Një zë ndërgjegjeje nga Kosova e shqiptarisë

21 prill 2019 | 14:38

Isa Ferizaj

Pasditja e shtatëmbëdhjetë e këtij prilli, sikur më shkundi nga një lumnajë hamendësishë që prej kohësh vërtiteshin sa nga një cep i mendimit, në tjetrin cep të dyshimit. Nga ana tjetër e telefonit u dëgjua zëri i një vëllait tim të idealit kombëtar e njerëzor, shumë të nderuar e të respektuar, zëri i ish njërit prej komandantëve të formacioneve luftarake të UÇK-së fitimtare. Ai zë, aq sa më gëzoi, po aq edhe më futi në të thellat e mendimit. Ishte zëri vëllazëror që sa herë më fliste, sikur më jepte krahë e forcë, sikur më përtërinte dhe më kthjellonte mendjen edhe shpirtin tim. Vëllai im i idealit, Ismeti, nuk e di se, përse më ngarkon me peshën e vlerës, më shumë se sa kam, ose se sa ndjej unë për veten dhe, kjo më bën që të jem i kujdesshëm që të mos e shpërdoroj atë ‘ngarkesë’ prej vëllai, por edhe të mos e zhgënjej vëllanë tim me vlera të rralla shqiptarie. Biseduam bukur gjatë për rrjedhat nëpër të cilat po zhagitet sot shqiptaria. Më ngacmoi ajo bisedë më se vëllazërore, më se njerëzore, më se atdhetare, ndaj vendosa të reflektoj përmes këtyre radhëve me këtë shkrim.

Shqiptarët përherë kanë reflektuar inteligjencë, botë të pasur e të pastër shpirtërore, madhështi e fisnikëri njerëzore. Por, nga ana tjetër, individë të veçantë, me peshën e të keqes brenda shpirtrave të tyre të nxirë, ndonëse të pakët në numër, jo rrallë herë kanë lënë gjurmë të vrazhdta e të thella në vetëdijen e kombit tonë.

Që nga antikiteti ynë, ecja jonë dhe ngjitja nëpër lartësitë e kohërave është shoqëruar me shumë e shumë pengesa, zig-zake, privime, sakrifica, gjak e jetë të vëna në themelet e ekzistencës tonë, më parë si popull e, më vonë edhe si komb, kur u formuam si i tillë.  Për njeriun e urtë, me intelekt urtënor, arsyetimi i shëndoshë është arma më e mirë për të vrarë mjegullnajat e mendjeçoroditurve që kërkojnë ta përdorin ‘mjegullën’ e mendimit, si ujku, mjegullën reale.  Le të ndalem në pak argumente që hedhin dritë në të mirën e krijimit e të ruajtjes së një fryme thellësisht atdhetare e kombëtare, në rrethana të caktuara politike e historike, nëpër të cilat ka kaluar shqiptari, si popull e, si komb.

Ekzistenca e frymës atdhetare përherë, që nga lashtësia, Iliria e, deri në ditët tona, ka qenë ai ‘balsam’ shpirtëror që e ka ruajtur qenien racore e njerëzore të shqiptarëve, ka qenë boshti, ose kolona vertebrore që e ka sjellë shqiptarinë si vlerën tonë më të çmuar, deri këtu, në kohën e sotme. Kurrsesi kjo rrugë s’ka qenë e shtruar me gjethe dafine, por plot e përplot me gropa e me gremina theqafëse, çka edhe na e ka rritur shumë ‘koston’ e rrugëtimit tonë historik.

Nëpër këto rrugëtime e mjegullime, që ngjasojnë si ato bibliket, është farkëtuar e formuar shqiptari i vërtetë, populli e kombi ynë historimadh. Por, nuk është e ndershme për mua që të bëj vetëm ‘paradën’ e vlerave morale e historike, njerëzore e urtënore, lartësuese, pa përmendur edhe anën tjetër, të errët ‘të medaljes’ tonë si racë, si popull e, si komb. Jo rrallë herë historia jonë është trazuar nga tradhtitë e mëdha të drejtuesve apo individëve me peshë në mjedisin shoqëror, në kohëra të ndryshme të historisë tonë, ndonëse këta gjithmonë kanë qenë në numër të vogël, por me ndikim të madh në rrjedhat e historisë tonë. Kështu, në Mesjetën tonë, njihet fakti se si tradhtari Hamza Kastrioti u vu në shërbim të turqve dhe luftoi kundër xhaxhait të tij, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut por edhe kundër Kombit të vet.

Edhe pas vdekjes së Skënderbeut, jo të gjithë princërit e Principatave arbërore, i qëndruan besnik betimit të Kuvendit historik të Lezhës të 2 e 3 marsit të vitit 1444. Shmangja e disave atëbotë nga vendimet e atij Kuvendi gjithëarbëror, përbën një tradhti të mirëfilltë të interesave madhore të arbërve (shqiptarëve) e të shtetit të arbërit, në ato rrethana aspak të dobishme për ta, nga ata që devijuan nga betimi i madh. Periudha e pushtimit osman të trojeve tona, fatkeqësisht, ka patur tradhtarët e vet antishqiptarë, me gjak shqiptar, si vezirë rajonal, si kryeministra të perandorisë pushtuese osmane ( 35 kryeministra me origjinë të pastër shqiptare, qeverisen në Perandorinë Osmane ).

