Oda Tregtare Kosovaro Turke festoi 15 vjetorin e themelimit, Balkiz: Kosova dhe Shqipëria janë zona tërheqëse për investime nga Turqia

21 qershor 2023 | 15:58

Oda Tregtare Kosovaro Turke festoi 15 vjetorin e themelimit me një ceremoni të mbajtur në Hotelin Emerald. Në ceremoninë e mbajtur në mbrëmjen e datës 20 Qershor, morën pjesë Zëvendëskryeministrja e Kosovës Emilija Redzepi, Ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, Ambasadori i Turqisë në Prishtinë Tunç Angılı, përfaqësues të institucioneve Kosovare dhe atyre Turke, kryetarë të Komunave, Liderë të partive politike, anëtarë të Odës dhe përfaqësues të sektorit privat. Në një konferencë për media të mbajtur para pritjes u vlerësuan marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro Turke, Abdurrahman Balkiz, para medieve paraqiti një rezyme të aktiviteteve të Odës dhe prezencën e bizneseve në tregun kosovar, ku tha se  Kosova dhe Shqipëria janë zona tërheqëse për investime nga Turqia në vendet e Ballkanit.

“Turqia ka një ekonomi të madhe dhe produktive. Me kalimin e kohës gjatë këtyre 15 viteve, pjesëmarrja e saj në importet e Kosovës  e bëri atë një ndër partnerët më të mëdhenj këtu.   Megjithatë, Turqia kontribuon edhe në prodhimin e Kosovës. Sepse në njërën anë pajisjet e makinerive dhe gjysmë produktet janë ndër artikujt e importit të Kosovës nga Turqia, nga ana tjetër investimet e  drejtpërdrejta të kompanive turke  hapin dyert e eksportit të Kosovës”, ka thënë ndër tjera kryetari i Odës, z. Balkiz.

Pas kryetarit të Odës një paraqitje para mediave e bëri edhe ambasadori turk në Kosovë, Tunç Angılı, i cili ndër tjera tha se: “Fakti që Oda Tregtare Kosovaro Turke ka 15 vite që funksionon, do të thotë se ekziston qysh nga  Pavarësia  e Kosovës. Kjo tregon se sa të thella dhe të rrënjosura janë marrëdhëniet mes nesh në çdo fushë. Turqia, përmes kompanive turke dhe kosovare  anëtare në Odën Tregtare Kosovaro Turke, përmes dialogut ndërqeveritar dhe më e rëndësishmja, përmes kontakteve mes njerëzve, në mënyrë që Kosova të mund të qëndrojë e fortë me të gjitha institucionet e saj, ekonominë, politikën dhe sigurinë do të vazhdojë të mbështesë atë ashtu siç ka bërë deri sot”.

Pas konferencës për medie, filloj edhe pritja e të pranishmëve ku me nja një fjalë rasti u paraqitën Abdurrahman Balkız, kryetar i Odës Tregtare Kosovaro Turke.

“Kërkimi i sektorit privat për bashkëpunim nuk është ngadalësuar asnjëherë. Siç e kemi thënë në çdo platformë, interesimi i biznesmenëve turq për Kosovën gjithmonë ka qenë në rritje. Ky interes u shndërrua në investim sa herë që kishte mundësi këtu. Sot mund të themi se punësimi i ofruar vetëm nga kompanitë turke në Kosovë është rreth 10.000 persona. Gjithashtu, nëse marrim parasysh punësimin indirekt, ky numër duhet të shumëzohet me dy. Ne besojmë se sot është koha për të parë rezultatet e prekshme të këtyre kontributeve. Gjithçka që kërkojmë nga shteti i Kosovës është që të zhvillojë edhe më tej politika konstruktive dhe inkurajuese për të tërhequr investitorët. Kur shikojmë investimet turke në gjeografinë e Ballkanit në përgjithësi, shohim se Kosova është një pikë qendrore. Renditja e investimeve turke në Kosovë në mesin e investimeve që vijnë në këtë vend nga të gjitha vendet e tjera është e 3-ta. Para nesh janë Gjermania dhe Zvicra. Por ne e dimë se investimet nga diaspora shkojnë në sektorin e patundshmërive këtu. Me fjalë të tjera, ne e konsiderojmë veten të parët për sa i përket investimeve të huaja direkt në Kosovë.”, tha kryetari Balkiz.

Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Tunç Angılı, tha se të gjithë jemi përgjegjës në zhvillimin e  për të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe për të eliminuar problemet.

“Nuk mjafton vetëm bashkëpunimi ndërqeveritar, edhe ju si Odë keni një përgjegjësi të madhe për t’i zgjidhur këto probleme dhe veçanërisht për t’ua shpjeguar potencialin real këtu kompanive në Turqi. Nëse ne mund ta bëjmë këtë, mendoj se mund të arrijmë edhe  objektivin prej 1 miliard € në tregti në afat të shkurtër, 1 miliard € në investimet e Turqisë në Kosovë dhe 100 mijë njerëz në vit në numrin e turistëve dhe biznesmenëve që vizitojnë Kosovën nga Turqia.” U shpreh ambasadori Angili.

Të pranishmit i përshëndeti në emër të Qeverisë së Kosovës zv/kryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, e cila tha se: “Besoj se është përgjegjësia jonë për të nxitur dhe zhvilluar dialogun dhe bashkëpunimin, veçanërisht ndërmjet investitorëve turq dhe kosovarë. Dhe, sigurisht, për të zhvilluar partneritete nga të cilat do të përfitojnë të dyja vendet.”

Kryetari i Odës, z. Balkiz para të pranishmëve tregoi se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, pra gjatë viteve 2020-2022 rritja ka shkuar në 100%.

Njoftimi i plotë i kryetarit të Odës, Abdurrahman Balkiz:

Eksportet e Kosovës drejt Turqisë janë rritur rreth 10 herë në këto 15 vite. Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, pra gjatë viteve 2020-2022 rritja ka shkuar në 100%.  Vlen të theksohet se ndikim në këtë rritje kanë pasur edhe investimet nga Turqia. Në anën tjetër, rritje e madhe vërehet edhe tek importet e Kosovës nga Turqia. Midis viteve 2008 dhe 2022, ka pasur një rritje prej 6.5 herë të importeve. Në këtë rritje, vihet në pah importi i pajisjeve të makinerive dhe gjysëm produkteve; ku kjo tregon se industria prodhuese në Kosovë ka filluar të ringjallet.

Në anën tjetër Kosova ka qenë gjithmonë  vend tërheqës për investitorët turq. Nga viti 2022, totali kumulativ i investimeve turke ka kaluar vlerën e 450 milionë Eurove.  Investimet nga Turqia zënë vendin e tretë në Kosovë pas Gjermanisë dhe Zvicrës. Këto investime, të cilat nuk janë realizuar në sektorin e patundshmërive, por në sektorë të tjerë me ndikim në zhvillimin ekonomik, kontribuojnë edhe në punësimin në Kosovë. Kompanitë turke në Kosovë sigurojnë rreth 10,000 vende pune.

Gjithashtu nëse vlerësojmë investimeve turke në vendet e Ballkanit, vërejmë se Kosova përbën një vend të rëndësishëm në këtë aspekt.  Sepse në asnjë vend tjetër në Ballkan investimet turke nuk zënë vende të para sipas renditjes. Turqia, e cila zë vendin e tretë në investimet e huaja në Kosovë, është e 5-ta në Shqipëri, e 7-ta në Maqedoninë e Veriut, e 10-ta në Bosnje dhe Hercegovinë dhe e 19-ta në Serbi.

Ndër arsyet pse Kosova është kaq përpara në Kosovë janë marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Turqisë si dhe kontributi i institucioneve në këto marrëdhënie. Oda Tregtare Kosovaro Turke vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve. Oda jonë do të vazhdojë misionin e saj për të qenë një urë ekonomike ndërmjet dy vendeve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i rikthyer në Superligë, Liria ka konfirmuar zyrtarisht emërimin…