Nuk është koha, rrethanat dhe as mënyra e duhur për rritjen e çmimit të energjisë!

25 janar 12:08

Shkruan: Dr.sc. Ferat Shala, deputet i Kuvendit të Kosovës

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ishte në rend dite sërish kriza energjetike dhe mundësia e rritjen së çmimit të energjisë.

25.01.2022- Mbështetur në të gjitha ato që kemi diskutuar, parë, dëgjuar, analizuar, raportuar deri me tani në raport me krizën energjetike dhe me mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë, mundë të nxjerrim konstatimin se çmimi i energjisë nuk duhet të rritet në këtë kohë, në këto rrethana dhe në këtë mënyrë.

Kjo nuk duhet të ndodhë për shumë fakte dhe arsye, disa prej të cilave do të mundohem ti numëroj në këtë shkrim.

E para, tashmë po vërtetohet që në raport me krizën energjetike dhe me planifikimin e rritjes së çmimit të energjisë ende ka paqartësi, ka keqplanifikim dhe keqmenaxhim të situatës energjetike në vend.

E dyta, një fakt pozitiv që arsyeton kërkesën e mos rritjes së çmimeve është kthimi në punë i Bllokut B2 (zvogëlimi i importeve). Dhe kapacitetet prodhuese vendore aktualisht janë mbi 1000 MWh, e jo ashtu siç i pretendon Qeveria. Për më tepër lidhur me këtë konstatim mundë ti referoheni Raportimit të ZRRE-së.

E treta, qytetarët, shoqëria civile, bizneset, të gjithë akterët presin që Kuvendi i Kosovës ti thotë JO ngritjes së çmimeve, andaj nuk duhet ti zhgënjejmë ata në një situatë të tillë.

E dimë tashmë që, Qeveria e Kosovës domosdoshmërisht pret të ketë një arsyetim, çfarëdo qoft ai, për të dal nga kjo situatë dhe krizë.

Por po ashtu e dimë që Qeveria ka edhe një problem: Mungesën e ideve kreative për të gjetur zgjidhje dhe për të ofruar shpresë për të ardhmen.

Ajo ka dëshmuar dhe ka treguar që është e pa aftë për të udhëhequr paraprakisht me masa parandaluese (preventive) për të efituar krizën. Sipas logjikës së Qeverisë njëherë duhet të vijnë krizat, pastaj duhet të merren masat!

Këtë e ka dëshmuar në disa raste, sikurse ishin ato me pandeminë, me krizën energjetike dhe me inflacionin.

Sipas skenarëve të deritanishëm, për Qeverinë e Kosovës, është dashur që fillimisht të ndodhë një situatë krize, që pastaj të ndërmerren masat.

E dimë që Kryeministri ka Qeverinë, Kabinetin më të shkolluar, pushtetin absolut.

E dimë që edhe rregullatorët e pavarur i ka në menagjimin e tij, dhe po ashtu edhe ndërmarrjet publike.

E dimë gjithashtu që edhe asetet e pronat e AKP-së po kthehen te Qeveria.

Në rregull, pra!

I ka kërkuar, ja keni dhënë, i ka të gjitha.

Ju ka premtuar, i keni besuar.

Po sot ku jemi?

Ku jemi me premtimet që ka dhënë? Ku jemi me besimin që i keni dhënë? Askund! Politikisht pothuajse gjysmë të izoluar, me ekonomi të stopuar dhe në amulli të plotë.

Asnjë projekt kapital nuk e shihni duke u zhvilluar.

Asnjë lopatë inaugurimi nuk e shihni tash e disa muaj në Kosovë!

Asnjë projekt i ri, e as i vjetër, përveq disa skemave sociale nga programi i rimëkëmbjes.

Kur i shtojmë kësaj situatën e pandemisë, inflacionin e lartë, krizën energjetike, atëhere situata është edhe më e rëndë sa që e paraqet Qeveria.

E Qeveria dhe kryeministri në vend të na sillte rezultatet e punës, dinamikën, strategjinë e shumëpritur për energjinë, na e sjellin retorikën mbi 20-vjeçarin e kaluar.

Kryeministër, Ju jeni këtu për të ardhmen, për zhvillimin e këtij vendi.

Ju jeni këtu për të menagjuar situatat politike dhe ekonomike,  për të menagjuar krizën energjetike dhe pandeminë. Ju jeni këtu për të ulur inflacionin e jo për ta rritur atë.

Nëse Kryeministri dëshiron ta kalojë këtë krizë energjetike, po i japim disa ide nga Opozita:

  • Të fillojë menjeherë me projekte konkrete në sektorin e energjisë duke evituar përsëritjen e gabimeve të vjetra eventuale;
  • Të fillojë sa më shpejtë me investime kapitale në sektorin e energjisë;
  • Të bashkëpunojë ngushtë me investitorë të jashtëm dhe të brendshëm, në sektorët energjetik të Kosovës.

Ja edhe disa propozime për  zgjidhje strategjike për rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore energjetike:

  • Të fillojë menjëherë planifikimin dhe revitalizimin e Termocentraleve A dhe B;
  • Të fillojë menjëherë përgaditjen dhe ndërtimin e një termocentrali të ri,
  • Zgjerimi e kapaciteteve tjera energjetike nga era; në Shalë të Bajgorës, në Llap, në Qyqavicë, në Budakovë, Golesh, etj..
  • Të fillojë projektet e energjetike, me panele diellore, në KEK, në Kodrat e Goleshit, dhe shumë zona të tjera që ka potencial për prodhimin e energjisë nga dielli në sezona të caktuara;
  • Të marrë vendimin pozitiv për projektin amerikan për gazin e lëngët Amerikan;
  • Të zbatojë urgjentisht rezolutën e Kuvendit, dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për zgjidhjen e humbjeve të energjisë në pjesën veriore të Kosovës (kanë kërkuar 6 muaj afat, tani po bëhen 9 muaj dhe nuk ka asnjë lëvizje në zbatimin e këtyre obligimeve);
  • Të bëjë liberalizimin e tregut të energjisë.
  • Të mos e miratoj raportin e ZRrE-së, për tarifat e energjisë.

Për të vepruar i ka në dispozicion të gjitha resurset e këtij vendi. Veprimi duhet të jëtë i shpejtë, dhe i shoqëruar me një plan te detajuar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e…