Si njëri nga tradhtarët më të mëdhenj shqiptarë, në të gjitha kohërat, njihet Ballaban Badera – Pasha, nga Martaneshi, i rritur në Turqi. Tradhtia e tij qëndron në faktin se ai bëri çdo gjë që të osmanizonte tërë popullsinë arbërore (shqiptare); t’ia humbiste doket, traditat, gjuhën e kulturën e trashëguar nga të parët. I vënë tërësisht në sherbim të pushtetit sundues osman të Perandorise pushtuese Osmane, ky tradhtar ndermori edhe disa ekspedita ndeshkuese kundër vendit e popullit të vet, për ta gjunjëzuar popullin dhe prijësin e arbërve e të Arbërisë, Skenderbeun e pathyeshëm, legjendar e atdhetar.

Në periudhën e Mëvetësisë së Shqipërisë e, fill pas këtij akti historik për shqiptarët, doli në skenën e tradhtisë një tjetër ‘shqiptar’ që ishte i ftuar edhe në aktin e shpalljes së kësaj Mëvetësie. Ai ishte Esat Pashë Toptani, një kryefeudal nga Shqipëria e Mesme, që synoi e bëri çmos që të ruante lidhjen me Turqinë; nuk e njohu Qeverinë e dalë nga shpallja e Pavarësisë; organizoi kryengritje kundër forcave qeveritare proshqiptare; ia dorëzoi Shkodrën qeverisë së Malit të Zi, për 28 mijë napolona flori. (!)

Me ardhjen e Ahmet Zogut në krye të qeverisë shqiptare në vitin 1922 dhe me vetëshpalljen e tij ‘mbret’ të Shqipërisë, me 01 shtator 1928, tradhtia hodhi edhe më shumë rrënjë në këtë vend të prapambetur, të zhytur në varfëri e në mjerim, në skamje e në errësirë mendore. Ai ndërmori një fushatë spastrimi nga elementët atdhetarë dhe, eliminoi pothuajse të gjithë kundërshtarët e vet politik, nga njëra anë e, nga ana tjetër, filloi të lidhte marrëveshje skllavëruese e nënshtruese për Shqipërinë e shqiptarët, si me serbët, (me Pashiqin), por më vonë edhe me Italinë.

Kështu ai, ua dhënë tërë pasuritë mbi e nëntokësore italianëve, me koncesione tepër favorizuese për ta e, njëkohësisht skllavëruese përshqiptarët. Ai dërgoi arin e shtetit shqiptar në Rromë, gjoja për ta ruajtur, pra ia varri mëlçtë në qafë ujkut, që t’ia ruante. (!) Kështu, ky tradhtar hapi dhe shtroi trasenë e pushtimit fashist të atdheut nga Italia fashiste dhe, vetë mori atë ar që kishte mbetur në Bankën e Shqipërisë dhe, ia mbathi për tek fqinjët grekë, duke e lënë vendin e popullsinë shqiptare në mëshirë të fatit.

Periudha lavdimadhe e LANÇ Shqiptare, krahas faqes së ndritur të saj, e pamohueshme ajo, pati edhe anën e errët, atë që e nxiu tradhtia. Kështu, eksponentët drejtues të dy partive politike të krijuara e riorganizuara pas themelimit të PKSH, asaj të Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji dhe Mit’hat Frashëri, si edhe për Legalitetin, Abaz Kupi, jo vetëm që bënë të pamundurën që të pengonin qëndresën e një populli të tërë kundër pushtimit nazi-fashist, por i bashkuan edhe zemrat, edhe armët më pushtuesit, duke u zhytur kështu keqazi në llumin e tradhtisë kombëtare, duke i lyer duart me gjakun e bijave e të bijve më të mirë e më të lavdishëm të popullit tonë liri e atdhedashës, partizane e partizanë  çlirimtarë; duke u vënë plotësisht në shërbim të nazifashizmit pushtues, si bashkëpunëtorë kuisling, kundër lirisë, pavarësisë, çlirimit e Çështjes madhore Kombëtare Shqiptare.

Edhe periudha dritënore e ndërtimit të Shqipërisë së re, pati tradhtarët e vet. Kështu, Koçi Xoxe, emrin e të cilit edhe sot e mban një nga rrugët kryesore të Beogradit, iu përvesh punës nën rrogoz, që të realizonte rrëzimin e Pushtetit  Popullor, dalë nga lufta titanike e një populli liridashës e heroik, si ai i yni, nën udhëheqjen e guximshme, largpamëse e të lavdishme të P.K.Sh. me Enver Hoxhën në krye, si Kryekomandant e Kryekomisar të asaj lufte legjendare e fitimtare.

Lufta për ndërtimin e Socializmit u shoqërua pothuajse në çdo hap nga tradhtia dhe tradhtarët me gjak ‘shqiptar’. Kjo gjë e bëri qëndresën tonë si popull e, si shtet, kundër këtyre gjakprishurve tradhtarë, edhe më të lavdishme, edhe më të arsyetuar në sytë e opinionit të shëndoshë të brendshëm e, atij botëror. Fitoret e rendit socialist në Shqipërinë Socialiste, përkundër planeve djallëzore e pritshmërive ogurzeza të tradhtarëve, të mirëkoordinuara me padronët kundërshqiptarë të jashtëm, ishin thika në zemrat e antishqiptarëve, brenda e jashtë vendit. Mbrojtja heroike dhe e vendosur e Çështjes Kombëtare nga Shqipëria Socialiste, ishte dhe mbeti ‘alfa’ e domethënies së ekzistencës së shtetit të Shqipërisë londineze. Sabotimet e njëpasnjëshme në ekonomi, në ushtri, në kulturë, në letërsi e art, në sigurinë e vendit, provokacionet e shumta në kufijtë e shtetit tonë me shtetet fqinjë, veprimet diversioniste brenda territorit tonë, të organizuara e të drejtuara nga qarqet më antishqiptare në vendet e perëndimit evropian, por që kishin edhe mbështetësit e tyre të maskuar fort mirë brenda vendit, pse jo edhe në segmente te caktuara të pushtetit, kishin për qellim restaurimin e sistemit të rrëzuar nga LANÇ, restaurimin e pushtetit shtypës e shfrytëzues të njeriut nga njeriu, sistemin e analfabetizmit e të obskurantizmit fetar, sistemin e vëllavrasjes e të gjakmarrjes, sistemin e ndasive e të përçarjeve që nga familja, nga fisi, nga lagjja, rrethi, krahina e, ajo kombëtare. Kjo, në rrafshin e brendshëm. Ai model shteti që synohej të restaurohej në Shqipëri, duke përmbysur Pushtetin Popullor, rendin kushtetues Socialist, do të ishte, ky modeli që u restaurua në fundvitin kobzi të 1990-s dhe, që po vijon edhe sot.

