Një vizion i ri shkencor në fizikë

06 shkurt 2023 | 10:31

Prof. as. dr. Hajdin Abazi

Të marrësh në duar një libër si ky është një rast tepër i rrallë, thuaja si përjashtim. Sepse ke një narra­cion krejt ndryshe shkencor, që nuk haset askund tjetër. Vrushkujt e njëpasnjëshëm të ideve shfaqen sikur të ishte fjala për një magji. Janë ide krejt të reja, të padëgjuara më parë nga asnjë shkencëtar. Te këto ide që, në fakt, janë fenomene në mikrobotën e cila shpërfaqet me tjetër pamje metafizika, gjithsesi të panjohur. Kjo është forca që e bën pikëpamjen shkencore të Naim Krasniqit të jetë, thënë më së buti, provokuese, sepse hap një perspektivë dhe horizont tërësisht të ri.

Ndonëse e kam të njohur mirë teorinë e N. Krasniqit mbi fushën antimagnetike dhe anti­elektrostatike, për të cilat edhe kam shkruar kur e kam lexuar për herë të parë dorëshkrimin e këtij libri, e kam përjetuar një gjendje shoku, sikur kur futesh në një botë krejtësisht të re, të panjohur dhe që të duket e befasishme në çdo hap. Ajo që më këndellte ishte logjika e para­shtrimit dhe e shtjellimit, duke i dhënë një kohezion dhe qëndrueshmëri asaj që shpaloset në këtë libër.

Përjetova diçka të ngjashme si Platoni me doktrinën e atomeve, dhe si autoriteti kishtar me teorinë helio­centrike. Kam lexuar se Platoni librat që shtjellonin atomizmin i kërkonte me ngulm, jo që t’i studionte, por që t’i asgjësonte, sepse e konsideronte si teori koti. Ndonëse e parashtruar nga një njeri i përkushtuar i kishës – Nikolla Koperniku, ishte kisha, organet për­ndjekëse të saj, që ndiqte të gjithë ithtarët dhe njerëzit që merreshin me aspektet teorike të heliocentrizmit në astronomi. Përderisa në antikitet e pësonin librat, në ag të Renesancës Evropiane e pësonin shkencëtarët – Xhordano Bruno u dogj në furrë të druve, ndërsa Galileo u dënua nga gjykata.

Pse këto reagime kaq drastike? Sepse ato sillnin një metafizikë të re, e cila në themel ishte shkencore, ani se i mungonte asokohe baza empirike si mbështetje. Atomizmi antik po zhvillonte një pikëpamje natyra­liste, ku universi paraqitej në një vizion të fuqishëm materialist, por pa bazë të mjaftueshme. Heliocentrizmi në astronomi po parashtronte një konfiguracion tjetër të universit, tjetër nga ai që për rreth dy mileniume kishte mbisunduar mendimin shkencor.

Shumica thuaja absolute nuk u besonte dhe i hidhnin poshtë duke argumentuar kundër. Por nuk ishte puna për t’i hedhur poshtë, sepse ato ishin ende në fosh­njëri dhe lehtë mund t’i rrëzoje. E pra, koha tregoi se ato nuk ishin fantazi. Iu deshën më shumë se dy mijë vjet shkencës për ta konstatuar ekzistencën e ato­meve. Iu desh mbi një shekull për ta gjetur bazën shkencore të heliocentrizmit në astronomi – gravita­cionin. Të dyja këto teori ishin shumë përpara shken­cave ekzistuese, aq të largëta ishin sa dukeshin si të pamundshme, por ja që ishin shkencore.

Edhe ky libër i Naim Krasniqit sjell risi kaq të shumta saqë njohuritë e tashme duken si minimale në kraha­sim me ato që shpalosen këtu. Na paraqitet një struk­turë shumë më ndryshe e atomit, e cila është shumë më komplekse dhe me më shumë forca vepru­ese sesa që kemi menduar.

Këtu jepet një shpjegim koherent i unitetit dhe i ekzistencës së mikrobotës. Shpjegohen forcat e forta e forcat e dobëta bërthamore dhe shkaktarët e tyre. Tregohet se atomi ka një bërthamë të vetën, që e mban tërë strukturën e atomit. Një sërë grimcash të reja parashtrohen, krejt të panjohura deri më sot. Tregohet ekzistenca e membranës radioaktive, një risi tepër e veçantë kjo që shpjegon shumëçka brenda bërthamës së atomit. Ndryshojnë ngarkesat elektrike të atomit, por edhe shtohen një sërë forcash e fushash të reja.

Të gjitha këto, dhe shumë të tjera, hapin dyert e një bote të panjohur, por shumë intriguese për ta njohur. Nëse, fjala vjen, struktura e atomit është kaq ndryshe nga sa besohet sot se e njohim dhe është aq komple­kse, kjo sikur bën të ditur se të merresh me dezin­tegrimin e atomit është një ndërmarrje me shumë të panjohura. Autori sikur jep një shenjë të mundshme të zgjidhjes.

Nuk di se si do të pritet ky libër nga qarqet shken­core, por e di se shkencëtari Naim Krasniqi me teoritë e tij mbi fizikën përgjithësisht, dhe tash mbi mikro­botën, po i jep përmbajtje me koherencën logjike një pjese të universit – të gurthemelit të saj: atomit, duke treguar se kaq shumë kemi ende për të njohur, naty­risht, nëse kemi guxim të merremi me ide të reja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i futbollit Faruk Statovci ka konfirmuar lajmin për sulmin…