Një sistem funksional i infrastrukturës së cilësisë parakusht për standardet e prodhimeve në rajon

28 shtator 2022 | 15:00

Një sistem funksional i infrastrukturës së cilësisë është një katalizator për përmirësimin e cilësisë së prodhimeve në një ekonomi. Duke marrë një certifikatë cilësie, produktet e testuara mund të eksportohen më lehtë në tregje të tjera. Ekzistenca e institucioneve të forta që do të vërtetojnë cilësinë e produkteve dhe do të sigurojnë mbrojtjen e konsumatorëve është një parakusht i padiskutueshëm për një rritje të shkëmbimit (importit dhe eksportit) të mallrave brenda tregjeve të CEFTA-s.Kjo u vlerësua në takimin rajonal BE për Biznesin: Nxitja e tregut të përbashkët rajonal nëpërmjet infrastrukturës se cilësisë dhe tregtisë elektronike, i cili u mbajt në Budva. Takimi u organizua nga GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) në kuadër të projektit “Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal” në emër të Bashkimit Evropian (BE) dhe Ministrisë Federale Gjermane të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit (BMZ)

Ky takim mblodhi përfaqësues të ekonomive të vendeve të CEFTA-s që synojnë të hapin diskutimin mbi zhvillimin e një të kuptuari të përbashkët të veprimeve të posaçme për të lehtësuar tregtinë tek prodhimet industriale bazuar në njohjen e certifikatave të konformitetit.

Tanja Boskoviç, Menaxhere e Projektit në GIZ deklaroi se të gjitha përpjekjet e investuara në përmirësimin e infrastrukturës së cilësisë janë plotësim i aktiviteteve të vazhdueshme, të përbashkëta me vendet e CEFTA-s për të mbështetur zbatimin e reformave tregtare në rajon, në përputhje me kërkesat e procesit të aderimit  në BE. “Ne jemi shumë të prirur të diskutojmë në lidhje me këtë temë të rëndësishme, e cila do të zgjerojë dhe mbështesë më tej integrimin ekonomik rajonal, nëpërmjet komponentit që synon të lehtësojë tregtinë e mallrave industriale, bazuar në njohjen e certifikatave të konformitetit”, shtoi ajo. “Infrastruktura e cilësisë është thelbësore për harmonizimin dhe njohjen e standardeve, rregullave teknike dhe certifikatave të konformitetit, duke prekur drejtpërsëdrejti tregtinë ndër-rajonale dhe ndërkombëtare të mallrave. Për më tepër, një sistem efektiv i infrastrukturës së cilësisë mbron konsumatorët nga prodhimet e pasigurta dhe bizneset nga kostot e shtuara dhe konkurrenca e pandershme. Kjo është arsyeja se pse bashkëpunimi rajonal në këtë fushë nuk është një opsion, por përkundrazi është një domosdoshmëri,” përfundoi ajo.

David Hudson, përfaqësues i DG NEAR (Drejtoria e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit) u shpreh se për shkak se eksportuesit duhet të përmbushin standarde të ndryshme për të eksportuar në tregjet e huaja kjo kushton kohë dhe para, ndërkohë për konsumatorët kjo do të thotë çmime më të larta. “Duke krijuar një Treg të Përbashkët Rajonal, ku testet për të konfirmuar standardet (të njohura si vlerësimi i konformitetit) janë të përmbushura dhe të njohura anembanë rajonit, këto kosto janë reduktuar në përfitim të prodhuesve dhe konsumatorëve. Sot në Malin e Zi, rajoni po punon për ta bërë këtë një realitet”, deklaroi ai.

Danijela Gačević, nga Sekretariati i CEFTA-s, deklaroi se lëvizja e lirë e mallrave është një nga parimet kyçe të tregtisë së lirë. “Heqja e pengesave teknike për tregtinë midis vendeve të CEFTA-s është një mënyrë për të mbështetur kompanitë për të zhvilluar më tej veprimtaritë e tyre. Njohja e rezultateve të procedurave të vlerësimit të konformitetit , e cila e bën hyrjen e prodhimeve në tregje më  shpejt dhe më  lirë, është sigurisht një instrument efektiv”, theksoi ajo.

Hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë drejt afrimit të rajonit me Tregun e Përbashkët  të BE-së. Plani i Veprimit të Përbashkët Rajonal parashikon se Tregu i Përbashkët Rajonal do të funksionojë në përputhje me acquis e BE-së për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave industriale në rajon. Për këtë, është e nevojshme një Infrastrukturë e Cilësisë (IC) plotësisht funksionale dhe e mirë-strukturuar. Projekti do të mbështesë vendet e CEFTA-s për të rritur kapacitetet e institucioneve të infrastrukturës së cilësisë që të ofrojnë një rang të gjerë shërbimesh të IC-së, për të siguruar konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorit nëpërmjet një sistemi të përmirësuar të mbikëqyrjes së tregut.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan synon të marrë shërbimet e sulmuesit shqiptar në…