Edhe në rrafshin e jashtëm, nuk pushuan përpjekjet e ethshme nga shtetet kryesisht europerendimore, për rrëzimin e sistemit kushtetues të Pushtetit Popullor në Shqipërinë Socialiste. Kështu, ajo Evropa e djeshme, e cila na kishte ndarë dhunshëm në gjashtë shtete, duke e përdorur tokën e popullin tonë si plaçkë tregu për t’i kënaqur orekset shoviniste të shërbëtorëve të politikave të saj antinjerëzore e, antishqiptare, bëri aq sa s’la provë e metodë diversive pa përdorur ndaj e në dëm të Shqipërisë Socialist. Në shërbim e, si ushtarë të zellshëm, por mjeranë, të ushtrisë së turpit, në këto përpjekje ofensive e difensive antishqiptare, si gjithnjë, u vunë dhe u përdorën kuislingët ‘shqiptarë’ , bashkëpunëtorë me fashizmin, të ikur si minjtë, vrimave të errëta, sapo ngadhënjeu populli e lufta e tij e drejtë, lavdiplote e çlirimtare.

Kjo ‘ushtri’ tradhtarësh, kishte brenda vendit tonë, deri në strukturat e larta të shtetit, përkrahësit e vet të maskuar si ithtarë të flaktë të Socializmit e të PPSH. Mjafton të kujtojmë grupin e tradhtarëve në sferat e letërsisë e të arteve, me ideologët e tyre, Todi Lubonjën e Fadil Paçramin, atë në rrafshin e ekonomisë, që si koka patën Abdyl Këllezin e Koço Theodhosin e ing. e naftës, Lipe Nashin, atë në ushtri, me drejtues e ‘strategë’, Beqir Ballukun, Kadri Azbiun e Mehmet Shehun. Koha vërtetoi largpamësinë e vigjilencën e PPSH e të Enver Hoxhës, duke i zbuluar ato zgjatime oktapodësh e, duke ua dhënë të gjithëve dënimin e merituar. Sot anatemohet Enver Hoxha dhe PPSH se, na i paskan eliminuar ‘shokët’ e tyre. (!!)  Pikërisht, këtu qëndron edhe madhështia e Enverit dhe e PPSH, sepse para Atdheut, Kombit, Lirisë e Sovranitetit të tyre, s’pati kurrë ‘shokë’, ‘miq’, ‘të afërm’, as ‘bashkëluftëtarë’ të LANÇ, as të punës, të kësaj, apo të asaj, më të mëdhënj e, as më të rëndësishëm se sa  Atdheu, Liria, Sovraniteti e Kombi. Kushdo që me vetëdije iu vu shkeljes së interesave madhore të popullit, të lirisë e, të Kombit, u përball me ligjet e shtetit, me Kushtetutën e vendit dhe, mori ditën për diell, jo fshehurazi, atë ‘shpërblim’ të merituar, për të cilën punonte nën rrogoz. Në atë kohë vlerash të mëdha, tradhtia, tradhtarët dhe kriminelët përballeshin me drejtësinë e vërtetë popullore dhe, merrnin dënimet e merituara. Sot, kjo kategori bën pjesë tek ata njerëz që nuk i prek asnjë ligj, a ndëshkim ‘drejtësie’. (!)

Enver Hoxha dhe populli shqiptar, me bukën e tyre, me barutin e tyre, me dashurinë e tyre për lirinë, Atdheun e Kombin e tyre, nga toka e tyre, mbrojtën Atdheun, lirinë dhe sovranitetin kombëtar.

Tradhtarët, me bukën e huaj, me barutin e huaj, me paratë e huaja, me pabesinë e tyre, nga toka e huaj, si minjtë, përbironin natën nëpër terr, në tokën tonë, me misionin antikombëtar në mendje e në zemër, që ta rrëzonin sistemin kushtetues socialist në Shqipëri. E pra, sipas pozicionimeve të këtyre dy palëve, sipas qëllimeve që kishin, mjeteve që përdornin, cila palë na del më kombëtare, më atdhetare, në këto qëndrime? Lehtazi merret me mend. Aaa! Edhe për dënimin e këtij lloj ‘patriotizmi’ kundërshqiptar, të dënuar me të drejtë nga ligjet e kohës, duhet të anatemohet sistemi i lirisë së vërtetë?!

