Nonpaper i Sllovenisë: Djathtizmi ekstrem dhe cënimi shokues i interesave shqiptare

17 prill 19:15

Shkruan: Dr. Gurakuç Kuçi

Fundi i marrëveshjeve të mëdha ndërkombëtare gjithmonë sjell tendenca për ndryshime të reja gjeopolitike. Këto periudha ashtu si pas Luftës së Parë Botërore edhe marrëveshjet njëqindvjeçare të kësaj periudhe, prapë përfundimi i tyre u prek me kriza financiare ekonomike e pandemike. Andaj në këtë periudhë shfaqen edhe ideologji që tentojnë një ekstrem. Në këtë periudhë ekstremi i djathtë (siç argumenton Francis Fukuyama) ka arritur që ta bindë masën se problemet ekonomike po shfaqen për arsye identitare. Mirëpo përderisa Perëndimi ekstremin e djathtë po e mban nën kontroll, shumë vende Lindore si Rusia e Serbia kesnofobinë e djathtizmit ekstrem po e kthejnë në secesionizëm si në Ukrainë, Ballkan e më gjerë, gjithnjë sipas doktrinës së “sllavofilisë”.

Pse doli dokumenti i “Sllovenisë” për Ballkanin Perëndimor

Më 2023 skadon marrëveshja 100 vjeçare e shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Turqia ka rreth 20 vite që është duke pritur skadimin e kësaj marrëveshje dhe të krijoj një pozicionim të saj të ri sidomos në det dhe të shtrijë influencë në vende të përafërta nga civilizimi.

Një pozicionim të ri po kërkon edhe Rusia dhe Serbia të cilat ndjekin filozofinë e “sllavofilisë” që nga koha e Khomjakovit.

Përderisa në këtë mes SHBA-ja bashkë me BE-në janë në një pozicion të mirë të forcojnë pozitat e tyre të zemrës së tokës (Heartlandit) dhe të brigjeve (Rimlandit).

Në këtë mes përplasjesh është fuqishëm Ballkani dhe flluskat si “nonpaper” i Sllovenisë e cila tani po mohohet si diçka e vërtetë nga vet ky shtet, janë matje të tensioneve se deri ku mund të pranojnë ripozicionime shtetet e tanishme.

Dokumente të tilla kryesisht dalin nga shërbimet sekrete e madje mund t’i fabrikohen një vendi tjetër si hartues i saj. Sidoqoftë, politika të tilla vazhdimisht provohen në Ballkan, dhe së fundi patë lider në Ballkanin Perëndimor që adoptuan pranimin e prekjes së kufijve, mirëpo një veprimtari e tillë u ndal fuqishëm nga SHBA-ja.

Por iniciativa e fundit si matje tensioni me “nonpaper” po vijnë nga vija Janez Jansha, Viktor Orban dhe Aleksandër Vuqiq, të cilët çështjen e djathtizmit evropiano-perëndimor po e dërgojnë nga niveli ksenofob në nivelin secesionist (shkëputjes). Pra, nga niveli i mbylljes së kufijve në nivelin e ndryshimit të kufijve.

Në Ballkan ky nacionalizëm secesionist po shprehet në sfera ku një etni kërkon të sundoj një komb. Pra, shtetet në Ballkan të bëhen ekskluzive sipas doktrinës “sllavofile” dhe jo inkluzive sipas modelit të ngritjes së nacionalizmit shqiptar. Doktrina “sllavofile” përvec përqëndrimit të sllavëve pastaj shtrirjen e vet do synoj ta bëje me cilësime ballkanike federative të llojit të projekteve që kanë filluar që nga Luftërat Ballkanike.

