhe përfshirjen e armatimeve ruse, si tanket T-72M, avionët luftarakë MiG-29 dhe helikopterët e sulmit Mi35.

Dronët luftarakë të blerë nga Kina ishin gjithashtu pjesë e stërvitjes, të koduar “Operacioni Goditja e Rrufesë”. Ky operacion ishte një paralajmërim për Kosovën që të braktisë objektivin e saj, që është integrimi euro-atlantik. Gjurmët e Kinës në rajon janë gjithashtu shqetësuese.

Vuçiç refuzon ta pranojë që Serbia e humbi Kosovën për shkak të krimeve të Millosheviçit. Një Kosovë e pavarur, e lirë dhe pro-Perëndimore nuk do të bashkohet më kurrë me Serbinë. Teksa Kosova përgatitet për fazën tjetër të dialogut me Serbinë, ka një shtim të zërave që kërkojnë braktisje të këtij dialogu deri kur baza ushtarake ruse në Nish të mbyllet. Udhëheqësit e Kosovës nuk mund të shfaqen në Bruksel me një armë të drejtuar nga koka dhe as mund të diskutojnë pavarësinë, të njohur nga më shumë se 110 vende.

Kina dhe Rusia veprojnë në koordinim me njëra-tjetrën në ballkan. Serbia është një përfituese e madhe e nismës kineze të “Rrugës së Mëndafshit”. Në këmbim, Serbia mbështet shtypjen kineze të demokracisë në Hong-Kong, abuzimet me të drejtat e njeriut në Xinjang dhe qëndrimin e ashpër ndaj Tajvanit. Vuçiç kërcënon BE me qëndrimet zyrtare në mbështetje të Kinës dhe paralajmërimin e zgjerimit të këtij bashkëpunimi në fushën ushtarake.

Agjencia Ruse e Inteligjencës, GRU, është aktive në Serbi dhe në mbarë botën. Departamenti i Sigurisë Kombëtare në SHBA thotë se rusët spiunojnë agjencitë qeveritare dhe ato industriale amerikane. Rusët mund të kenë qenë pas sulmit kibernetik që goditi gazsjellësin Colonial. Rusia sulmoi gjithashtu dhe sistemin zgjedhor amerikan në 2016-n. Rusia qëndoron pas ndikimeve malinjë që synojnë përçarjen e shoqërisë amerikane.

SHBA nuk mund të mbyllë sytë përballë këtyre agresioneve të koordinuar nga Kina dhe Rusia. Ajo duhet të punojë në farkëtimin e një aleance ndërkombëtar për të zgjeruar operacionet detare në Detin e Kinës së Jugut. Duhet të mbështesë lirinë e lundrimit në Detin e Zi, duhet të forcojë sanksionet dhe tregojë se SHBA dhe aleatët e saj kanë zero tolerancë ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Kur vjen puna të Kosova, SHBA e ka në dorë vetë. Dialogu Kosovë-Serbi është absurd. Nëse SHBA dëshiron që ky dialog të ketë rezultat, duhet të caktojë një të dërguar të posaçëm presidenciale që të ndërmjetësojë. Mund ta detyrojë Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç që ta njohë Kosovën duke kërcënuar me ngrirje të aseteve offshore të Vuçiç dhe vëllezërve të tij.

Bisedimet nuk mund të jenë mbi statusin e Kosovës. Ato duhet të fokusohen te statusi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Kjo kërkon punë dhe SHBA duhet të kërkojë gjithashtu edhe mbylljen e bazës ruse në Nish dhe bazave të tjera ruse në Serbi, duke vendosur edhe një embargo armësh ndaj Serbisë. Spiunët në ambasadat kineze dhe ruse, që operojnë nën kostumin e diplomatit duhet të dëbohen.

Kina dhe Rusia janë kundërshtarë strategjikë të SHBA. Ato po testojnë SHBA dhe aftësinë e saj për të udhëhequr botën. Për të shmangur një konflikt ushtarak madhor në të ardhmen, SHBA duhet t’i ndalë këto provokime sot. Boll me mendime e dëshira për një “rilindje” të marrëdhënieve. Tani është koha për t’u përballur me Kinën dhe Rusinë, që duhet të paguajnë çmimin për aktivitetet e tyre malinje.

David L.Philips është Drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të njeriut në Universitetin e Kolumbias. Në të shkuarën ka shërbyer si këshilltar për çështjet e jashtme me Presidentet Clinton, Bush dhe Obama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiç, u ka thënë të premten…