Dihet se sot, pas 29 viteve të restaurimit të sistemit çnjerëzor kapitalist, këtu në atdheun e Teutës, Pirros, Skënderbeut, Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Mic Sokolit, Ismail Qemalit, Bajram Currit, Avni Rrustemit, Enver Hoxhës, Qemal Stafës, Vojo Kushit, Margarita Turtulanit, Tahir Sinanit e, të Adem Jasharit, Shote Galicës, Rexhep Malës, Kadri Zekës, Nuhi Berishës, Afrim  Zhitise e Fahri Fazliut, Fehmi e Xhevë Ladrovcit, Zahir Pajazitit, Ukshin Hotit, Adem Demaçit . . . , ka pllakosur pushteti i tradhtarëve, të hapur e të maskuar; ka pllakosur ligësia që polli e pjell çdo ditë mitra e sëmurë e kuçedrës borgjezi. Në 29 vite ‘demokraci’ borgjeze, shteti ynë ende s’ka arritur të kapë treguesit e arritjeve të vitit më të vështirë të socializmit, atij të 1989-s. (!) Në këto 29 vite të duket se kemi rënë 29 shekuj më poshtë!

Në këto radhë nuk po bëj ballafaqim faktesh e treguesish social, politik, ekonomik, psikologjik, ushtarak, të arsimit, shëndetësisë, sigurisë, pasi s’ka tregues të kësaj kohës borgjeze në Shqipëri, që të mund ‘të mburren’ para atyre treguesve të Socializmit. Gërrvërret e mediave, analistëve sahanlëpirës, gazetarucëve mediokër e të blerë nga borgjezia, zhurmat çjerrëse të korit të bretkosave parlamentare, demonstrimet e shurranave të neofashizmit djathtist, rehabilitimet e fashistëve të djeshëm nga neofashistët e sotëm ‘të majtë’, janë fytyra dhe përmbajtja e këtij palosistemi që vetëquhet ‘demokratik’, por që s’ka asgjë të përbashkët me etimologjinë e fjalës ‘demokraci’!

Askujt nuk i lejohet, sipas mendimit tim, nga çfarëdo lloj pozite që të jetë e, për çfarëdo lloj ‘nostalgjie’ që mund t’i faktojë së brendshmi, që të justifikojë përmbysjen e Socializmit, që të mund të ‘arsyetojë’ pamundësinë e mbrojtjes së atij rendi më se njerëzor, në emër të mosderdhjes së gjakut, apo të çfarëdo lloj justifikimi tjetër.

Shqiptarët janë një komb që vetëm me gjak e kanë fituar dhe mbrojtur lirinë e tyre. Atë, shqiptarët, kurrë e në asnjë rrethanë nuk e kanë marrë e, as kanë pranuar ta marrin si lëmoshë, a si ‘dhuratë’, e, kurrsesi ‘në tavolinë’, sepse e dinin se liria e falë, është një tjetër robëri, më e ligë se ligësia. Shqiptarët, në çdo kohë e rrethanë të vështirë për ta e vendin e tyre, kanë ditur të zgjedhin mbështetësit e aleatët e tyre të vërtetë, pra kanë ditur të shkojnë përherë me fitimtarët e në krahun e lirisë së vërtetë e të progresit. Ja, po përmend Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare Shqiptare.

Ajo luftë, që në hapat e parë u orientua, në planin strategjik ndërkombëtar, drejt koalicionit me fitimtarët, me BRSS, me Anglinë e, me SHBA. Edhe Lufta për Çlirimin e Kosovës, që është më e freskët, zgjodhi për aleate, aleancën më të madhe botërore ushtarake, NATO-n. Sa zëra çjerrës u ngjirën edhe më shumë duke e anatemuar si LANÇ, si një luftë ‘vëllavrasëse’, si ‘luftë civile’, por edhe këtë luftë, Luftën Çlirimtare të Kosovës, duke i akuzuar krijuesit e prijësit e UÇK-së, si terroristë, si Enveristë, si marksistë-leninistë e, Luftën, si luftë terroriste? Dihen e njihen ata që pollën këso lloj etiketimesh, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Dihen dhe njihen edhe krijuesit e trazirave në Shqipëri, sa herë që në Kosovë do të ndodhnin ngjarje me peshë kombëtare për historinë tonë. Dihen edhe pengesat dhe penguesit e rrugës së lirisë së popullit shqiptar të Kosovës. Puthadorët e pushtuesit, sot quhen heronj dhe, pranë varreve të tyre, bëhen homazhe e, ulen kokat e tradhtarëve në pushtetin e sotëm. Edhe në Shqipëri, para varreve të kryeballistëve të djeshëm, kryepolitikanët e sotëm borgjez bëjnë homazhe, vendosin tufa lulesh e kurora ‘nderi’, në fakt turpi dhe, arrijnë të artikulojnë edhe ftesa, për kokëulje gjithëpopullore, para jetës e ‘veprës’ së tyre bashkëpunuese me pushtuesit e djeshëm nazi-fashistë. (!!!) Ndonjë largpamës i vërtetë politik, mendjedritë e atdhetar shqiptar, i mbetur gjallë, nga Lufta Kombëtare Çlirimtare, jashtë kufirit politik të Shqipërisë politike, sot etiketohet jo rrallë herë, nga pseudopolitikanë ‘shqiptarë’, si tradhtar, si ‘i shitur’ tek hasmi, ani çka se vetë janë të atillë, sepse tradhtia e ‘shkruar’ në ballin e tyre i tradhton edhe vetë ata. A ka tradhti më të madhe se sa mbjellja e rritja e përçarjeve dhe e ndasive politike midis shqiptarëve, me porosi e, me pagesa të antishqiptarëve?! Ja, ky është ‘kanabizimi politik’ më i tmerrshëm e vdekjeprurës i të sotmes dhe i ardhmërisë së Çështjes Kombëtare. E këtë ‘kanabizim’ dihet fort mirë se kush e ka bërë dhe, përse po e bën ende edhe sot.