Dokumenti në fjalë ku e heq nga harta e shteteve Kosovën dhe e ndan Bosnjën i konvenon më së shumti Serbisë. Kjo e fundit madje nuk e mohon se dëshiron një gjë të tillë. Serbisë nuk i pengon bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, por i pengon shtetësia e saj. Në heqjen e shtetësisë së Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, Serbia mund të përfitoj territor dhe satisfaksion të madh nga Kosova dhe çdo herë ka gjetur më shumë afërsi bashkëpunuese me një qeveri në Tiranë se sa në Prishtinë, po ashtu me ndarjen e Kosovës e mbyll përgjithmonë edhe çështjen e Sanxhakut. Ndërsa nga Lugina e Preshevës me gjithë qejf i heq disa fshatra dhe qytetin e Preshevës. Ndërsa nga Bosnja do përfitoj shumë më shumë.

Por, deri më tani dokumenti i cili nuk është publikuar si i plotë askund nuk flet për çështjen e Maqedonisë së Veriut që është një problem që e kalon kufirin e Ballkanit Perëndimor dhe çështjen e Malit të Zi, e shumë kufij tjerë më gjerë. Është e pamundur pastaj të mos preket Pireu i Maqedonisë nga Bullgaria, Vojvodina, etj.

Nga këto ndryshime, më së shumti përfiton Rusia, Kina dhe Serbia. Rusia do arrijë që bashkë me Serbinë të krijoj një shtrirje “sllavofile” të fuqishme, pra një shtrirje të civilizimit ortodoks, ideologjisë të asaj si e quan Rusia “demokracia sovrane” dhe të gjeopolitikës në shkëputjen dhe kërcënimin e zemrës së tokës. Kina si bashkëpunëtore e ngushtë me Serbinë dhe Rusinë do ta shtrinte fuqishëm strategjinë e saj “Belt and Road Initiative” dhe kështu më bashkimin e Kosovës me Shqipërinë do ta shtrinte ndikimin e saj të plotë në Ballkan. Kina tani veç është bërë një fuqi Evropiane ku ka marrëveshje me 18 vende, 14 prej tyre janë vende anëtare të BE-së, tri vende kandidate për anëtarësim në BE dhe Serbia si vend aspirant.

Për shqiptarët i mirë apo i keq dokumenti

Ide të tilla siç parasheh dokumenti në fjalë janë defaktorizuese për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e vende tjera në Ballkanin Perëndimor. Këto ide kanë dy qëllime madhore:

Defaktorizimin e SHBA-së në Ballkan për të ia prishur strategjinë e Rimlandit, dhe

Humbjen e aftësisë së shqiptarëve për evoluim të brendshëm drejt krijimit shteti si të Enver Hoxhës ku centralizohet gjithçka dhe ai centralizim kontrollohet nga “sllavofilët” dhe civilizimi ortodoks.

Një gjë duhet mbajtur në mend, ekzistimi i Kosovës dhe Shqipërisë në këto momente është ideale për shqiptarët. Kjo për faktin se ia humb fuqinë doktrinarëve sllavofilë të kontrollojnë qendrat e ideve të shqiptarëve, sepse duke qenë shqiptarët në një pozitë të pafuqishme si tani, centralizimi i ideve  mundëson kontrollimin pastaj të asaj qendre nga doktrinarët sllavofilë.

Shqiptarët duhet të ndjekin idenë e zhvillimit perëndimor të kombeve dhe civilizimit. Perëndimorët pas zhvillimit të shteteve-kombe tani po bashkohen në civilizim dhe ideologji duke tjetërsuar periferitë e saj ashtu siç synon kombi në shtet.

Shqiptarët nuk duhet të mashtrohen nga doktrinat shoviniste të doktrinarëve sllavofilë mbi krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’, sepse askush nuk mendon projekte të tilla të mira për shqiptarët nëse këtë nuk e kanë bërë vet shqiptarët. Termi ‘e madhe’ në këtë rast paraqet imperializëm, e shqiptarët në asnjë tokë ku janë tani në Ballkan nuk janë imperialista.

Integrimi i shqiptarëve duhet të jetë i vërtetë dhe jo modele ku mund të ia bashkojnë Shqipërisë një pjesë të Kosovës dhe të ia shkëpusin pastaj një pjesë të jugut e të ia japin Greqisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Konkurrenti i Përputhen, Atdhe Xharavina, ka folur për herë të…