Nura boton libër për identitetin tonë kulturor

25 shkurt 2020 | 13:44

Ka dalë nga shtypi libri “Identiteti kulturor i Kosovës” i autores Elmaze Nura.

“Identiteti kulturor i Kosovës” është botuar vetëm në gjuhën angleze. Sipas recensentëve, ky është një studim i rëndësishëm për identitetin kulturor të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri sot.

Autorja, duke bashkëpunuar me libra teorikë e duke marrë shembuj praktikë nga emblema (flamuri kombëtar dhe shtetëror), e duke realizuar intervista me personalitete publike rreth identitetit kulturor dhe shtetëror të Kosovës, ka përfshirë një mori fenomenesh të zhvillimit të identiteteve dhe simboleve socio-kulturore në kontekstin aktual të historisë, antropologjisë dhe psikologjisë.

Ky libër, shkruan recensenti Emin Emini, i cili është profesor në Fakultetin e Arteve, ngre disa pyetje thelbësore, siç janë kombi dhe nacionalizmi, përkatësia etnike dhe qytetaria dhe, mbi të gjitha, identiteti dhe kultura, të cilave autorja u jep përgjigje nëpërmjet shembujve praktikë dhe teorikë.

Ndërsa recensenti tjetër, profesor Dashamir Berxulli, argumenton se monografia e profesoreshës Elmaze Nura jep kontribut domethënës dhe padyshim origjinal në dinamikën, shtresimet e identitetit dhe simbolet e lidhura pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Librin e ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni” dhe që nga nesër e gjeni në librarinë “Artini”, “Dukagjini” dhe “Buzuku” në Prishtinë dhe në librarinë “Altera” në Prizren.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tomë Gashi Nuk është aspak sinjal i mirë që Prokuroria…