Në se rrethanat historike globale, në vitin 1990, ose fill pas vdekjes së Enver Hoxhës, në Shqipëri, sollën premisat e favorshme të restaurimit të kapitalizmit në vend, falë moskonseguencës së udhëheqjes politike të PPSH-së, në vijën e parimet politike të programit ekonomiko – politik të saj, falë edhe frymës liberale që u fut, si ‘pahiri’ në jetën e partisë, të gjitha këto e të tjera si këto, e përgatiten terrenin për kalimin nga Socializmi në kapitalizëm. Kjo farë fryme ‘e re’ lindi të famshmin e, më të dështuarin ‘mekanizëm të ri ekonomik’ që foli e flet edhe për dobësinë e kreut të drejtimit të PPSH, organit të vendimmarrjes kolegjiale, K.Q. të Partisë e, të Byrosë Politike. (Në Shqipëri, vendimet merreshin në mënyrë kolegjiale e, kjo dihet fort mirë nga të gjithë ata që duan ta dinë). Po të kishin funksionuar si në kohën e të madhit Enver, këto struktura dhe, sipas mësimeve të Tij, do të ishte bërë edhe një zgjidhje e pranueshme, inteligjente, gjithnjë sipas mësimeve të Tij, për të tilla rrethana, qoftë edhe me kosto politike, por pa e lëshuar, as pushtetin, që kishte në themelet e tij, gjakun, sakrificat e, jetët e 28 mijë dëshmorëve të LANÇ, por edhe të qindra e qindra të tjerëve, të luftës për rindërtimin e ndërtimin e Shqipërisë se re, nuk do ta kishin lëshuar as vendin e popullin në duart e kriminelëve e, të lloj – lloj agjenturave antishqiptare. Për hir të interesave madhore historiko-kombëtare, populli ynë me urtësinë e tij më se filozofike, na ka mësuar se, në rrethana të caktuara të vështira, atëherë kur s’ke shtegdalje tjetër për të arritur atje ku dëshiron të arrish, përkohësisht, e theksoj, përkohësisht, edhe ‘derrit’ duhet t’i thërrasësh ‘daj’! Zatën, këtu qëndron edhe zgjuarsia e një udhëheqësi të madh e burrështetasi largpamës. (Kujtojmë tentativën e zgjuar të Enver Hoxhës, që bëri për t’u lidhur, pas ndarjes me Kinën, me Gjermaninë kapitaliste). Kujtojmë gjithashtu se si kjo tentativë, apo ide e një mendjeje të hollë e brilante, si ajo e Enver Hoxhës, se si u sabotua nga dogmatikët ‘komunistë’ në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, ndoshta, jo pa qellim.

Pas 29 viteve tradhti kombëtare nga udhëheqja e lartë e PPSH së pas Enver Hoxhës, një tradhti e pashoqe ‘kolektive’, arsyeja dhe gjykimi im më bën të them me bindje, se atëherë nuk tradhtoi një njeri, qoftë ai edhe ‘njëshi’, por tradhtuan njëherazi, me vetëdije, ‘on bllok’, strukturat eprore vendimmarrëse e politikbërëse të PPSH e të shtetit shqiptar. Faji, për këtë tradhti të mirëfilltë, ose kapitullim pa kushte, bie vetëm mbi PPSH, organet e saj qendrore drejtuese. Po të kishin qenë në pozita të shëndosha ato, kushdoqoftë ‘udhëheqësi’ s’do ta kishin lënë të bintë në tradhti, pasi do ta kishin zëvendësuar menjëherë, apo shkundur nga e keqja.

Nuk ka qenë Enver Hoxha, ai që ka krijuar përplasje artificiale, pa shkaqe, asnjëherë, me aleatët, qofshin ata të epokës së LANÇ, apo të asaj të pasçlirimit të vendit. Ai dhe politika e shtetit shqiptar të kohës së socializmit i vlerësonin kurdoherë vlerat e popujve, por ishin kundërshtarë të logjikshëm dhe të vendosur të politikave që ndiqnin sistemet politike edhe kundër popujve të vendeve të tyre. Kurrë nuk u ndalua, as në shkollat tona, as në institucionet e kulturës, as letërsia përparimtare amerikane, as ajo franceze, as  ajo gjermane, ruse, angleze, italiane, spanjolle, pra letersia dhe arti përparimtar botëror. Kjo flet për faktin se politika e kohës socialiste dinte të bënte dallimet midis popujve e vlerave të tyre shpirtërore, që ishin vlera të përbotshme të njerëzimit dhe, midis politikave e sistemeve shtypëse e shfrytëzuese në vendet e këtyre vlerave njerëzore të popujve të ndryshëm. Kur ‘aleatët’ donin të bëheshin ‘zot shtëpie’ në shtëpinë tonë, sepse harronin se ne vërtetë ishim një kombi vogël, por kishim një kulture edhe më të madhe, edhe më të lashtë, ndoshta se sa disa kombe ‘të mëdha’ e me peshë në botë, atëherë Enveri, me plot të drejtë, si një shqiptar i madh që ishte, ua vinte kufirin tek thana. A thua se, edhe për këtë duhet të denigrohet figura e Tij madhore e gjeniale?! Për Enverin, aleati më i madh dhe më i besueshëm ka qenë populli e kombi i tij, toka, deti e qielli i Atdheut, ndaj me këta ‘aleatë’ Ai, kurrë nuk u prish dhe kurrë s’i tradhtoi.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë përkrah Luftës Çlirimtare të Kosovës, në vitin e 50-të të krijimit të saj, ishte e vetmja ndërhyrje e drejtë e saj në tërë ato vite të veprimtarisë e të ekzistencës së saj. Kjo, jo për faktin se doli në mbrojtje të shqiptarëve, por se u ngrit mbi veten, për ta shpëtuar një popull të pambrojtur, nga një gjenocid i vërtetë dhe i paparë, mu në zemër të Evropës e, në sytë e të gjithë botës. E, një veprim I tillë ishte edhe në nderin e NATO-s, edhe në nderin e botës së qytetëruar. Bash për këtë, meritën kryesore e kanë SHBA, pavarësisht se në këtë rast, parësore janë interesat e saj, por brenda tyre, edhe ato tonat. Jam i bindur se kjo Evropë, po të mos angazhohej SHBA-ja, në ato rrethana tepër të rënda për shqiptarët, do të tallej e do të bënte pazare të reja, me metoda të plakura, si përherë edhe kësaj radhe, në kurriz të shqiptarëve e të trojeve të tyre, në dobi të agresorit serb, mik i vjetër i saj.

