Njoftim i rëndësishëm i ambasadës së ShBA-së në Prishtinë për aplikim për viza

16 maj 17:31

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë ka bërë me dije se do të fillojë të pranojë aplikacionet për viza turistike për qytetarët e Kosovës të moshës mbi 50 vjeç.

“Deri më tani, shërbim i tillë është ofruar në Prishtinë vetëm për aplikuesit e moshës mbi 60 vjeçare. Pasi që ambasada e ShBA-së në Prishtinë përpiqet të ofrojë shërbime të cilësisë së lartë për qytetarët e Kosovës të cilët aplikojnë për viza, dhe ka konsideratë për vështirësitë që paraqet udhëtimi për në Shkup, duke pasur parasysh mbylljen e rrugës kryesore, ajo ka vendosur t’i zgjerojë shërbimet për viza të ofruara në Prishtinë”.

“Në të ardhmen, aplikantët duhet plotësuar formularin DS-160 (i cili mund të gjendet në faqen zyrtare të ambasadës së ShBA-së në: https://xk.usembassy.gov/visas/), të përzgjedhin Prishtinën si vend të aplikimit, dhe të caktojnë terminin për intervistë në web-faqe. Në ditën e intervistës aplikantët duhet të paguajnë tarifën për vizë (me para në dorë, dollarë ose euro) në ambasadë ku dhe do të intervistohen nga një zyrtar konsullor. Vini re se këto procedura dallojnë nga ato në ambasadën e ShBA-së në Shkup”, është thënë në njoftimin e ambasadës së ShBA-së në Prishtinës.

Sipas kësaj ambasade, aplikantët të cilët tashmë e kanë paguar tarifën për vizë në mënyrë elektronike apo në “Bankën Raiffeisen” nuk mund ta përdorin këtë pagesë për të aplikuar në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, derisa ata ose duhet të aplikojnë në Shkup ose duhet të bëjnë një pagesë të re.

“Gjatë intervistës të gjithë aplikantët duhet të dëshmojnë se kualifikohen për të marrë vizën. Zakonisht, vizat e aprovuara mund të mirren në ambasadë, një ditë pune pas intervistës. Ambasada e ShBA-së në Prishtinë shpreson të ofrojë më shumë shërbime për viza në vitin vijues. Për çdo risi dhe ndryshim ju lutemi të përcjellni ambasadën në Facebook. Pyetjet tuaja mund ti drejtoni në [email protected]”, është thënë në këtë njoftim.

Vini Re:

Aplikantët duhet të paraqiten jo më shumë se 15 minuta para intervistës. Armët ose çantat e mëdha janë të ndaluara në ambasadë. Aplikantët këshillohen t’i lënë pajisjet elektronike në shtëpi për të lehtësuar kontrollimin e tyre nga ana e personelit të sigurimit.

Për të arritur tek Sektori konsullor duhet ecur shkallëve dhe nëpër sipërfaqe jo të rrafshta. Për shkak të hapësirës së kufizuar personat të cilët nuk aplikojnë për vizë nuk do të mund të futen në ambasadë. Aplikantët me aftësi të kufizuar të lëvizjes, apo që kanë nevojë për ndihmë të ndonjërit prej anëtarëve të familjes këshillohen të aplikojnë në ambasadën e ShBA-së në Shkup.

Çiftet e martuara mund të aplikojnë së bashku në Prishtinë përderisa njëri nga ta është mbi 50 vjeç. Të gjithë aplikantët tjerë të moshës 14 deri 49-vjeçare e që aplikojnë për vizë turistike (B1/B2), që përndryshe nuk kualifikohen të aplikojnë në Prishtinë, duhet të aplikojnë në ambasadën e SHBA-ve në Shkup.

Sektori konsullor ka numër të kufizuar të terminëve. Aplikantët duhet të kenë durim nëse data e tyre e dëshiruar për intervistë nuk është në dispozicion. Aplikantët me raste urgjente këshillohen të aplikojnë në ambasadën e ShBA-së në Shkup.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka premtuar se edhe qyteti…