As Enver Hoxha, po të ishte në jetë, në ato rrethana, s’do të tregohej dogmatik dhe i ngurtë, as si marksistë – leninistë, pasi as doktrima M-L nuk është dogmë, por as si shqiptar atdhetar, por do ta përshëndeste një qëndrim e veprim të tillë mbrojtës të interesave jetike të kombit të vet, nga ana e NATO-s, do të ishte në një krah me të edhe me potencialin ushtarak e me truallin e shtetit shqiptar, pa cenuar lirinë e sovranitetin kombëtar, në dobi të një misioni kaq të madh e më se njerëzor.

Enver Hoxha, para së gjithash ishte një shqiptar i madhërishëm, një atdhetar i flaktë, një ideolog i kthjellët e brilant, një largpamës gjenial, në vijimësinë e brendinë e Idealit tonë Kombëtar, që buronte nga Epoka e ndritur e Rilindjes tonë Kombëtare dhe e rilindësve tanë të mëdhenj e mendjedritë. Ai, kurrë nuk ka menduar që mund ta sakrifikonte atdheun e kombin e tij, lirinë e sovranitetin e tyre, për hir të një politike të caktuar, qoftë edhe ajo ku u mbështet vetë, por politikën që përdori Ai, si një prijës e ideolog i përmasave botërore e, si një strateg fitimtar edhe i ‘luftërave’ në kohë paqeje, e përdori në shërbim të tyre, sepse ajo politikë ishte dhe është edhe sot e gjithmonë, më e mira dhe më e dobishmja për ne dhe për tërë njerëzimin, sepse ajo politikë dhe ideologji, ishte dhe është politika dhe ideologjia e rendit më të ri e më të civilizuar njerëzor, në shkallë botërore. Ashtu si Stalini komunist, Çurçilli e Ruzvelti borgjezë, u morën vesh dhe krijuan koalicionin e madh botëror kundër nazi-fashizmit, pavarësisht sistemeve që mbronin e përfaqësonin, edhe Enveri gjenial, pa pike dyshimi që do të ishte në një koalicion me NATO-n e 1999-ës, për mbrojtjen e shqiptarëve, që për Enverin dhe shtetin e Tij, s’kishte interes më të madh kombëtar, mbi të. Mësimet që ka dhënë Enveri për PK në botë, që vepronin në kushtet e sistemit kapitalist, ishin e janë edhe për ne, që nga fundviti 1990 e deri më sot, do të jenë edhe për të ardhmen, udhërrëfyese. Ndryshe ishte politika, strategjia dhe taktikat në kohën e PPSH , në kushtet e sistemit socialist e, ndryshe, krejt ndryshe, janë sot ato, pasi jetojmë në kushtet e një sistemi kapitalist edhe në vendin tonë. Aq më tepër, sot dogmatizmi është vdekje për një alternativë komuniste.

Duhen dy armë: Urtësi dhe, Syçeltësi!

Ja që edhe ky veprim i NATO-s në këtë rast, është si të thuash një fare veprimi, deri diku edhe enverist, me përmbajtje atdhetarie e proshqiptare, për pjesën e mbrojtjes së shqiptarëve dhe atë të radhitjes së saj në një krah me luftëtarët legjendarë të lirisë së Kosovës, pra, pro kombit shqiptar e, kundër pushtuesit neofashist serb. Në ato rrethana më se të vështira, a do t’ia dilte e vetme UÇK-ja? Dihet! Lufta do të ishte e gjatë, e ashpër e, me kosto të papërballueshme, ashtu e vetme. A kishte ajo, në mbështetje të saj, një shtet shqiptar e një ushtri të fuqishme të Shqipërisë, si të kohës Enverjane? Jo! Ajo qëndresë e luftë, sa është legjendare dhe heroike, është edhe jetike për fatin e kombit tonë, por dhe e lavdishme, sepse është faktori bazë, faktori i brendshëm, përcaktuesi i fatit të gjysmës së kombit tonë, në rrethanat e reja historike, flamurtarja dhe sjellësja e lirisë së shumë ëndërruar në Kosovën dardane të shqiptarisë e të lavdisë kombëtare, falë edhe bashkëpunimit të saj inteligjent, me aleancën antigjenocid të NATO-s së asaj periudhe historike. Ajo luftë është më se e madhërishme, sepse e ndërgjegjësoi edhe botën, edhe NATO-n, në drejtësinë e saj, në kthjellimin e arsyes botërore për t’u vendosur në një krah me pjesën e kombit shqiptar nën pushtimin serb, në truallin e vet, në Kosovë, që po luftonte për gjënë më të shenjtë që ia kishin marrë serbët, që para një shekulli, për lirinë e vet, të mohuar me dhunë e me padrejtësi.

Sot rrethanat historike e politike në vend, por as në botë, nuk janë ato të kohës së viteve ’80-ta të shekullit të kaluar.

Edhe Lëvizja Komuniste në Shqipëri, e përçarë dhe e fragmentarizuar, pa një platformë të qartë veprimi strategjik e taktikash, për rrethanat e reja të krijuara, pas nëntëdhjetës, më shumë ka luajtur ‘lojën’ e borgjezisë, me hir, ose me pahir, se sa atë që duhej ta luante, nga pozitat e veta, si e bashkuar dhe e mirëorganizuar. Ajo, duke luftuar brenda vetvetes, vetveten, duke thelluar përçarjet foshnjarake e grindjet mistrece, me natyrë pseudomajtiste, duke mos njohur ligjësitë e veprimet që duhen ndërmarrë në rrethanat e reja brenda një sistemi borgjez, duke mos përcaktuar e mospatur një strategji të qartë e, taktika të efektshme sipas rrethanave historike, sociale e politike, në të tria nivelet e gjatësive të afateve, në kuadër të një sistemi tjetër ekonomiko-shoqëror, të ndryshëm katërçipërisht nga sistemi i mëparshëm socialist, ka mbjellë, fatkeqësisht, mosbesim e urrejtje të pajustifikuar, deri diku, për komunizmin e Partinë e klasës punëtore, tek masa e thjeshtë e popullit. Veprimet e qëndrimet konfliktuale brenda LKSH, kanë paraqitur para popullit, modelin me të keq të njeriut komunist. Po këtë mision luajtën edhe shumica ish komuniste, duke u radhitur të parët në skalionet e antikomunizmit e, duke vrapuar po të parët për të marrë pasuritë, postet partiake borgjeze, dëshmitë e ‘të përsekutuarëve’ nga regjimi komunist. (!) Këto qëndrime, me dashje, a pa dashje janë ideuar e vënë në zbatim nga drejtues ‘mendjedritë’ të këtyre ‘partive’ komuniste, çka ka sjellë edhe shumë huti e çoroditje brenda radhëve të atyre komunistëve të ndershëm të bazave të këtyre grupimeve komuniste. Në mos qoftë lajthitje, ky qëndrim, është drejt për drejt antikomunist e antikombëtar, është një formë e rafinuar e një tradhtie të mirëfilltë, politike e kombëtare. Ndaj LKSH duhet të zgjohet e të ringrihet mbi veten, për të mirën e saj edhe të Kombit tonë. Modelet e ‘liderëve’ pa ushtri prapa, kanë krijuar edhe skena komike, duke mos krijuar mundësi të thithjes së masave drejt LKSH. Sot, ‘partitë’ komuniste në Shqipëri, ngjasojnë me ‘tufëzat’ dhe ’arëzat’ e ‘modelit të ri ekonomik’ të pasvdekjes së Enver Hoxhës. Në daç t’u vijë keq, në daç t’u vijë mirë, ky është një perceptim real e masiv, përtej atij të një individi si unë.

Mosthithja e rinisë në ‘partitë’ komuniste, por paraqitja e ‘partisë’ (partive) komuniste, para opinionit të brendshëm të jashtëm, vetëm me pleq e pensionistë, ndoshta edhe qëllimisht, nga ‘liderët’ e tyre ‘komunistë’, ‘më komunistë’ se Enveri, ka krijuar përfytyrim qesharak e të gabuar tek rinia e vendit, për komunistët e, për Partinë e tyre, që për fat të keq ende, pas kaq viteve, nuk ekziston, ashtu, sipas mësimeve të Enver Hoxhës e të Doktrinës së M-L.

Kjo situatë e rëndë, jo vetëm për LKSH, por edhe për vendin e popullin, ka luajtur një rol tepër negativ, duke e penguar e larguar, (s’dua ta besoj se është bërë me qellim), futjen e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë dhe, ardhjen e kësaj alternative, më shpejt, në pushtet. Ajo, PKSH, ose PPSH, s’ka rëndësi emri, pra, partia e komunistëve, duhej të ishte partia më e mirëorganizuar në kushtet e reja të pluralizmit politik, pasi përvoja dhe thesari i mësimeve të nxjerra nga PPSH me Enver Hoxhën në  krye, nga në një hark kohor prej afro një gjysmë shekulli në drejtim të një sistemi njerëzor e të vlerave, kishin mundur të rikthenin ‘rrotën’ e historisë tonë, të sillej përsëri përpara e, të rifitonin terrenin e humbur, përkohësisht. Ethet për karrige ‘lideri’ të drejtuesve të grupimeve komuniste, jo partive, kanë krijuar thyerje të mëdha në fizionominë e një partie të vërtetë komuniste. Fakti se ‘liderët’ e tyre, përjashto Muharrem Xhafën, ende janë po ata të para njëzet e shtatë viteve e këndej, ose pasuesit servilë, pa produkt politik, është shumë shqetësues, është i trishtueshëm e, aspak logjik, në mos antikomunist e antikombëtar. Cili është rezultati i këtyre ‘partizanëve’ komuniste, në këto 29 vjet? Po, ka një rezultat turpi! Në një rast i bashkoi votat me ekstremin e djathtë, PD-n, për të mundur një parti jo më pak djathtiste, në strategji, por që në përbërjen e saj kishte dhe ka edhe atdhetarë, edhe enveristë, pse jo, edhe, deri diku, komunistë, siç kishte dhe ka edhe sot brenda saj, edhe fashistë e borgjezë të mirëfilltë.

Kohërat, për ne shqiptarët, kanë rrëshqitur tatëpjetë rrëpirave të historisë së fundshekullit të kaluar e të këtij fillimshekulli të ri. Në asnjë vend të botës, tranzicioni, nuk ka zgjatur gati tri dekada, veçse tek ne. Kjo situatë, sa është simuluar edhe nga jashtë, aq është mbajtur e gjallë edhe nga brenda, sepse klasa e re politike borgjeze, krijoi, ‘shpiku’ ‘arsyen’ e mosarsyes se, që të formohej si e tillë, duhej të gllabëronte e të rrëmbente për vete të gjithë pasurinë kombëtare, por edhe territoret më me vlerë natyrore, në vend; i duhej të krijonte shtresën kriminale që do ta mbështeste në marrjen e pushteteve sa herë që i duhej e, ta yshte mbi çdo përpjekje a reagim popullor, për një demokraci të vërtetë.

Bota po tallet me shqiptarët e këtij fillimshekulli, sepse politikanët tanë janë të paaftë, servilë, ta pangopshëm e, antikombëtarë. I bëhen lutje Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, nga kjo Evropë, që të futen në BE, ndërsa shqiptarët, një pjesë, ata në Kosovë, mbahen të rrethuar e të izoluar, si në karantinë, nga Evropa, të trysnuar nga tribunalet e ‘drejtësisë’ evropiane për gjoja ‘krimet e luftës’ të bëra nga drejtues e luftëtarë të UÇK-së, a thua se populli shqiptar i Kosovës e sulmoi Serbinë dhe e masakroi përmes një gjenocidi të pashembullt, deri në përzënien e saj nga territori i vet (!), ndërsa shqiptarët, të mashtruar me pseudoshtetin që ua dhuruan, duke i kërcënuar hapur, se në se bëjnë përpjekje për bashkimin e tyre kombëtar me pjesën tjeter, do t’i leshonin përseri në dorë të Serbisë, u tkurrën brenda lëkurës së tyre politike dhe, në vend që të bashkoheshin së bashku që t’i kërkonin ‘në bllok’ të drejtat më elementare të mohuara edhe nga Evropa, nisën grindjet e ndasitë primitive me refleksione anadollake; kurse, pjesës tjetër, në Shqipëri, pasi ia shkatërrojnë tërë institucionet e shtetit, i vënë kushte pas kushteve, për futjen e saj në BE, duke e çuar për tek kalendrat greke, pranimin e saj në atë bashkësi shtetesh. Ja, kjo është Evropa ‘demokratike’ ku politika jonë do të na e thyej qafën e, të na robërojë nga ‘fuqitë e mëdha’ të saj, si dikur e një kohë, por tani ndryshe, me lutjet e dëshirën ‘tonë’!

Interesat më madhore të shqiptarëve të sotëm, në trojet e tyre etniko-natyrore, nuk janë ‘shumësia e shteteve shqiptare’ në të njëjtin truall amtar e, mburrja për këtë fakt, por bashkimi i tyre kombëtar, në një shtet shqiptar të vetëm, nën flamurin tonë kombëtar. Mbi këtë interes e ideal, s’ka e s’do të ketë interes më madhor, për Kombin e Atdheun tonë, për Lirinë e Sovranitetin tonë kombëtar!

Ndodhur në këto rrethana politiko-historike, intelektualët e vërtetë atdhetarë, kudo qofshin ata, duhet t’i paraprijnë kombit të tyre me mendësinë e Bashkimit e, jo, të përçarjes e të ndasive banale. Boshti i ekzistencës tonë kombëtare ka qënë Bashkimi! Vetëm të bashkuar kemi treguar vlerat tona eprore mbi të tjerët; kemi forcuar vetëdijen tonë; kemi bërë qëndresë të suksesshme e, kemi mbijetuar heroikisht e me lavdi, nëpër rrjedhat historike. Përkundrazi, sa herë kemi rënë në kthetrat e ndasive e të përçarjes kombëtare, ne jemi ndëshkuar ashpër nga historia dhe, jemi nëpërkëmbur nga të tjerët që na janë hequr si miq e aleatë. Cili aleat serioz dëshiron që aleatin e vet ta ketë një popull zvarranik, pa gojë, pa sy e veshë, pa kockë e pa shtyllë kurrizore? Dihet përgjigjja!

Ndaj, zëri i vëllait nga Dardania legjendare e shqiptarisë, I. Sylejmani, nga ana tjetër e truallit tonë, përtej Drinit, më vërshoi në shpirt si dallgët e Drinit të zemëruar, që këtë herë ishin jo dallgë uji, por dallgënajë shpirti e ndjesie gjithëkombëtare, përballë mjegullnajës që e krijojnë dhe e dëshirojnë edhe ujqërit politik ‘shqiptarë’ në trojet tona etnike, së bashku me ‘ujqërit’ e huaj që na janë futur brenda, si në një shtëpi pa zot e, na janë ulë këmbëkryq mu në mes të shtëpisë tonë.

Koha vërtetë punon edhe për ne, por atë e zhvlerësojnë politikat e ‘politikanët’ kundërkohë, kundërkomb e, kundëratdhe! Mbi këtë mal tradhtie, vetëm Bashkimi Kombëtar, vetëm vendosja vetë për fatin tonë, mund të ngrihet e ta shemb për tokë atë mal ndasie e përçarjesh kundëshqiptare!

Tiranë, më 20. 04.2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hu Hai është 68 vjeç, por tregon 20 vjeç. Është…